Haziri për çmimet e derivateve: Qeveria aleate me të tjerët, e jo me qytetarin, qindra mijëra veta mund të mbesin pa punë

Periskopi.com Lajme

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri në një intervistë të dhënë për Periskopin ka komentuar vendimin e fundit të qeverisë për stabilitetin e çmimeve të derivateve në të gjitha bizneset, ku sipas Hazirit ndërhyrja e qeverisë është e vonshme.

Ai thotë se kjo ndërhyrje është e paefektshme, ku sipas tij ky vendim rrezikon që të lë shumë punëtorë pa punë.

“Qeveria është bërë aleate me të tjerët e jo me qytetarin”

“Kemi rritje të çmimeve edhe në ushqim dhe në çdo segment të jetës sonë. Qeveria ndërhyrjen në derivatet e naftës e ka bërë shumë vonë. Por tregohet e shurdhër ndaj rekomandimeve që opozita, në këtë rast LDK po i jep me kohë, në mënyrë që të parandalohet dëmtimi i mirëqenies së qytetarit e të familjes në Kosovë. Edhe kjo ndërhyrje është e paefektshme sepse tendenca që të ulet për disa centë çmimin e berzës në Kosovë dhe ta kufizojë, rrezikon falimentimin dhe qindra mijëra punëtorë t’i lë papunë. Sidoqoftë, ta shohim se çfarë efekti të vogël do të ketë edhe pse është shumë vonë kjo ndërhyrje sepse qeveria është bërë aleate me të tjerët e jo me qytetarin. Është bërë aleate me ZRRE-në për shtrenjtimin e energjisë, sikurse edhe me konglomerate tjera për të qenë në anën e tyre e jo të qytetarëve.”, ka thënë Haziri në një intervistë të dhënë për Periskopin

Ndërkaq sot Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur se çmimi i derivateve nuk kanë ndryshuar nga dita e djeshme, derisa dizeli do të shitet  1.86 euro për listër, benzina 1.75 dhe gasi 0.78./Periskopi.