Hasan Preteni: Kam penguar vjedhjen e 98 milionë eurove

Periskopi.com Intervista

Hasan Preteni është drejtori i parë i Agjencisë Kundërkorrupsion të Kosovës. Ai ka drejtuar këtë institucion të pavarur për dy mandate (gjithsej 10 vjet).Tashmë kur është në fund të mandatit të tij në këtë Institucion ( është zgjedhur Isak Havolli), Hasan Preteni ka folur për Botapress, për ditët e para të punës në krye të Agjencisëkundër Korrupsion të Kosovës, për sifdat e dhjetëvjeçarit të tij të përballjes me zyrtarët e shtetit, për parandalimin e korrupsionit dhe për ndikimin e politikës, për raportet me gjyqësorin dhe për shumë çështje të tjera.

Botapress: Z. Preteni, ju e keni “themeluar” Agjencinë Kundërkorrupsionit. Si i kujtoni ditët e para të punës dhe tash kur jeni në ditët e fundit të mandatit tuaj?

H.Preteni:  Me 17.07.2006, me vendimin e Kuvendit u emërova Drejtor i Agjencisë kundër Korrupsionit, i mora 57 vota në krahasim me kundërkandidatin i cili i mori 21 ( 73% e deputeteve votuan pro). Ishte një fillim i mirë dhe një ndjenje e mirë, pa asnjë lobim, pa asnjë përpjekje që të takoj ndonjë nga deputetët, thjesht përgatitja ime e mirë, prezantimi para komisionit për intervistim dhe biografia ime ishin bazë e fuqishme qe deputetët votuan pro. Isha i lumtur edhe për atë se nuk u identifikova me asnjë Parti Politike, e mora shumicën e votave edhe nga pozita edhe nga opozita. Ligjërisht me zgjedhjen e Drejtorit konsiderohej se filloi punën Agjencia kundër Korrupsionit, pa buxhet, pa staf, pa zyra dhe pa asnjë bazë që mund të filloi punën. Te gjitha këto u evituan dhe Agjencia me 12.Shkurt te vitit 2007 e shpalli funksionalitetin e saj, u punësuan 16 zyrtarë, dolëm në objekt të veçantë dhe po këtë ditë ushtruam edhe Kallëzimin e parë Penal. Nga ajo ditë deri me sot, Agjencia ka kaluar nepër shumë sfida. Tani AKK-ja lirisht mund të themi se është „Institucion Model”. Ja arsyet: -e konsoliduar dhe e pa ndikuar, -jo politike, asnjë nga zyrtarët e Agjencisë nuk ka qenë pjesë e strukturave Politike të vendit, -në Agjenci nuk ka familjarizem, unë nuk kamë familjarë dhe asnjë nga zyrtarët nuk është në lidhje familjare me të punësuarit tjerë, -te gjithë te punësuarit janë me përgatitje profesionale universitare, -nuk kemi të punësuar staf teknik ( vozitësa, truproje…) -asnjë nga te punësuarit në AKK nuk është në lidhje familjare me zyrtarë të lartë të institucioneve qendrore, lokale, gjyqesore apo institucioneve të pavarura, -Nuk është  evidentuar asnjë skandal, nuk ka keqpërdorime të detyrës zyrtare, jemi audituar për çdo vit dhe nuk është evidentuar asnjë shkelje materiale, -rezultatet e punës janë në maximumin e kompetencave ligjore, -kemi ushtruar më shumë se 700 kallëzime penale kundër më shumë se 1500 zyrtareve, -i kemi menaxhuar dhe kontrolluar më shumë se 25000 formularë të deklarimit të pasurisë, -përqindja e deklarimit të pasurisë është me e mira në regjion dhe me gjerë,rreth 99% e zyrtarëve e kanë deklaruar pasurinë,

 Botapress: A keni ndonjë evidencë se sa zyrtarë të shtetit janë “akuzuar” nga Ju, përkatësisht Agjencioni të dyshuar për veprimtari korruptive apo për fshehje të pasurisë së tyre?

H.Preteni: Gjatë mandatit tim i kemi trajtuar më shumë se 1100 raste të konfliktit të interesit. Në fushën e prokurimit publik i kemi stopuar shumë aktivitete tenderuese, vlera e tyre është rreth 98 milion, kemi realizuar shumë fushata senzibilizuese, i kemi vizituar disa herë të gjitha komunat dhe shumë institucione qendrore dhe te pavarura, kemi marrë pjesë në të gjitha tryezat e ftuara nga shoqëria civile dhe organizata tjera,

Botapress: Sa keni ndikuar që të parandaloni dukuritë korruptive në Institucione dhe vlerësuar në shifra, sa mund të jetë kjo shifër e përafërt që nuk keni lejuar të përfundojë në xhepat e zyrtarëve të lartë të shtetit

H.Preteni: Gjate gjithë mandatit tim, te gjitha rastet i kam trajtuar njësoj. Ka pasur shumë sfida sidomos në disa raste kur kemi trajtuar raste kundër personave qe i kam njohur qe nga fëmijëria. Nga fillimi e kam bindur veten dhe janë bindur edhe të tjerët se punën qe e bej, nuk e bëj për interesa personale por për interesin e përgjithshëm, thjeshtë e bëj dhe e kam për detyre të kryej punën time e jo  për të ju hakmarrë dikujt ose për të ju shërbyer dikujt. Nuk mund të gjendët asnjë rast për te cilin zyrtaret e mi kanë siguruar prova e që unë nuk e kam proceduar më tutje ndonjë rast për shkak të ndërhyrjeve politike, kjo moto më ka udhëhequr gjatë gjithë kohës.

 Botapress: A vlerësoni se në punën tuaj ka pasur ndërhyrje politike, qoftë te ju gjatë procesit të hetimeve apo edhe në instancat e drejtësisë në Kosovë?

H.Preteni: Në asnjë rast nuk ka pasur ndërhyrje politike në punën tonë, është e vërtetë se brenda 10 viteve kanë qenë disa tentativa ( 2-3) por këto pengesa i kemi eliminuar duke i publikuar rastet.

Në sjelljet e mia kam qenë shumë i kujdesshëm, në asnjë rast nuk jam shoqëruar as për një kafe me asnjë zyrtare jashtë zyrave të institucioneve. Kur nuk krijon raporte „private”me zyrtarët  nuk ke probleme në punë,

Botapress: Keni shprehur akuza ndaj gjyqësorit. A vlerësoni se neglishenca e tyre ka penguar punën tuaj?

H.Preteni: Gjyqesori ka mundur dhe është dashur që të jetë më aktiv. Në fillim kishim probleme me moskomunikim, nuk i kishim informatat kthyese nga prokuroritë mirëpo kjo me kalimin e kohës u evitua, për efikasitetin e tyre mbetet shumë për të dëshiruar edhe pse kohëve të fundit ka progres të dukshëm,

Botapress: Duke qenë në krye të Agjencionit Kundërkorrupsion i keni përkeqësuar raportet me zyrtarët e shtetit. A mendoni të jeni pjesë e ndonjë institucioni meqë përfundon mandati dhe kontrta juaj e punës/

H.Preteni: .Është e vërtetë se shumë zyrtarë janë pozicionuar negativisht ndaj meje. Por unë do vazhdoj jetën time të dinjitetshme, nuk do te kërkoi lëmoshë nga askush. Përvojën e fituar do të shfrytëzoj për tu angazhuar ne disa projekte qe nuk korrespondojnë me “sektorin publik”