Haxhi Avdyli thotë se degët e VV-së nuk ua pranuan kandidatët e tyre për kryetarë komunash

Haxhi Avdyli thotë se degët e VV-së nuk ua pranuan kandidatët e tyre për kryetarë komunash

Bashkëpunimi ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo është në nivelin e duhur, kështu të paktën e vlerëson deputeti Haxhi Avdyli.

Madje, ai thotë se një koalicion më stabil nuk ka pasur në 20 vitet e fundit.

Por, ndryshe duket të jenë gjërat në realitet. Avdyli në një prononcim për Indeksonline, e ka pranuar se degët e Vetëvendosjes nuk ua kanë pranuar kandidaturat për kryetar të komunave.

“Ne nuk kemi pasur dëshire të marrim kandidat për kryetar të komunave që dega e VV-së ka një mendim ndryshe. Ne kemi pasur kandidat për disa komuna të respektuar, por degët e Vetëvendosje në komuna të ndryshme, e jo kryesia e VV-së ka shprehur mendim ndryshe”, ka thënë Avdyli.

Ai ka thënë se nuk kanë dashur të insistojnë më çdo kusht të kenë kandidatët e tyre për kryetar të komunave, për të mos nxitur përçarje, prandaj edhe kanë vazhduar me propozimet e degëve të VV-së.

“Në zgjedhje lokale kemi një numër shumë të madh të kandidatëve për asamble dhe kjo nuk e zbehë aspak fuqinë tonë”, ka shtuar ai.

Avdyli në fund ka thënë se marrëveshja mes Listës Guxo dhe VV-së e arritur para zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit e ka paraparë edhe bashkëpunimin edhe për zgjedhjet lokale.

Kujtojmë se vet Haxhi Avydli kishte thënë se Lista Guxo në koalicion me Vetëvendosjen do t’i ketë 4 deri në 5 kandidat për kryetar të komunave.

Së fundi deputeti Burim Karameta pati kërkuar dorëheqjen e ministrit Arben Vitia, gjë e cila ka nxitur reagime mes dy taborëve.

Shpërndaje në: