Hekuran Murati: Kosova e ka energjinë më të lirë në rajon

Hekuran Murati: Kosova e ka energjinë më të lirë në rajon

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruan Murati, ka thënë se deri tani kanë ndarë 60 milionë euro për subvencionimin energjisë elektrike, nga 90 milionë të zotuara.

Murati, duke dëshmuar të premten para komisionit hetimor për krizën energjetike, tha se Kosova po tejkalon më së liri në rajon krizën energjetike. Megjithatë, paralajmëroi sërish se vendin e pret një dimër i vështirë sa i përket furnizimit stabil me energji elektrike.

“Janë bërë dy alokime. Alokimi i parë ka qenë prej 41 milionë eurove dhe alokimi i dytë është edhe ndarja prej 19 milionë euro. Pastaj prej këtij 19 milionë eurove është bërë shpenzimi, apo ekzekutimi përafërsisht 6 milionë euro nëse nuk gaboj. Pra qeveria deri më tani ka ndarë 60 milionë euro…E gjithë shuma, mbështetja dhe subvencionimi shkon te konsumatorët fundorë. Pasi për shkak të subvencionimit konsumatorët fundorë vazhdojnë ta kenë çmimin energjisë elektrike më të ulëtin në rajon dhe ndoshta në Evropë. Pasi nuk kemi lejuar që për mbi 80 për qind e amvisërive të rritet çmimi i energjisë elektrike sepse kemi subvencionuar dhe kemi ndikuar që mos të rriten tarifat për 80 për qind të amvisërive dhe bizneseve. Marrë parasysh se tashmë kemi një rritje të çmimeve të inflacionit dhe duke ditur se kjo mund të ndikonte edhe në përshkallëzimin e rritjes së inflacionit e kemi pa të arsyeshme të mbështeten gjitha këto kategori”, tha ai.

Para deputetëve, Murati krahasoi çmimin e energjisë elektrike të Kosovës me Shqipërinë, që sipas tij tregon menaxhimin e mirë nga institucionet vendore dhe po ashtu se subvencionimi ka bërë që çmimi për 80 për qind e amvisërive të mos rritet.

“Çdo zotim që ka dhënë Qeveria do të përmbushet dhe duhet t’iu qëndrojmë përballë zotimeve që i kemi. Ndërsa sa i përket asaj se a shkojnë mjetet në vendin e duhur, më lejoni t’iu rikujtoj se nëse e marrin si shembull Shqipërinë si rast konkret, kemi rastin ku është shtuar edhe atje blloku i ri tarifor, njësojë si e kemi bërë ne. Mbi tarifën ose nivelin 800 kilovat orë konsum në muaj ka tarifë tjetër. Por nëse i krahasojmë tarifat në Kosovë, tarifa nën 800 kilovat e ditës kushton 6.75 cent, kurse në Shqipëri diku 8 cent tarifa nën 800 kilovat, kurse mbi 800 kilovat tek ne kushton diku 12 cent, kurse në Shqipëri 36 cent. Nëse e shohim se ku ka shkuar subvencioni i qeverisë mund të shihni në këtë diferencë. Ne për shkak të subvencionimit e kemi çmimin 12 cent edhe në tarifën e lartë mbi 800 kilovat orë”, shtoi ai.

Mirëpo këto të dhëna i kundërshtoi, anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri. Ai paraqiti disa shifra, që sipas tij tregojnë se prej muajit prill në Kosovë s’ka pasur importim të energjisë elektrike.

“Prej prilli e tutje asnjë megavat nuk është importu në Republikën e Kosovës nga furnizuesi që është kompetent për këtë çështje…të dhënat tona jam i bindur se i kemi të sakta, as nga të tjerët dhe as nga KESCO nuk kemi importim të rrymës. Për këtë arsye kemi pasur reduktime në muajin gusht pasi s’ka pasur importim dhe ne s’kemi arritur me mbulu konsumin me prodhimin tonë të brendshëm. Unë pres që ne të dimë me specifiku borxhin e Kosovës të paguar nga taksat tona për këtë periudhë që po e hetojmë. Nuk mundesh me thënë se duhet me marrë komplet vitin, por duhet ndarë”, tha ai.

Kritik u shfaq edhe anëtari i komisionit nga AAK-ja, deputeti Pal Lekaj, i cili tha se ndarja e mjeteve nga qeveria është jo ligjore.

“Ministria e Ekonomisë deri më tani nuk e ka dhënë atë se në çfarë baze ligjore i ka dhënë këto mjete. Nëse ne i alokojmë mjetet tek KESCO dhe ajo deri më tani nuk e ka arsyetu këtë alokim në bazë të faturave, pasi nëse i dëmtojmë prapë qytetarët, atëherë asgjë s’kemi bërë”, theksoi ai.

Në debat u përfshi edhe anëtarja e komisionit nga LVV, Mimoza Kusari-Lila, e cila i kërkoi deputetit Lekaj të lexojë Ligjin për energji elektrike dhe të kuptojë se ndarja e mjeteve ka qenë në përputhje me ligjin.

“Në këtë aspekt atë që ne duhet të bëjmë pyetje është për mjetet e ndara nga qeveria, sa kanë shkuar dhe janë paguar për qytetarët në kompensim të faturave për energji elektrike. Kjo qe sqarim për ju, Ligji për energji elektrike neni 34”, tha ajo.

Mirëpo, deputeti Lekaj, i reagoi Kusari-Lilës, duke e quajtur avokate të ministrit Murati.

“Më falni kolege por nuk është ashtu. Nuk ju kemi thirrë juve në raport, por ministri. Nëse ju ka avokate, okej”, tha ai.

Anëtarët e komisionit shprehën mospajtimet mes veti edhe sa i përket kërkesës ndaj Thesarit të Shtetit për transaksionet e ndarjes së 60 milionë eurove. Për çka i njëjti nuk mori votat e nevojshme në komision.

Shpërndaje në: