Harris pas bisedës me Osmanin: U pajtuam të vazhdojmë forcimin e raportit të rëndësishëm Kosovë-SHBA

Harris pas bisedës me Osmanin: U pajtuam të vazhdojmë forcimin e raportit të rëndësishëm Kosovë-SHBA

Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, ka njoftuar për bisedën telefonike që ka pasur dje me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.

Përmes një postimi në faqen zyrtare, Harris ka thënë se me Osmanin janë pajtuar që të vazhdojnë forcimin e raportit të rëndësishëm SHBA-Kosovë.

“Ishte kënaqësi të flisja me Presidenten Vjosa Osmani dje për t’ia shprehur falënderimet e kombit tonë Kosovës për strehimin e afganëve të ndjeshëm në Kampin Bonsteel. U pajtuam që ta vazhdojmë fuqizimin e raportit të rëndësishëm ShBA – Kosovë”, ka shkruar Harris.

Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një bisedë telefonike me nënpresidenten amerikane, Kamala Harris.

Osmani tha se ka biseduar me nënpresidenten Harris për çështjen e strehimit të qytetarëve afganë, të cilët kanë ikur nga talibanët.

“Nënpresidentja Harris theksoi se SHBA-ja është thellësisht mirënjohëse ndaj Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë dhe gatishmërinë e bujarinë e treguar për mikpritjen e mijëra qytetarëve afganë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Osmanit.

Kosova ka shprehur gatishmërinë që të strehojë përkohësisht rreth 2.000 afganë, të cilët kanë bashkëpunuar me forcat e SHBA-së dhe NATO-s. Deri më tani në Kosovë janë strehuar rreth 500 afganë.

Gjatë kësaj bisede telefonike, po ashtu është diskutuar për çështjen e pandemisë, ku Osmani ka shprehur falënderimin për donacionin prej mbi gjysmë milion doza të vaksinave Pfizer, që SHBA-ja ka nisur të dërgojë në Kosovë.

Shpërndaje në: