Gratë në familjet kosovare po e durojnë dhunën

Gratë në familjet kosovare po e durojnë dhunën

Për vitin e tretë më radhë, Rrjeti i Grave të Kosovës ka organizuar ekspozitën ‘Dhuna nuk fshihet brenda mureve’. Këtë herë ekspozita është hapur në Hekurudhë të Fushë Kosovës, në të cilën u adresuan çështjet kryesore për dukurinë e dhunës në shoqërinë kosovare.

Dhuna në shumë familje kosovare është përditshmëri tejet e hidhur. Mjerisht, në shoqërinë tonë personat që përjetojnë dhunë në familje akoma fshihen brenda mureve të shtëpisë.

Për këtë, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka bërë hapjen e ekspozitës “Dhuna nuk fshihet brenda mureve”.

Besarta Breznica, koordinatore e projektit, tha se dukuria e dhunës në familje vazhdon të jetë shqetësuese.

“Kjo ekspozitë ka për qëllim të ngrisë vetëdijen e qytetarëve të Republikës së Kosovës në lidhje me dhunën në familje dhe për t’i njoftuar ata për së afërmi me përgjegjësitë që institucione të ndryshme qeveritare dhe jo-qeveritare kanë ndaj tyre, për mbrojtje nga dhuna në familje”, tha Besarta Breznica, koordinatore e projektit.

Ajo po ashtu tha se ka shumë raste të dhunës të cilat nuk po raportohen.

“Vetëm gjatë vitit 2021 ka më shumë se 2 mijë raste të dhunës ndaj grave të raportuara në policinë e Kosovës. Në besojmë qe ka më shumë raste të tilla të cilat nuk janë raportuar. Fatkeqësisht ende gra  tek ne e durojnë dhunën”, u shpreh Besarta Breznica

Breznica ka inkurajuar qytetarët të raportojnë dhunën dhe institucionet përgjegjëse të punojnë më shumë në këtë çështje./rtk

Shpërndaje në: