Haradinaj: Ngritja e aktakuzave nga Specialja po bëhet për t’i arsyetuar fondet

Haradinaj: Ngritja e aktakuzave nga Specialja po bëhet për t’i arsyetuar fondet

Ftesat nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë vazhduar edhe gjatë shkurtit të këtij viti, ndërsa Prokurori i Specializuar e ka njoftuar kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, se ka ndërmend të fillojë procedime penale, si dhe ka bërë kërkesë për caktimin e një gjykatësi të procedurës paraprake në pajtim me Ligjin.

Një gjë e tillë ishte e pritshme sipas avokatit Kushtrim Palushi, ndërsa nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj thotë se ngritja e aktakuzave po bëhet në mënyrë që Gjykata t’i arsyetoj fondet.

Në mesin e mbi 250 të ftuarve për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë, në 24-orët e fundit, dy ish-pjesëtarë të UÇK-së, kanë deklaruar se nuk do t’i përgjigjen kësaj Gjykate, pasi nuk e njohin këtë Gjykatë.

Njoftimi për fillim të ngritjes së aktakuzave sipas avokatit, Kushtrim Palushi ka qenë një lajm i pritur, por që edhe nëse ngritën aktakuza, ai thotë se kalon një periudhë e gjatë kohore derisa të konfirmohet akuza e të gjykohen të akuzuarit.

“Ngritja e aktakuzave nga ana e Zyrës së Prokurorit Special ka qenë një lajm i pritur, vetëm nuk është ditur koha dhe ndaj kujt do të ngriten. Prokurori Special dhe Gjykata Speciale janë krijuar për këtë qëllim, pra që të hetojnë, që të ngrisin dhe konfirmojnë aktakuza dhe të gjykojnë personat e akuzuar për krimet të cilat bien në juridiksionin e këtyre dy institucioneve. Askush nuk duhet të befasohet nga ngritja e aktakuzave, sepse për këtë qëllim janë themeluar këto dy institucione dhe për këtë qëllim janë zhvilluar hetime pothuajse dy vjeçare. Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka deri në 6 muaj kohë që të rishikoj aktakuzën dhe provat që shoqërojnë aktakuzën dhe të merr vendim për konfirmimin e saj pjesërisht apo plotësisht apo të refuzoj aktakuzën”, sqaroi Palushi për Telegrafin.

Palushi tha se në secilën rrethanë, ka garanci të madhe që të akuzuarit të mos përballen fare me aktakuzat e pabazuara mirë.

“Në momentin që konfirmohet aktakuza, pjesërisht apo plotësisht, të dyshuarit zyrtarisht konsiderohen të akuzuar dhe nga ai moment Zyra e Administratorit të Gjykatës Speciale duhet të përkthejë aktakuzën sikurse është konfirmuar nga ana e Gjyqtarit të Procedurës Paraprake së bashku me të gjitha shkresat në gjuhën shqipe apo gjuhë tjetër që e kupton i akuzuari dhe e njëjta duhet t’i dorëzohet të akuzuarit. Pas pranimit të aktakuzës së konfirmuar dhe shkresave përcjellëse, të akuzuarit do të kenë ende mundësi që të kundërshtojnë aktakuzën pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar ku ata do të deklarohen mbi fajësinë. Në çdo rrethanë, ka garanci të mëdha kushtetuese dhe ligjore që të akuzuarit të mos përballen me një aktakuzë të pabazuar mirë”, thotë Palushi.

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj ka thënë për Telegrafin se numri i të ftuarve mund të jetë mbi 250 persona, por që sipas tij në organizatën e tyre janë lajmëruar tani mbi 167 persona, pasi varet nga vullneti i tyre nëse duan të lajmërohen apo jo në organizatë, personat të cilët pranojnë ftesë.

Ndërsa, sipas tij ngritja e aktakuzave nga Prokuroria e Gjykatës Speciale bëhet për të arsyetuar fondet të cilat i kanë marrë Gjykata.

“Ngritja e aktakuzave nuk shkakton kurrfarë paniku. Nuk kemi pse me pas panik se ngritja e aktakuzës nuk do të thotë se je fajtor. Aktakuzat mund të ngritët edhe në bazë të spekulimeve. Ajo është një Gjykatë politike, natyrisht që ata duhet me ngrit aktakuza, sepse duhet me i arsyetu fondet e mëdha që i kanë hëngër. Është e natyrshme që duhet me arsyetu punën e vet, por se si do të përfundoj verdikti i gjyqësorit ajo është diçka tjetër”, tha Haradinaj për Telegrafin.

Edhe avokati Palushi, ka thënë se tash për tash nuk ka vend për panik.

“Deri në momentin që një aktakuzë nuk konfirmohet nga ana e Gjyqtarit të Procedurës Paraprake nuk ka hapësirë për panik tek të dyshuarit e intervistuar sepse deri atëherë të gjithë të dyshuarit kanë ende statusin e të dyshuarit, pra nuk janë të akuzuar ende. Me siguri të gjithë personat e intervistuar kanë filluar përgatitjet për mbrojtje, sepse rikujtojmë që të gjithë ata kanë pasur dhe kanë të drejtë në avokat qoftë sipas zgjedhjes së tyre apo nga avokatët e caktuar nga Administratori dhe Zyra e Mbrojtjes”, thotë Palushi.

Ndërsa, për të nxjerr përfundime nëse ka mundësi që të ketë të dënuar, Palushi tha se duhet të presim derisa të ngritën aktakuzat.

“Deri në momentin që nuk konfirmohet dhe nuk publikohet aktakuza dhe përderisa nuk dimë se për çfarë vepra akuzohen të akuzuarit dhe mbi çfarë prova mbështetet aktakuza, nuk mund të konstatojmë apo konkludojmë se a do të dënohet apo jo dikush. Me rëndësi është që personat e akuzuar të kenë mundësinë e mbrojtjes efektive ligjore pranë Gjykatës Speciale dhe të ju garantohet e drejta në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, ndërsa të gjitha palët, sikurse Prokurori Special ashtu edhe të akuzuarit do të kenë mundësi të ankohen ndaj Aktgjykimeve liruese ose dënuese të shkallës së parë”, sqaron Palushi.

Për numrin e të ftuarve nga Gjykata Speciale nuk ka të dhëna, ndërsa avokati Palushi, thotë se statistikat mund të mos jenë bërë publike me qëllim që të mbrohen hetimet dhe dëshmitarët.

“Deri më tani sipas të dhënave publike të përafërta rezulton se janë intervistuar mbi 200 persona, qoftë në cilësi të të dyshuarit apo dëshmitarit. Ndërkaq, ky numër mund të jetë shumë më i madh për arsye se ne nuk kemi të dhëna mbi numrin e dëshmitarëve apo të dëmtuarve të cilët mund të jenë intervistuar nga viti 2017 e tutje dhe të cilat statistika mund të mos jenë bërë publike për qëllime të mbrojtjes së hetimeve dhe të dëshmitarëve”, u shpreh Palushi.

Në anën tjetër, vetëm gjatë 24 orëve të fundit është njoftuar për tri ftesa që kanë ardhur nga Gjykata Speciale. Janë ftuar Afrim Basha, Faik Zogaj dhe Fatmir Brajshori.

Derisa Afrim Basha nuk ka dhënë ndonjë deklaratë, Faik Zogaj dhe Fatmir Brajshori kanë thënë se nuk do t’i përgjigjen ftesës së kësaj Gjykate.

Të dy ata kanë thënë se nuk e njohin Gjykatën Speciale dhe se nuk do të paraqiten për tu intervistuar.

 

Shpërndaje në: