Haradinaj thotë se Serbia po shfrytëzon vrasjen e Ivanoviqit për të ndalur dialogun me Kosovën
Kryeministri Ramush Haradinaj thotë se vrasja e Ivanoviqit është akt kriminal dhe i dënueshëm.
Ai thotë se ‘shfrytëzimi i këtij akti tragjik për qëllime të politikës ditore dhe për të bllokuar proceset është kundër frymës së bashkëpunimit’.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Vrasja e Oliver Ivanoviqit në rrethana të pasqaruara dhe motive të panjohura, është akt kriminal dhe i dënueshëm!
Shfrytëzimi i këtij akti tragjik për qëllime të politikës ditore, madje edhe për të bllokuar proceset që për qëllim kanë normalizimin e marrëdhenieve ndërmjet dy shteteve, është kundër logjikës dhe frymës së bashkëpunimit!
Kosova mbetet e përkushtuar për krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e saj, si dhe e përcaktuar fuqishëm në rrugën e vet euro-atlantike.
Institucionet tona do të bëjnë krejt çka është në dorën e tyre që të zbardhet kjo vrasje, dhe në asnjë situatë nuk do ta pranojnë logjikën e kalkulimit të akteve kriminale për qëllime politike nga kushdoqoftë!



