Halil Kastrati zëvendëson Albin Kurtin

Halil Kastrati zëvendëson Albin Kurtin

Një qytetar nga Vushtrria bëri bujë dje pasi e kishte shitur viçin e tij në mënyrë që ta varroste nënën e vdekur. Atij i vyente shlyerja e borxhit nga BIK-u në mënyrë që ta merrte shërbimin si mysliman.

Por, pse kjo është çështje e bujshme? Që ka varfëri, e dimë. Ama duket se refuzojmë ta kuptojmë estetikën dhe brutalitetin e saj. Ky rast i marrë veç si tingull i papërpunuar përtej gjykimeve të gatshme mekanike të mendjeve tona thërret dy nocione që ngucin shqisat, shëmtinë dhe banalitetin. Më tej, thellohet në një këmbim pazari të pamendueshëm “viç-nënë”. Siç thotë Luce Irigaray, nëna është mall veç i konsumueshëm për dallim nga gruaja që është e këmbyeshme dhe nga prostituta që është të dyja njëherësh, e këmbyeshme dhe e konsumueshme. Pra, rasti në fjalë po e degdis nënën në mënyrë të tërthortë (si të vdekur) në rolin e prostitutës dhe kafshëve shtëpiake (që i kanë të dyja llojet e përdorimit). Ky rast e zbulon varfërinë cullak: si një shpurdhuese që prish rehatinë me vlerat ekzistuese.

Përtej estetikës së papranueshme të një këmbimi të tillë ekziston edhe një naivitet në mënyrën se si e mendojmë BIK-un dhe hoxhallarët në përgjithësi: atyre iu parakuptohet një pozicion ekstra-kapitalist e shpirtëror. Rezistohet kuptimi se Allahu mund të ndihmojë veç në tjetrën dynja, që dmth shërbimet e BIK-ut duhen paguar në mënyrë që institucioni në fjalë të qëndrojë në këmbë.

Dhe, e çuditshmja është se për ta thyer këtë rezistencë-mendimi që e sheh BIK-un si një agjenci joekonomike por shpirtërore, këtij të fundit po i duhet një kushtëzim mizor para besimtarëve të saj pasivë: paguani ose nuk shërbejmë në varrim. Sidoqoftë, edhe pse një masë e tillë mund të duket e ashpër dhe e pamoralshme, në të vërtetë nuk është. Punë ekzistence. I ashpër dhe i pamoralshëm është karakteri pasiv i besimtarëve, apo në përgjithësi, papërcaktueshmëria e besimit, vlerave dhe bindjeve të tyre. Kjo e pamundëson kohezionin social dhe çon në dekadencë të pashmangshme. Nga një milion e shtatëqind mijë vetë, mbaj përshtypjen që s’mund t’i gjesh as pesëqind sosh që besojnë përnjëmend e aktivisht në diçka. Kjo e bën secilin individ brenda kësaj kopeje, hipokrit muti. Gjë që evidentohet nga mungesa e praktikave të ndryshme joreligjioze. Nga mungesa e varrezave ateiste. Etj.

Por, përtej kësaj shkundjeje morale dhe fëlliqjes së estetikës, ky tregim varfërie zbulon edhe marrëdhënien shoqërore me atë gjendje. Ngushtësia e reagimit tregon për refuzimin e problemit. Qoftë vetë fajësimi i BIK-ut apo i shtetit, nuk mjafton. Për më tepër autori i një shkrimi, apo i një statusi në Facebook apo edhe i një llafi në kafene e ka të domosdoshme ta nënkuptojë një farë largësie me varfanjakun, e ka të domosdoshme që ta thotë pa fjalë: Unë nuk jam i varfër! Idealistët e barazisë e shihnin varfërinë si virtyt. Përfshirë këtu edhe banalitetin dhe shëmtinë e saj. Ne këtu kemi plot aktivistë për barazi ama pak imagjinatë për varfërinë. Njerëzit s’duan të kenë asgjë me të, mbase të mbytur edhe nga dëshirat e pangopshme konsumeriste. Dhe, siç u evidentua nga një raport i Komisionit Evropian, në shoqërinë shqiptare varfanjakët këqyreshin më me përbuzje se gjithkund tjetër në Evropë. Kjo përbuzje ndaj të varfërit përcillet nga një servilitet ndaj pasanikut. Edhe kjo rrjedhojë e besimit pasiv që mundëson hapësirë të madhe manovrimi.

Ndërkohë, koqe-luajtjen me varfanjakët s’e bëjnë veç njerëz Facebook-u apo parti të deklaruara të majta për shkak të trendit dhe që s’e kanë as një trohë lidhje me ta në terren, por edhe bamirësit gjithnjë në rritje. Pa pikën e marres e reklamojnë të bëmën e tyre, duke i qitë me fytyrë në kamera varfanjakët të cilëve iu ndihmojnë. Palla nuk i han Halil Kastratit që një fëmijë që shfaqet në kamerën e tij, mund të ngucet keq të nesërmen në shkollë apo rrugë nga shokët e shoqet. Ekzistenca e këtyre njerëzve për bamirësit vlen veç deri në momentin kur iu japin çelësat e një shtëpie të re. Mbase paramendohet fjalia e fundit e trilleve romantike: “dhe pastaj, jetuan të lumtur përgjithnjë!”

Rritja e bamirësisë shkon bashkë me mungesën e një vizioni ekonomik për vendin. E një vizioni që do t’ju jepte njerëzve mundësinë që të dalin vetë nga varfëria, që të akumulojnë vetë kapital, dhe që ta vrasin bamirësin si një rol social. Duke qenë se e ka margjinalizuar programin e tij ekonomik i joshur nga pushteti që i japin fjalët nacionaliste, Albin Kurti, po ashtu e tregtoi në imazhin e tij edhe atë të bamirësit që përmenda më lart. U takua me të, dhe bëri fotografi.

Po e përsëris, nuk shoh asgjë të keqe në shitjen e një viçi apo të një cope tjetër kapitali për të paguar varrimin e një të afërmi. Por, më duket se reagimi publik tashmë e ka cilësuar si të turpshëm dhe e ka normuar si të palejueshëm një veprim të tillë. Një veprim legjitim që manovron me kapitalin vetjak. Fundja, nëse s’i ke paratë, diçka duhet të shesësh.

Shpërndaje në: