Gratë në Kosovë preferojnë të lindin me operacion
Brenda sallës së lindjeve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si një nga maternitetet më të mëdha në Kosovë, nuk ndodh kurrë që brenda një ore të mos lindë një fëmijë.
Sado që kjo duket jo gjithherë e zakonshme për prindërit dhe familjet që u vijnë fëmijë në jetë, procesi i lindjeve është edhe një rutinë për stafin gjinekologjik të QKUK-së.
Në sallën e lindjeve në QKUK, stafi i mesëm tashmë kryesisht janë me fakultet të mbaruar. Nëpër duart e këtyre mamive që bashkë me mjekët asistojnë në lindje kalojnë me qindra lindje brenda një viti.
Një mami del në korridor dhe ia jep lajmin e mirë një bashkëshorti që qëndronte në stres derisa ishte në pritje të merrte lajmin se gjithçka përfundoi mirë dhe se bashkëshortja e tij lindi beben e gjinisë femër. “U kry. Mirë janë edhe beba edhe gruaja. Beba ngjan shumë me ty…”, i thotë në të qeshur kjo mami burrit shtatmesëm nga Prishtina. Ajo i rekomandon të qëndrojë aty pasi pas një kohe do ta nxirrnin gruan dhe beben nga salla për ta dërguar në dhomat e lehonave. “Atëherë e sheh edhe vajzën…”, shprehet infermierja.



