Hapja e Ambasadës në Jerusalem: A po vjen Lista Turska?

Hapja e Ambasadës në Jerusalem: A po vjen Lista Turska?

Janë dy deputetë me peshë elektorale 0,74 për qind [as 1 për qind] të votave të një komuniteti me jo më shumë se 20 mijë pjesëtarë – e të cilët kanë marrë përsipër të shantazhojnë institucionet e vendit. Jo për shkeljet që teorikisht mund t’i kishin bërë institucionet karshi të drejtave të tyre, por për politika globale, për llogari të një qeverie e cila është nja 2 mijë kilometra larg nesh. Qeveria e Erdoganit ka shprehur indinjatën dhe pakënaqësinë e thellë për lidhjen e miqësisë diplomatike mes Izraelit dhe Kosovës. I ka quajtur hapa të “pamençur dhe të pamenduar” që duhet korrigjuar shpejt dhe që deputetët në fjalë e kanë marrë përsipër ta komunikojnë me kërcënim. Turqia është një nga shtetet e para me shumicë myslimane që ka pranuar shtetësinë e Izraelit, ka shkëmbime miliardëshe tregtare dhe ushtarake në baza vjetore… kjo gjatë gjithë kohës derisa palestinezët shtypen.

Por, kjo është temë për Turqinë dhe lidhjet e saj me Izraelin!

Kushtetuta jonë ka rezervuar [me apo pa të drejtë] vende në Kuvend për përfaqësuesit e minoritetit turk [krahas shumë e shumë tjerëve] me qëllim që ata të punojnë për ruajtjen e identitetit të tyre gjuhësor, kulturor e njerëzor.

Nëse një deputet i minoritetit turk në Kosovë ka tema ankese për gjendjen e tyre të garantuar me kushtetute, mirë se vijnë në debat. Por, ku dallon sot deputeti minoritar turk prej atij të Listës Srpska, kur deputetët nuk merren me njerëzit e tyre, të drejtat e tyre në Kosovë por me replikimin e qëndrimeve paternaliste [në rastin e Ankarasë] e imperialiste [në rastin e Beogradit]?

Që Lista Srpska është legate e drejtpërdrejtë e Beogradit është e qartë, por a po shndërrohet edhe partia turke në Lista Turske që nuk merret më me bashkëjetesën e atyre pak turqve me shtetin dhe popullin shumicë por me direktivat e Ankarasë dhe ambasadës së tyre në Prishtinë?

Turqia si shteti i parë mysliman ka njohur pavarësinë e Izraelit në vitin 1949, në kohën kur të gjitha shtetet tjera myslimane kanë konsideruar veten në gjendje lufte me shtetin e ri hebre dhe shumë prej tyre kanë luftuar disa herë – pa sukses – për ta zhbërë si shtet! Turqia asnjë herë nuk ka marrë pjesë në këto luftëra e as nuk i ka përkrahur! Turqia kurrë nuk e ka tërhequr njohjen e shtetit hebre e as kërkuar diçka të tillë!

Përfaqësuesit e minoritetit turk nuk duhet që të marrin politikat e momentit për të sfiduar institucionet e shtetit në të cilin jetojnë dhe i cili iu mundëson të bëhen deputetë e ministra për llogari të politikave ditore të një shteti tjetër – por të kontribuojnë në bashkëjetesën të cilën e mundëson kushtetuta dhe populli shumicë në Republikën e Kosovës.

Komuniteti serb në Kosovë, pati filluar deri në vitin 2014 të krijojë parti që ishin të orientuara në jetësimin e të drejtave të tyre në Kosovë, deri sa Lista Srpska me direktivat e Beogradit u bë parti e luftimit të bashkëjetesës dhe shtetit të Kosovës: deri sot partitë turke kanë kontribuar në bashkëjetesë… Uroj që të mos kemi Lista Turska!

Shpërndaje në: