Hekuran Murati fshin postimin në Facebook ku ofendoi veteranët e UÇK-së

Periskopi.com Lajme

Ministri i Financave, Hekuran Murati, u bë pikë sulmi për shkak të një statusi në Facebook më 1 tetor 2016, që si duket tashmë është fshirë.

Murati në atë status tërhiqte një paralele mes veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me mercenarët, ku thoshte se “këta tre muaj luftë të një ushtrie guerile dojnë më na dalë shumë ma shtrenjtë se një ushtri e rregullt”.

Murati asokohe thoshte se po të angazhoheshin në luftën e fundit mercenarë me pagesë 2 mijë euro për tre muaj, ata do të kushtonin veç 120 milionë euro.

“Bile edhe mercenarë me pas angazhu na kish dalë më lirë – 3 muaj ka 2 mijë euro bëjnë 6 mijë euro për kokë – 20 mijë mercenarë (të përgatitun ushtarakisht) kishin me na kushtu veç 120 milionë euro gjithsej. Edhe as faleminderit s’kish pasë nevojë me iu thanë”, pati shkruar Murati.

Por, pas rikthimit të këtij statusi në vëmendje, Murati ka marrë masa duke e fshirë postimin.

Kjo vërehet në llogarinë e tij, pasi në bazë të një fotografie të shpërndarë, postimi për veteranët është bërë më 1 tetor 2016, ndërsa dy postimet mes kësaj date janë “Beep for the sheep” me datë 28 shtator 2016 dhe tjetri që kishte të bëjë me Projektligjin për Trepçën e që mban datën 8 tetor 2016.

Rreth shkrimit të 2016-ës, të postuar në llogarinë e tij në Facebook, ai ende nuk është deklaruar.