Haliti: Bashkimi i Luginës me Kosovën, dëshirë e të gjithëve

Haliti: Bashkimi i Luginës me Kosovën, dëshirë e të gjithëve

Duke folur rreth idesë për ndryshim të kufijve mes Kosovës e Serbisë nënkryetari i PDK-së, si dhe njëherësh nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti për “Zërin” ka thënë se skenarët e tillë nuk janë në frymën e politikës së Bashkimit Evropian. Mirëpo sipas tij, nëse palët dialoguese vendosin për cilëndo marrëveshje, atëherë BE-ja nuk do të ndërhyjë.

“Nëse bëjmë një analizë politike dhe i shohim qëndrimet tç cilat i ka Bashkimi Evropian se cili është vizioni evropian, pra dihet se cili është – mosndryshimi i kufijve. Ky është vizioni evropian i proklamuar me kohë dhe i cili qëndron edhe sot. Palët mes vete mund të merren vesh, por besoj se BE-ja nuk ndërhyn nëse palët kanë rënë dakord që të arrijnë një marrëveshje mes vete, por unë mendoj se ne duhet të veprojmë në përputhje me vizionin evropian dhe ky është mendimi im dhe duhet të jetë si qëndrim edhe i politikës së Kosovës”, ka thënë Haliti.

Kurse idenë e presidentit Thaçi për bashkimin e Luginës me Kosovën Haliti e ka mbështetur, porse ka shtuar se për një gjë të tillë Kuvendi i Kosovës ende nuk ka votuar.

“Kjo është një kauzë, të cilën e ka shprehur z. Thaçi edhe më herët dhe këtë kauzë ai po e mbron. Diçka të tillë zyrtarisht nuk kemi kaluar në Parlament që do të mundë të konsiderohej si politikë shtetërore. As në parti nuk kemi vendosur a e mbështesim ose jo këtë ide, prandaj unë si individ nuk kam se çfarë të them më shumë përveçqë kauza për diçka të tillë është një dëshirë jo veç e Thaçit, por e të gjithëve, sepse jemi rritur edhe politikisht me idenë e bashkimit”, ka theksuar ndër të tjera Haliti.

Shpërndaje në: