Gripi sezonal, për një muaj, 6 mijë pacientë në repartin e Pediatrisë në QKMF në Prishtinë
Ky fluks që ka marrë gati përmasat e një epidemie nga gripi, sipas Komunës së Prishtinës, povështirëson shumë qasjen dhe kryerjen e shërbimeve të shpejta nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare, por edhe punën e personelit shëndetësor nëpër këto Qendra.
“Pavarësisht përkushtimit të jashtëzakonshëm të stafit, është shumë e vështirë që të përballet me qindra qytetarë nëpër çdo Qendër gjatë ditës”, thuhet në njoftim.
Po sipas njoftimit, vetëm në repartin e Pediatrisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, muajin e fundit ka pasur rreth 6000 pacientë.
“Në Qendrën e Mjekësisë Familjare Nr.5 gjatë një muaji ka pasur mbi 600 dhënie infuzionesh dhe mbi 2500 injeksione në mënyrë që në asnjë moment pacientët të mos referohen dhe maltretohen në qendra tjera. Kjo situatë është e njëjtë edhe në Qendrat e tjera të Mjekësisë Familjare. Duke pasur parasysh edhe numrin e pamjaftueshëm të personelit shëndetësor dhe fluksin edhe nga pacientë nga Komunat tjera, kjo po e shton akoma më shumë këtë problem. Andaj, kërkojmë mirëkuptimin dhe konsideratën tuaj për stafin shëndetësor, i cili është duke dhënë maksimumin, derisa të kalojë kjo periudhë e vështirë për të gjithë ne”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.



