Haradinaj: Qeveria Kurti të publikojë shpenzimet në sektorin energjetik që nga 1 tetori 2021

Periskopi.com Lajme

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria Kurti që të publikojë të gjitha shpenzimet që janë bërë në sektorin energjetik që nga 1 tetori i vitit të kaluar.

Sipas Haradinajt, është me rëndësi të posaçme që të publikohen edhe emrat e kompanive prej të cilave është blerë rryma dhe metodologjia e kontraktimeve.

Ai ka përmendur edhe fjalimin e kryeministrit Kurti në Kuvend për “bojlerët dhe filterat”, duke thënë se qytetarit të Kosovës kjo nuk i intereson.

“E pakuptueshme mjegulla që kjo qeveri po krijon në raport me rrymën elektrike dhe transaksionet financiare rreth saj. E qartë që me bojlerët, filterat dhe lopatat le të merren ata që duan, por qytetarit të Kosovës kjo nuk i intereson. Duam llogaridhënie për paranë publike”, ka shkruar Haradinaj.

Postimi i tij i plotë:

Qeveria duhet të publikojë të gjitha shpenzimet që janë bërë në sektorin energjetik që nga 1 tetori 2021.

Me këtë nuk nënkuptojmë vetëm ndarjet buxhetore, por tërë energjinë që është blerë nga KESCO/KOSTT (vlera e devijimeve) apo çfarëdo mekanizmi që ka blerë rrymë për Kosovë, si dhe të gjitha kontratat që janë bërë për kthime.

Po ashtu është me rëndësi të posaçme të publikohen emrat e kompanive nga të cilat është blerë rryma dhe metodologjia e kontraktimeve.

E pakuptueshme mjegulla që kjo qeveri po krijon në raport me rrymën elektrike dhe transaksionet financiare rreth saj.

E qartë që me bojlerët, filterat dhe lopatat le të merren ata që duan, por qytetarit të Kosovës kjo nuk i intereson.

Duam llogaridhënie për paranë publike.