Haliti thotë se Kurti duhet t’i rezistojë Zajednicës: S’e dimë çka folën me Vuçiqin brenda mureve

Haliti thotë se Kurti duhet t’i rezistojë Zajednicës: S’e dimë çka folën me Vuçiqin brenda mureve

Takimi i tretë me radhë u mbajt dje mes Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiq në Bruksel, me rezultat: pa marrëveshje. Përderisa udhëheqësi i bisedimeve, Joseph Borrell u shpreh paksa pesimist që përkundër përpjekjeve s’pati ndonjë progres as dje, pala kosovare e serbe vendosën të mos flasin fare. Madje as deri tash nuk kanë folur. Xhavit Haliti, deputet dhe anëtar i komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka thënë për Periskopin se nuk dihet çka ka ndodhur brenda mureve, por që nuk do kishte marrëveshje, pritej…

Thirrjet e BE’së, Amerikës e vendeve të QUINT’it, e as presioni i tyre nuk kreu punë që nga takimi maratonik i djeshëm të dalë diçka, qoftë edhe e pjesshme.  Pak para bisedimeve, madje edhe kancelari gjerman e presidenti francez i kishin telefonuar Kurtin e Vuçiqin.

Deputet Xhavit Haliti për Periskopin  tha se e dinte ende pa shkuar se do s’do kishte marrëveshje.

‘’Akoma pa shku ata jam deklaruar që të dy po shkojnë për të mos arritur asnjë marrëveshje. Megjithatë, ne nuk e dijmë se çka ka ndod’, si është ose çka është biseduar brenda mureve. Cilat janë arsyet pse s’ka marrëveshje por unë jam ithtar i asaj që të këtë bisedimet dhe të arrihet një marrëvëshje e përbashkët, për të tëjkaluar problemet që janë mes dy vendeve tona dhe për të gjetë zgjidhje për të pranuar njëri-tjetrin dhe ecë përpara drejt integrimit për në BE.’’, tha Haliti.

Tutje ai mendon se rezistenca në bisedime duhet të jetë tek çështjet, vijat e kuqe të së cilave i ka përcaktuar Kushtetuesja. Pra fjalën e ka për Asociacionin.

‘’Nuk e di pse Kurti nuk doli ende me asnjë deklaratë por vet fakti që është lënë që të takohen prap dhe të bisedohet është i mirëpritur nga opinioni dhe vet ndërmjetësuesit. Në bisedime shkohet për t’u marrë vesh. Interesi i Kosovës dhe ato maksimaliste janë të parealizueshme por ato që i përkasin marrëveshjeve që nuk duhet të shkelin në vijat e kuqe që i ka përcaktu Gjykata Kushtetuese, duhet me rezistu maksimalisht ‘’, shtoi tutje Haliti.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se nuk është arritur marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e targave dhe të dokumenteve, por sipas tij, palët janë pajtuar të vazhdojnë diskutimet. Borrell ka thënë se ky nuk është përfundimi, meqë ka ende kohë deri më 1 shtator, duke shtuar se Bashkimi Evropian nuk dorëzohet në këtë proces.

“Çështjet aktuale janë më të rëndësishmet në rendin e ditës, kemi qenë dëshmitar të këtyre tensioneve sa i përket tabelave të regjistrimit dhe të dokumenteve të hyrje daljes për qytetarët midis Kosovës dhe Serbisë, bashkësia ndërkombëtare nuk dëshiron të shoh ringjallje të tensioneve në periudhën vijuese dhe palët do të kenë përgjegjësi të plotë për çfarëdo lloj përshkallëzimi në terren. Fatkeqësisht nuk kemi arritur në takimin sot, por kjo nuk është përfundimi i këtij tregimi, të dy liderët janë pajtuar që procesi duhet të vazhdojë dhe që diskutimet do të rifillojnë në ditët në vijim, pra ka ende kohë deri më 1 shtator. Unë nuk do të dorëzohem. Nuk ka marrëveshje ditën e sotme por nuk do të ndalemi, nuk do të dorëzohemi, ne duhet të vazhdojmë diskutimin, dhe të vazhdojmë diskutimin, ky diskutim do të vazhdojë, në përmbyllje të takimit u bëra të qartë të dy liderëve që anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet të mbetet synimi përfundimtar për të cilin të dy liderët janë zotuar dhe gjithsesi duhet të gjejnë një mënyrë për të avancuar tutje në këtë rrugëtim dhe hapi i parë në këtë rrugë është që të kërkojnë zgjidhje për situatën aktuale”, ka thënë Borrell.

Borrell ka thënë se nuk është momenti për rritje të tensioneve por për të kërkuar zgjidhje afatgjate për problemet.

“Besoj që presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti, të dy e kanë kuptuar që nuk ka ndonjë alternativë ndaj dialogut në kuptimin e zgjidhjes së këtij problemi, sigurisht që ka dallime të mirënjohura midis tyre sa i përket këndvështrimit të tyre se cili do të jetë statusi përfundimtar i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë apo si do të duhej të ishin ato, por janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet në baza të rregullta në periudhën vijuese për ta përshpejtuar procesin e normalizimit, pra për të shkuar me shpejtë në këtë rrugë dhe këtë e do ta kem në majën e agjendës sime, bashkë me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajcak”, ka thënë ai./PERISKOPI/

Shpërndaje në: