Haradinaj nga SHBA: Amerika nuk është vetëm aleati ynë kryesor, por edhe atdhe për mijëra shqiptarë

Haradinaj nga SHBA: Amerika nuk është vetëm aleati ynë kryesor, por edhe atdhe për mijëra shqiptarë

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, po qëndron për një vizitë disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku, sipas zyrës për informim të partisë, do të realizojë një mori takimesh me kongresmenë, anëtarë të administratës Biden dhe takime tjera.

Haradinaj sot ka vizituar Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, nga ku tha se SHBA është edhe atdhe për mijëra shqiptarë.

“Amerika nuk është vetëm aleati ynë kryesor strategjik. Ajo është atdhe për mijëra e mijëra shqiptarë, që në rrethana të ndryshme u larguan nga vendi, e tanimë kanë jetën e tyre në Shtetet e Bashkuara. Pata kënaqësinë të vizitoj sot Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”. Biseduam së afërmi për zhvillimet e përgjithshme politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për rolin e rëndësishëm që ka diaspora, veçanërisht lobi shqiptaro-amerikan”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka theksuar se shqiptaret edhe pse kaluan Atlantikun, asnjëherë nuk u shkëputën nga trungu.

“Ritheksova nevojën e përkrahjes së tyre për Kosovën e sigurt, pjesë të NATO-s, si dhe për ndihmën e nevojshme për zhvillim në shumë fusha, veçanërisht në ekonomi. Ishte fat historik për shqiptarët, që edhe pse bijtë e tyre kaluan Atlantikun, asnjëherë nuk u shkëputën nga trungu, asnjëherë nuk e harruan Atdheun”.

Në vizitë zyrtare në SHBA është duke qëndruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

 

Shpërndaje në: