Haxhiu kërkon masa ndaj prokurores dhe mbrojtëses së viktimave në rastin e vrasjes së gruas në Llaushë

Periskopi.com Lajme

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj prokurores kujdestare dhe mbrojtëses së viktimave në rastin e gruas në Llaushë që u vra nga burri i saj.

Haxhiu tha se mbrojtësja e viktimave paska kërkuar dërgim me email të lëndës në vend se të shkonte tek viktima sa ishte në polici.

Ajo shtoi se dy gra që është dashur të veprojnë për të mbrojtur jetën e viktimës, asnjëra nuk i ka kryer detyrat, e që sipas kësaj, kërkon që duhet të merren masa urgjente.

“Sipas informatave zyrtare, prokurorja kujdestare ka kërkuar që rasti të kualifikohet si “Dhunë në Familje” por edhe përkundër kësaj kishte kërkuar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt pra që dhunesi të mbetet i lirë! Edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme që të mos ketë tolerancë ndaj rasteve të dhunës në familje pra që dhunuesit të shkojnë prapa grilave, sërish neglizhohen këto raste të ndjeshme.

Ndërsa mbrojtësja e viktimave paska kërkuar dërgim me email të lëndës në vend se të shkonte tek viktima sa ishte në polici.

Dy gra që është dashur të veprojnë për të mbrojtur jetën e tani të ndjerës dhe asnjëra nuk i ka kryer detyrat prandaj duhet të ndërmerren masa urgjentisht!”, shkroi Haxhiu në Faceboook.