Hahn kritikon Serbinë: Kështu s’mund të udhëtoni drejt BE’së

Hahn kritikon Serbinë: Kështu s’mund të udhëtoni drejt BE’së

Ish-komisionari për zgjerim dhe fqinjësi i Komisionit Evropian, Johannes Hahn, përsëriti kritikën e shpeshtë të Bashkimit Evropian rreth lirisë së shtypit në Serbi, gjatë mbledhjes së forumit të organizuar nga BE-ja në Podgoricë të Malit të Zi

Hahn që tani ka tjetër post në udhëheqësinë e re të BE-së që nis punën më 1 nëntor të këtij viti, u paraqit përmes lidhjes video në konferencën “Ditët e Medias BE – Ballkani Perëndimor” dhe porositi se mesazhi i Bashkimit Evropian është i qartë se duhet përparim.

“Mesazhi i BE-së është shumë i qartë, nuk ka përparim në drejtim të proceseve të integrimit evropian pa lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes”.

Johannes Hahn shprehu keqardhje që nuk mund të jetë pjesëmarrës në debat për shkak të angazhimeve të tij në detyrën e re të caktuar në Komisionin Evropian.

Hahn që udhëhoqi komisionin për zgjerim të BE-së për pesë vitet e fundit ishte i zëshëm me kritikat ndaj pushtetit të Serbisë rreth lirisë së mediave në Serbi, që ishte edhe njëra prej kritikave kryesore të Raportit të Progresit të dorëzuar në muajin maj nga BE-ja për Serbinë.

Johannes Hahn tani do të udhëheqë Komisionin e Buxhetit dhe Administratës në BE prej 1 nëntorit.

Forumi BE – Ballkani Perëndimor “Ditët e Medias – BE” mbahet këtë vit në Podgoricë dhe organizohet nga Komisioni Evropian. Ky forum do të zgjasë nga 11 shtatori deri më 13 shtator.

Shpërndaje në: