Haziri thotë se i hoqën vijat e kuqe për PDK-në pasi ato i kishin vetëm në zgjedhjet e kaluara

Haziri thotë se i hoqën vijat e kuqe për PDK-në pasi ato i kishin vetëm në zgjedhjet e kaluara

Nënkryetari i LDK-së, Lutf Haziri ka thënë se vija e kuqe LDK-ja i kishte vendosur ndaj PDK-së në zgjedhjet e kaluara, respektivisht ndaj Kadri Veselit, pasi që ai ishte kryetar i koalicionit të kaluar qeverisës.

“S’duhet të ketë vija të kuqe, edhe pse ne i kemi vendosur vetë ato si debat i brendshëm dhe kështu ka ndodhur, pra kemi pasur vija të kuqe për PDK-në”, ka thënë Haziri.

Duke komentuar deklaratën e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli i cili e quajtur “qeveri të lodhtë” qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti, tha se është qeverisje e butë.

“Nuk është qeveri e lodhtë, por qeverisje e butë. Qeverisje e butë është kulturë e LDK-së”, ka thënë Haziri.

Duke folur për qeverisjen aktuale, ai tha se është qeverisje që po vazhdon, por la dyshime se kjo qeveri është stabile.

“Nëse dëshirojmë të kalojmë zgjedhjen e presidentit dhe aktakuzat, atëherë Kosova ka nevojë për stabilitet si oksigjeni. Ne e kemi ofruar vetën për stabilitet, nëse nuk dëshirojnë të tjerët, atëherë opsion janë zgjedhjet. Nëse nuk dëshirojnë stabilitet përmes dialogut politik, atëherë opsioni i zgjedhjeve nuk përjashtohet. Presidenti do të zgjidhet pas zgjedhjeve”, ka thënë Haziri.

Për t’iu rikthyer edhe një herë vijave të kuqe, Haziri tha se partia më e izoluar para zgjedhjeve ishte PDK-ja, kurse pas zgjedhjeve të 6 tetorit partia më e izoluar është Vetëvendosje. “Është VV-ja pasi që askush s’dëshiron të hyjë në qeverisje me ta”, ka thënë ai.

Shpërndaje në: