Haxhiislami, personi që po e ndryshon perceptimin e japonezëve për Kosovën

Haxhiislami, personi që po e ndryshon perceptimin e japonezëve për Kosovën

Micky Haxhiislami, në një intervistë për Periskopi.com tregon se si ndikoni në marrëdhëniet Kosovë-Japoni mos-emërimi i gjatë i ambasadorit të Kosovës atje, për prodhimet e Kosovës që gjenden në tregun japonez dhe angazhimin e tij për komunitetin shqiptar.

Shpejt i bëhet 14 vite që jeton në Japoni, thotë se në mbarë Japoninë jetojnë diku rreth 55 shqiptarë, ndoshta 40 nga Shqipëria dhe 15 nga Kosova.

Udhëheqësi i kompanisë INTERMEDICO JAPAN CO., LTD., që u hap në vitin 2003, tregon se është e specializuar për të zbuluar, zhvilluar dhe plasuar në treg produktet e reja që mbrojnë dhe rrisin cilësinë e jetës.

Haxhiislami që gjithmonë merr pjesë në organizimet për 28 nëntor në Japoni, këtë vit ishte në Prishtinë.

Ai tregon për Periskopin se si mori pjesë në panairin “Blej Shqip” dhe për cilin produkt e kishte marrë malli

Pjesë nga intervista me të:

Periskopi: Pse këtë vit për 28 nëntor në Kosovë, kur gjithmonë keni organizuar ndonjë ngjarje për këtë datë në Japoni?

Haxhiislami: Nga 12-18 nëntor isha në Gjermani ku me partneret tonë Japonez mora pjesë në panairin më të madh të prodhimeve medicinale që quhet MEDICA, i cili mbahet për çdo vit në Dusseldorf, dhe pas këtij panairi vendosa ta kthej rrugën për Kosovë qe të kaloj pakës kohë me familje dhe miqtë e mi të shumtë. Në ndërkohë pata edhe fat që këtë28 nëntor ta përjetoj në Prishtinë pas një kohe mjaftë të gjatë.

Vizitova panairin “Blej Shqip” më pëlqeu edhe pse mendoj që organizimi ka mundur të jetë më i mirë. T’ju them të drejtën për të gjitha ato produkte më kishte marr malli, por ato ushqimore më bënë më shumë përshtypje, sidomos turshitë.

Periskopi: Cilat produkte nga Kosova ndodhen në tregun japonez?

Haxhiislami: Aq sa unë e di, verërat e Bodrumit të Vjetër nga Rahoveci janë produktet e vetme për momentin që ndodhen në tregun Japonez, edhe pse në sasi mjaftë të vogël. Sidoqoftë ato ndodhen në shitje ‘online’ dhe është mirëpritur mjaft pozitivisht nga çdo individ që ka pas rast ta shijoj.

Periskopi: Kompania që drejtoni është e fokusuar në teknologjinë transdermale, çfarë është qëllimi?

Haxhiixlami: INTERMEDICO JAPAN CO., LTD., e cila është e specializuar në prodhimin dhe shitjen e produkteve inovative medicinale, kozmetike dhe kujdes shëndetësor. Kryesisht jemi të fokusuar në teknologjinë transdermale. Po përpiqemi që të ndërtojmë kulturën e përdorimit të barnave, nga ajo orale në atë përmes lëkurës (transdermale), ashtu që ta mbrojmë shëndetin e njeriut duke eliminuar efektet anësore dhe mbrojt dëmtimin e organeve tretëse/digjistive të përdoruesit.

Periskopi: A do të mund të bëhej një biznes i tillë në Kosovë?

Haxhiislami: Besoj që po, edhe pse fatkeqësisht ende nuk kemi hasur në ndonjë distributor të mirëfilltë që do interesohej të merret me këto produkte dhe ti plasojë ato me sukses në trojet shqiptare e më gjerë. Unë mendoj se arsyeja pas kësaj ngecje është që prodhimet e këtilla nuk sjellin përfitime financiare për një afat të shkurtë kohor, sepse siç e ceka edhe më lartë, këtu përfshihet ndërrimi i kulturës, prandaj do edhe kohë, kurse ne si popull fatkeqësisht çfarëdo biznesi qe nuk sjellë fitime të shpejta, e konsiderojmë si jo-atraktiv.

Periskopi: Përveç tjerash, promovon historinë dhe kulturën shqiptare çdo ditë në “Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and history”, pse kjo faqe?

Haxhiislami: Ideja e krijimit të kësaj faqe erdhi nga një mik i imi i vjetër nga Peja, Merkur Beqiri. Së bashku, me dy miq tjerë, poashtu nga Peja, Mergim Harxhi dhe Jeta Nushi, filluam me postime në tetor të vitit 2011, pra ne katër jemi edhe edhe administratorët e faqes.

Qëllimi primar i kësaj faqe është që përmes fotografive të vjetra të përcjellura me përshkrime të shkurta dhe informacione tjera të ndërlidhura me historinë tonë, të mësojmë sa më shumë për të kaluarën tonë.

Personalisht unë i dedikoj çdo ditë së paku 30 minuta për postime dhe mirëmbajtjen e faqes. Fatëmirësisht tani kemi edhe shumë anëtarë të cilët me postimet dhe komentet e tyre kontribuojnë pa masë për çdo ditë në mbajtjen e kësaj faqe sa më aktive.

Periskopi: Kush mundet aty me postu dhe çka?

Haxhiislami: Në këtë faqe mund të postoj çdo anëtar, mirëpo vetëm fotografi të vjetra me motive shqiptare. Gjithashtu, fotot duhet të jenë të një rezolucioni / kualiteti mundësisht sa më të lartë.

Periskopi: A vërtetohen ato fotografi paraprakisht?

Haxhiislami: Natyrisht që fotot vërtetohen paraprakisht, mirëpo ndodh nganjëherë që përshkrimet në burimet prej nga fotot rrjedhin, mos të jenë të sakta. Mirëpo përmes ndihmës së anëtarëve të shumtë, ne shpesh vijmë tek informatat/identifikimet/verifikimet e sakta.

Periskopi: Nga ata që njeh dhe punon me ta, cili është mendimi i japonezëve për Kosovën?

Haxhiislami: Personalisht njoh një numër mjaft të madh te njerëzve me ndikim në Japoni dhe fatmirësisht shumica e tyre kanë një opinion pozitiv për Kosovën. Mirëpo në përgjithësi ende ka pak njohuri për Kosovën në Japoni, edhe pse pas pavarësisë kjo njohuri është në ngritje e sipër, kryesisht fal aktiviteteve të shoqatës miqësore Japonezo-Kosovare të cilën s’ bashku me bashkëshorten time dhe disa miq tjerë, unë e udhëheqi nga marsi i vitit 2008. Gjithashtu në këtë drejtim luan rol pozitiv edhe hapja e ambasadës së Kosovës në Japoni në prill të vitit 2010, si dhe programet e ndryshme televizive për Kosovën, kryesisht ne lidhje me sportin dhe kulturën, që emitohen në kanalet kryesore televizive Japoneze.

Periskopi: A ka ndikuar në këtë marrëdhënie mos emërimi i gjatë i ambasadorit të Kosovës në Japoni?

Haxhiislami: Marrëdhëniet Kosove-Japoni besoj që janë relativisht të mira, mirëpo besoj se këto marrëdhënie duhen të përforcohen shumë më tepër.

Sa i përket mos emërimit të ambasadorit për një kohë të gjatë, në bazë të asaj qe unë di dhe dëgjoj, kjo ka ndikuar mjaftë negativisht në avancimin e këtyre marrëdhënieve. Mos të harrojmë se ambasada është hapur më shumë se 6 vite më parë, mirëpo ajo ka qenë pa ambasador më shumë se gjysma e kësaj kohe.

Periskopi: Vlerësohet se Japonia është vend i zhvilluar, na i thuaj disa veti të tyre në punë?

Haxhiislami: Vetitë e punës së japonezëve nuk mund të hasen askund tjetër në botë.

Si pikë e parë kanë respekt tepër të madhe për punësuesin, aq sa edhe kur prezantohen në një mënyrë e humbin identitetin e tyre personal, sepse çdo prezantim fillon me emrin e kompanisë ku ata punojnë, si psh ‘Intermedico Japan no Takei-san desu’, qe dmth jam Takei “ dhe i  takoj” Intermedico Japan, e jo jam Takei “dhe punoj për” Intermedico Japan.

Gjithashtu një veti tjetër shumë interesante është se asnjë punëtor nuk e përfundon punën para se ta përfundon atë shefi/mbikëqyrësi/menaxheri, sepse konsiderohet si një veprim shumë i pasjellshëm.

Dhe në fund dua ta ceki që shërbimet ne Japoni janë me të mirat në botë, jashtë imagjinatës njerëzore. Në Japoni i kushtojnë tepër rëndësi dhe kujdes të pafundmë sjelljeve dhe mënyrës se si myshteriu/klienti trajtohet./ Periskopi

 

Micky Haxhiislami 10914865_10152958784595631_8613138971420927260_o 305497_10151294821375631_92888358_n 10155445_10152381125290631_3778889458331301506_n 10624905_10152675879555631_1483814351055741107_n 14484951_10205337560677897_434529659832897353_n

 

 

Shpërndaje në: