Grekët kthejnë shqiptarët në kufi dhe u vendosin kryqe në pasaporta

Grekët kthejnë shqiptarët në kufi dhe u vendosin kryqe në pasaporta

Gazetarja e Ora News Entiola Bundo informon se të kthyerve u janë kërkuar shuma të konsiderueshme parash ose garanci, ndërsa janë lejuar të kalojnë vetëm ata që kanë dokumente të rregullta (pra ata që kanë nënshtetësi greke).

“Shumë prej të kthyerve thonë se u kanë vendosur kryq në pasaporta” informon gazetarja e Ora News.

Një fakt i tillë është pranuar edhe nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Ministria e Brendshme informon për një takim të zhvilluar sot në Tiranë mes zotit Tahiri dhe drejtorit të Policisë greke, Konstantinos Tsouvalas.

Ministria informon: “Ministri i Punëve të Brendshme i bëri me dije z. Tsouvalas se ka vërejtur me shqetësim rritjen e numrit të shtetasve shqiptarë të kthyer në kufirin me Greqinë. Tahiri kërkoi nga pala greke të respektohet lëvizja e lirë e shtetasve në zonën “Shengen” dhe të mos kthehen shtetas shqiptarë në kufi pa shkaqe ligjore e të motivuara mirë”.

Një burim nga policia kufitare e Kakavijës i konfirmoi gazetares së Ora News se kthimet kanë disa ditë që kanë nisur, madje në ditët e kaluara ka pasur më shumë kthime në numër.

Forcimi i masave dhe kthimet përkojnë me rritjen e tensioneve mes Shqipërisë e Greqisë pas prishjes së disa godinave në Himarë të cilat ngjallën dhe reagimin e Athinës zyrtare. Mes dy shteteve ka pasur shkëmbim replikash. E fundit ajo e ministrit të Jashtëm grek Kotzias, i cili deklaroi se faktet historike mbeten të tilla dhe se palët duhet të jenë seriozë.

Shpërndaje në: