Hamza: Ekonomia do të jetë prioritet në programin tim

Periskopi.com Lajme

Ekonomia listohet si prioritet i parë në programin e kandidatit të PDK-së për kryetar të Mitrovicës Bedri Hamza.

Hamza në Rubikon të Klan Kosovës tha se nëse e fiton garën për Mitrovicën do të angazhohet maksimalisht në krijimin e vendeve të reja të punës.

“Vetvetiu imponohet si temë ekonomia dhe punësimi, dihet që është një numër i madh i njerëzve pa punë, posaçërisht i vajzave dhe djemve të rinj dhe ne do ta bëjmë maksimumin qe të krijojmë kushte dhe të krijojmë ambient që te vijnë bizneset private të investojnë në Mitrovicë, të jenë të mirëpritura në Mitrovicë edhe bizneset e Mitrovicës, pasi bizneset e Mitrovicës përveç që punësojnë ato dhe fitimet që realizojnë realisht i shpenzojnë në Mitrovicë, sepse ata furnizohen në Mitrovicë, investojnë në Mitrovicë”.

Hamza tutje tha se lehtësimi i procedurave administrative e burokratike e lehtëson të bërit biznes.

“Janë të mirëpritura edhe të gjitha firmat nga Kosova dhe përtej Kosovës dhe qëllimi është që të hapen sa më shumë vende të punës dhe për ketë duhet të punohet tepër dhe në shkurtimin e procedurave administrative, burokratike, rregullimi i infrastrukturës. Po flas tash për qytetarët e Mitrovicës në parkun e bizneseve, aty operojnë disa biznese, për fat te keq ata që nga viti 2016 nuk kanë kontrata, ju kanë skaduar kontratat, biznesi do parashikueshmëri, do siguri, ata kanë nevojë për kontrata afatgjate dhe përtej kësaj ajo parcelë nuk është e parcializume dhe nuk mund të përdoret si hipotekë, ndërsa ka raste kur në komunat e tjera mund ta përdorin”, tha ai.

Hamza shtoi se zona e lirë ekonomike ka nevojë për investim të përbashkët të nivelit qendror dhe atij lokal.

“Zona e lirë ekonomike ka nevojë për investime, besoj se do te jetë një investim i përbashkët i nivelit qendror dhe atij lokal, aty nuk mund të investohet në një vend kur biznesi nuk ka infrastrukturë rrugore, nuk ka ujë, nuk ka ndriçim, nuk ka siguri dhe duhet të vijnë dhe të vendosen në Mitrovicë edhe bizneset nga Mitrovica dhe bizneset jashtë Mitrovicës me qëllim që të krijohen vende të lira të punës për gjeneratat e reja”, tha Hamza.