Haram djersën, mundin, sakrificën: Të gjitha dorëheqjet prekëse të aktivistëve të zhgënjyer të VV-së deri tani

Haram djersën, mundin, sakrificën: Të gjitha dorëheqjet prekëse të aktivistëve të zhgënjyer të VV-së deri tani

Janë bërë pothuajse një vit e pesë muaj që kur Kosova zgjodhi qeverinë e re me kryeministër Albin Kurtin. Një kontribut bukur të madh për fitimin e zgjedhjeve e japin pa dyshim aktivistë të partive, të cilët angazhohen me punë të shumta që kryetari e partia të dalin sa më mirë të jetë e mundur. Me qeverinë Kurti duket se disa aktivistë janë të zhgënjyer me punën që kryetari i tyre, Albin Kurti, po e bën në pushtet, madje ka edhe prej tyre që kanë dhënë dorëheqje nga pozita e aktivistit.

Blerim Saramati, një anëtar për kohë të gjatë i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, ka dhënë dorëheqje nga subjekti politik, për shkak të pakënaqësive që ai i ka renditur nëpërmjet një shkrimi në Facebook.

Ai ka thënë se brengat dhe pakënaqësitë e tij i ka adresuar edhe në strukturat lokale dhe qendrore të partisë, por përpos që s’janë marrë parsysh, Saramati ka thënë se edhe është anatemuar e sulmuar.

“Grupet e caktuara, Kryesia e Qendrës në Prizren dhe Kryesia Qendrore në Prishtinë e kanë “haram” gjithë djersën, mundin, sakrificën dhe aktivitetin tim”, ka shkuar Saramati në letrën e tij të dorëheqjes.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje që nga viti 2007, i cili ishte pjesëmarrës në protestën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike kishte thënë se do ta shqyejë librezën e Vetëvendosjes.

Derisa po protestonte, ai thotë se është shumë i zhgënjyer me kryeministrin Kurti.

“Unë jam aktivist i VV-së prej 2007 i plagosen prej Rumunëve, dhe tash kam me ja gju librezën dhe nuk e kena prit zhgënjimin e tij. Këtu jemi ballafaquar me rumunët dhe me kanë plagosur dhe jam shumë i zhgënjyer prej Albin Kurtit”, tha ai.

Edhe nga publikimi i shpenzimeve të naftës nga deputetët e Kuvendit ka nxitur reagime të shumta. Një nga ata që është dëshpëruar shumë me disa nga emrat që shpenzuan shuma të mëdha për naftë është aktivisti i Vetëvendosjes, Valmir Ajeti.

Ai është shprehur i zhgënjyer që në listën e atyre që mbushën veturat e tyre me para të shtetit janë edhe emra të LVV-së

“Zhgënjyse e demoralizim me pa emra të LVV në atë listë.Astrit, na fal!”, ka shkruar aktivisti i VV-së.

Gjatë ditës së sotme, edhe një aktivist i VV-së në Prizren është është irrituar me vizitën e djeshme të kryeministrit Kurti dhe kryeparlamentarit Konjufca tek biznesi “Abi Çarshia” në Prizren.

Sipas aktivistit të VV-së, pronarët e Abi Çarshisë janë oligarkë dhe ndër vite e kanë monopolizuar ekonominë e Prizrenit dhe janë rritur e zhvilluar duke i shërbyer ish-presidentit Hashim Thaçi, thotë ai.

“Në vend se të vizitohen aktivistët, vizitohet oligarku. Për çfarë? Për ta falënderuar që ka punuar ditë e natë për ta humbur pushtetin Lëvizja?! Për t’i kërkuar falje?! Si t’i kërkojmë falje?!”, shprehet aktivisti Flugaj.

Ai shpreson se kryeministri e kryeparlamentari janë vënë në lajthitje, e kanë përfunduar aksidentalisht në këtë objekt. “Nëse është kështu, atëherë duhet të ketë pasoja për ndërmjetësuesin. Kushdo që i ka vënë në lajthitje, duhet të ketë pasoja”, thotë ai.

“Nuk mund të shtiresh se nuk e ke vizituar këtë objekt. Prandaj, edhe pasojat janë të domosdoshme. Çdo gjë ka pasoja. Edhe fjalët, edhe heshtja. Edhe veprimet, edhe mosveprimet”, përfundon Flugaj.

Këta janë vetëm disa nga aktivistë të cilët janë të zhgënjyer me qeverinë e re të Republikës së Kosovës, përndryshe ka edhe shumë prej tyre që janë zhgënjyer me qeverinë e Kurtit, e cila pavarësisht se gjatë fushatës ka bërë thirrje për ndalimin e nepotizmit, ajo prapë ka vazhduar avazin e qeverive tjera. /Enis Rrustemi – Periskopi/

Shpërndaje në: