Haradinaj: Jam detyruar mos ta pranoj në vizitë Ministrinë e Drejtësisë sepse duhet ta shënoja si vizitë familjare

Haradinaj: Jam detyruar mos ta pranoj në vizitë Ministrinë e Drejtësisë sepse duhet ta shënoja si vizitë familjare

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka kritikuar Specialen për mënyrën e trajtimit sa i përket vizitave të cilat u bëhen personave që janë në paraburgim në Hagë. Haradinaj ka thënë se vizitën e Avokatit të Popullit të Kosovës e ka shënuar si vizitë familjare, ndërsa ka thënë se është detyruar të mos e pranojë në takim delegacionin e Ministrisë së Drejtësisë për shkak se i ka ardhur si kërkesë për vizitë familjare.

Para Dhomave të specializuara në Hagë, Haradinaj ka thënë se vizitat që i bëhen nga zyrtarët e huaj atje shënohen si zyrtare, ndërsa ato nga Kosova, pavarësisht që mund të jenë nga institucionet e shtetit, quhen familjare

“Vizita e Avokatit të Popullit tim, të shtetit tim që e pata këtu më është hequr koha si vizitë familjare, kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë që është bërë këtu dhe jam i pari që e kam refuzuar dhe nuk jam takuar me ta, më ka ardhur si kërkesë familjare, ndërsa vizita e Avokatit të Popullit tuaj që ka ardhur nga Italia, ajo më ëshytë caktuar zyrtare dhe kjo është një prej barazive që ju e bëni. Derisa avokati i popullit tim, shtetit të Kosovës e që ju po thirreni në emër të Kosovës dhe mua më heqni si familjar avokatin e popullit tim që vjen me më pa mua në burg dhe më detyroni mos ta pranoj Ministrinë e Drejtësisë të shtetit tim dhe i detyroni të më kërkojnë vizitë familjare, unë i kam injoruar, jo i kam injoruar ata si të shtetit tim, po u kam treguar që nuk i vet më kush, dhe këtë jeni duke e bërë edhe sot në vizitat tona. Shpjego ti dhe kupto çfarë force ke marrë, sa avokatin tënd që e ke këtu ma ke pru mua ai më ka ardhur zyrtarisht, avokati i popullit tim, unë është dashur me shkru si familjar dhe më është hequr koha e vizitës për sa kohë ka qëndruar Avokati i Popullit të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Këtë Haradinaj e ka thënë derisa po merret në pyetje nga prokurori në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Hagë.

Shpërndaje në: