Haradinaj: S’kam pasur lidhje në kazinot, AAK-në e kanë akuzuar për fajde e haraç

Haradinaj: S’kam pasur lidhje në kazinot, AAK-në e kanë akuzuar për fajde e haraç

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se partia e tij ka rritje dhe sipas tij, ligji për kazinotë është një nga shkaqet që po i rritet besimi AAK-së.

Në T7, Haradinaj ka folur edhe për spekulimet se ai ka pasur afërsi me pronarë të kazinove.

Në këtë kontekst, Haradinaj ka thënë se një nga arsyet pse AAK-në e kanë vendosur sondazhet e kryera nga kompanitë e huaja me mbi 17 për qind të besimit të qytetarëve është ligji për mbylljen e kazinove.

Kryeministri tregon se partinë e tij e kanë lidhur me fajde e haraç dhe afërsinë me kazinotë, ndërsa ndalimi i tyre, sipas tij, tregoi se nuk është ashtu.

“Një prej çështjeve që na ka rritë është ligji për kazinotë. Për AAK-në ka thënë se keni fajde e haraç. E kanë pa se kjo nuk qëndron. Menduan se do ta kundërshtoja mbylljen e kazinove. I mbyllëm kazinotë”, është shprehur Haradinaj.

“Ishte iniciativë e Parlamentit, unë e kreva me përgjegjësi”, ka shtuar ai.

Kryeministri thotë se i njeh pronarët e kazinove dhe ka miq në këto biznese, por mohon se ndonjëherë ka pasur aksione në ndonjë kazino.

“I njoh biznesmenët e kazinove, por nuk kam pasur as hise, as aksione”, është shprehur ai.

 

Shpërndaje në: