Harxhimi i vitit politik

Harxhimi i vitit politik

Shkruan: Blerim Shala

Edhe pse jemi në fillim të muajit maj, apo, nuk kemi mbërri as në fund të gjysmës së parë të këtij viti, duket që politikisht ky vit tashmë është i harxhuar, apo, viti 2025 do të jetë një dymbëdhjetëmuajësh i tranzicionit.

Tashmë ka nisur të përdoren edhe atë porositë e njohura që kemi hyrë në fazën e ngërçit politik, dhe që zgjedhjet  (e reja), janë zgjidhja e vetme për ta tëfilluar këtë lëmshin politik të vendit.

Dikush këtu mund të thotë menjëherë që zaten jemi mësuar me zhvillime të këtij soji, që gjithmonë  (me përjashtim të kësaj radhe, kur zgjedhjet me 9 shkurt u mbajtën si të rregullta, pas katër viteve), kemi pasur zgjedhje të parakohshme parlamentare, prandaj nuk bëhet nami që sërish të shkojmë në qendrat e votimit.

Megjithatë, këtu duhet shtuar dy veçori të cilat kësaj here nuk i shkojnë për shtati këtij ‘instant konkludimi’, të cilin e kemi të gatshëm sa herë nuk kryhen punët për të cilat realisht kanë marrë mandatin deputetët e Kosovës.

Veçoria e parë ka të bëjë me një afat rekord midis dy zgjedhjeve parlamentare.

Edhe pse që nga viti 2008  (kur u bëmë shtet i pavarur), e këndej, kemi pasur pesë herë zgjedhje të parakohshme parlamentare, periudha më e ngushtë kohore midis tyre ka qenë ajo që ka lidhur votimet e vjeshtës së vitit 2019 dhe dimrit të vitit 2021  (një vit e gjysmë).

Nëse kësaj here do të shkojmë në zgjedhje, teksa gjasat e mëdha janë që ato janë të pashmangshme, atëherë, duket që koha midis tyre do të matet me muaj, dhe jo me vite.

Në parim, diçka e tillë nuk sjellë shëndet politik, nëse mund të thuhet ashtu. Madje, mund të bëhet precedent dhe një shembull për rastet e ngjashme kur sërish skena politike e vendit nuk do të jetë në gjendje të prodhojë formulat e marrëveshjes për krijimin e një pushteti qendror stabil dhe të qëndrueshëm.

Pastaj, mund vetëm të hamendësohet se a do të ndryshojë tabloja politike e vendit pas zgjedhjeve të reja, e cila pastaj do t’i shtojë gjasat për vendosjen e pushtetit qendror të Kosovës.

Më në fund dihet që jo më vonë se me 4 mars të vitit të ardhshëm, duhet të zgjedhet Presidenti/ Presidentja e Kosovës, proces ky që kërkon praninë dhe votimin e së paku dy të tretave të deputetëve  (apo të tetëdhjetë prej tyre), në dy rrathët e parë të zgjedhjes, gjë që paralajmëron  (qysh tash), telashe të reja për politikën kosovare nëse në ndërkohë nuk do të krijohet një partneritet domethënës midis subjekteve politike, i cili do të mund të garantojë epilogun pozitiv të kësaj ndërmarrjeje, pa u kërcënuar sërish me shkuarjen në zgjedhjet e reja parlamentare, të tretave brenda një periudhe 14 mujore.

Diçka e tillë do të duhej shmangur gjithsesi, nëse nuk duam ta harxhojmë politikisht edhe vitin 2026.

Veçoria e dytë e kësaj situate në të cilën gjendemi, kërkon një marrje parasysh të zhvillimeve ndërkombëtare në Evropë dhe në Botë, të cilat në masë të madhe vazhdojnë të mos përfillen nga skena politike e Kosovës.

Ta merr mendja që gjithçka është në rregull atje ‘jashtë’, prandaj ne ‘brenda’ nuk kemi pse të shqetësohemi apo të mërzitemi.

Bota merret me punët e saja, ne me punët tona. Kështu disi e kemi bërë ndarjen e punëve, ne dhe Bota.

Natyrisht, ne nuk jemi fare lojtarë në këtë lojën e madhe ndërkombëtare. Nuk na pyet kush. Por edhe ne do t’i vuajmë pasojat, në njërën apo tjetrën mënyrë, nëse ndërlikimeve të rrezikshme që po sillen rreth Tokës, ua shtojmë edhe komplikimet e prodhuara në vend, të cilat vetëm sa do ta dobësojnë ‘imunitetin politik’ të Kosovës, i cili edhe ashtu do të jetë i sfiduar nga këto ngjarje të cilat duket se do të marrin formën e një tronditjeje me pasoja largëvajtëse për Evropën dhe Botën.

Argumente kemi pra të gjithë sa të duash të cilat i shkojnë për shtati vlerësimit që politika kosovare duhet të mbledh mend dhe t’i kryejë si duhet detyrat e veta që kanë të bëjnë, para se të gjithash, me sigurimin e qëndrueshmërisë së brendshme të Kosovës.

Shpërndaje në: