Heqja e xhaketës UÇK: Veprimet tjera kontroverse të Shaqirit në raport me shqiptarët

Heqja e xhaketës UÇK: Veprimet tjera kontroverse të Shaqirit në raport me shqiptarët

Xherdan Shaqiri mund të jetë një ndër futbollistët më të mirë me origjinë shqiptare të të gjitha kohërave, por raporti i tij me shqiptarët ka qenë larg së qeni i përkryer.

Pas ndeshjes me Irlandën e Veriut, derisa ai po fliste për mediat zvicerane, një person i hedh supeve një xhaketë ku dukej edhe emblema e UÇK-së.

Shaqiri e hoqi në mënyrë të shëmtuar këtë xhaketë me emblemën që i dha lirinë e më pas edhe pavarësinë shtetit të Kosovës.

Sidoqoftë, edhe të tjera momente kanë ndodhur në karrierën e Shaqirit që e tregojnë si jo-perfekte lidhjen e tij me shqiptarët, e në veçanti me shqiptarët e Kosovës, përcjell Periskopi.

Shaqiri refuzon Shqipërinë, dhe më pas refuzon Kosovën

Edhe pse mund të ketë qenë një zgjedhje krejtësisht profesionale, refuzimi që ai i ka bërë kombëtares së Shqipërisë dhe përfshirja në polemika me përfaqësuesit e futbollit shqiptar ka lënë shije shumë të keqe te të gjithë tifozët e Shaqirit.

Talenti i tij doli në pah, mu në kohën kur Shqipëria po mblidhte shumë futbollistë kosovarë që nuk e kishin ende kombëtaren e tyre.

Edhe pse shumë futbollistë nga diaspora me origjinë nga të gjitha trevat shqiptare i thanë PO kombëtares së Shqipërisë – çka kulmoi në suksesin e pabesueshëm me kualifikimin në Euro2016 – Shaqiri as nuk ia shtroi vetes dilemën për kombëtaren.

Më pas, Shaqiri ka pasur mundësinë të ndërmerrte veprime ligjore për ta përfaqësuar kombëtaren e Kosovës, por sërish nuk bëri asgjë.

Shaqiri pendohet për shqiponjen e tij

Ishte kampionati botëror “Rusia 2018”. Shqiptarët nga e mbarë bota ndiheshin krenarë të kishin në këtë kompeticion madhor që mbahej në Rusi disa futbollistë që flisnin shqip e me të cilët ndihej e përfaqësuar deridiku në mungesë të kombëtareve tona.

Shaqiri i shënoi një gol të bukur Serbisë, një natë vere të 2018-s midis Rusisë, dhe kontribuoi në fitoren e Zvicrës. Ai bëri shqiponjën me duar duke na e rritur krenarinë të gjithë shqiptarëve që po e shihnim ndeshjen. UEFA i dha një gjobë prej disa mijëra eurosh. Edhe pse shqiptarët e dinin se rroga e tij ishte e majme, dhe se ai mund ta paguante fare lehtësisht, ata u mblodhën së bashku dhe kontribuan në këtë fitore.

Por, Shaqiri më pas kishte shprehur pendesën e tij të thellë për veprimin që na bëri të gjithë krenarë dhe u zotua që s’do ta përsëriste.

Golat kundër Shqipërisë

Xherdan Shaqiri i ka shënuar plot dy gola kombëtares së Shqipërisë. Të parin, më 11 shtator 2012 në Lucern në kuadër të Kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2014.

Të dytin, ai e shënoi një vit e një muaj më pas, në stadiumin legjendar Qemal Stafa të Tiranës. Ai kontribuoi me një gol dhe një paraqitje fenomenale në fitoren e rëndësishme të Zvicrës si mysafir ndaj kombëtares tonë.

Kapiten Xhaka

Xherdan Shaqiri ka refuzuar të luajë për kombëtaren e Zvicrës për një kohë, pasi Zvicra e kishte emëruar kapiten Granit Xhakën.

Marrëdhëniet mes lojtarëve me origjinë nga Kosova raportohet të jenë të mira, por megjithatë refuzimi i Shaqirit për të luajtur për Zvicrën la shije shumë të keqe te të gjithë tifozët shqiptarë të kombëtares helvetike.

Pavarësisht pikave kontraverse, Shaqiri ka shprehur vazhdimisht krenarinë e tij me prejardhjen shqiptare. /Periskopi

Shpërndaje në: