Goditja e madhe e ShBA-ve ndaj Kurtit: A e kapi Hashim Thaçi edhe Shtëpinë e Bardhë?

Goditja e madhe e ShBA-ve ndaj Kurtit: A e kapi Hashim Thaçi edhe Shtëpinë e Bardhë?

Derisa militantët e Vetëvendosjes vazhdojnë të mobilizohen për të sulmuar kundërshtarët e tyre politikë në vend, Departamenti Amerikan i Shtetit ka lëshuar një komunikatë ku përmbahet deklarata e përbashkët e z.Mathew Palmer – përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, z.Richard Grenell – i dërguari i posaçëm i ShBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, dhe i z.Philip Kosnett – ambasador i ShBA-ve në Kosovë.

Në këtë deklaratë iu bëhet e qartë qytetarëve të Kosovës se nuk ka marrëveshje sekrete për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë – ashtu siç kishte deklaruar Albin Kurti, dhe shumë e shumë politikanë e analistë të tjerë, që e kishin helmuar, polarizuar dhe frikësuar shoqërinë tonë.

“Duam ta bëjmë të qartë se nuk ka plan sekret për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, si kanë spekuluar disa.” – shkruhet në deklaratën e shpërndarë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

E ndër ata që kanë spekuluar, është edhe zoti Kurti. Grenell, Kosnett dhe Palmer nuk hezitojnë ta klasifikojnë kryeministrin në detyrë të Kosovës si “spekulant”.

Kurti vazhdimisht ka përsëritur se ka një marrëveshje sekrete, gjë e cila edhe e çoi drejt prishjes së koalicionit qeveritar me LDK-në. Deputetë nga LDK-ja i bënë vazhdimisht thirrje Kurtit që ta publikonte atë marrëveshje.

Natyrisht, Kurti nuk kishte asnjë provë për një gjë të tillë sepse ajo nuk ekzistonte – siç e thonë tashmë edhe Palmer, Grenell e Kosnett. Ai ofroi thjesht një “përshtypje” në bazë të një fjale që presidenti Thaçi i kishte thënë në diskutimin dyorësh në presidencë.”

“A e dini kur e mora vesh, kur ishim në atë takimin dyorësh, ai (Presidenti Thaçi) më tha, hajde shkojmë bashkë në Shtëpi të Bardhë e bëjmë marrëveshje me Serbinë. E heqim qafe Serbinë. Ai më tha, kryeministrat e kaluar janë të emëruar, e veç unë e ti jemi të zgjedhur.” – deklaronte dje kryeministri në detyrë.

Në bazë të kësaj ideje, se ekziston një marrëveshje e fshehtë për ndryshim kufijsh dhe e cila pret thjesht nënshkrimin, ishte vendosur edhe tarifa 100% dhe mëtohej të vendosej reciprociteti.

Mbajtja e tarifës 100% rrezikoi seriozisht raportet e Kosovës me ShBA-të. Madje, deri në atë pikë sa dy senatorë republikanë të kërkonin tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova – duke e vënë në rrezik serioz sigurinë e vendit tonë.

Por, e gjithë kjo doli se ishte një mashtrim.

Qytetarët e Kosovës duhet ta pyesin veten se ku çon rruga spekuluese e z.Kurti? A duhet të japë përgjegjësi për mashtrimin e tij? Qytetarët duhet të pyesin se ku do të ishin po të mos pranohej Pakoja e Ahtisaarit që çoi drejt shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008? Qytetarët duhet të pyesin edhe se ku do të ishin nëse do të dëgjohej mendimi i tij e të mos nënshkruhej Marrëveshja e Rambouillet-së?

Përgjigjja është e qartë për secilin prej nesh.

Shpërndaje në: