Heshtje shurdhuese: A mund ta shohim sot diku, kryeministrin Kurti?

Heshtje shurdhuese: A mund ta shohim sot diku, kryeministrin Kurti?

Kryeministri Albin Kurti është kthyer mbrëmë nga Brukseli, ku pati një takim me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq. Por, tani që ka kaluar gjysma e ditës,  Kurti bashkë më Qeverinë,  janë mjaftuar me vetëm një komunikatë të shkruar dje, që ka tre paragrafë lidhur me takimin e djeshëm – me veç një – pakëz më përmbajtësore.  

Sipas agjendës së ngjarjeve ditore që mediat e kanë çdo mëngjes, sot nuk kemi të paralajmëruar ndonjë ngjarje ku mund ta shohim kryeministrin Kurti dhe potencialisht, të mund t’ia bënim ndonjë pyetje lidhur me takimin e djeshëm në Bruksel.

Qeveria e Kosovës, dje lëshoi vetëm një njoftim, ku pak diçka tregon rreth takimit, në fjalitë si më poshtë:

“Sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhej në këtë njoftim të Qeverisë, shkruan Periskopi.

Gazetarët kosovarë në Bruksel: Kurrë s’e pamë dikë nga delegacioni jonë

Lidhur me mungesën enorme të informacioneve, janë ankuar edhe kolegët tonë gazetarë të cilët kanë përcjellë ngjarjet e dy ditëve të kaluara në Bruksel.

Gazetari i njohur, Xhemajl Rexha, që raportoi gjatë dy ditëve radhazi për kanalin10 nga Brukseli, mbrëmë e dëgjuam teksa ankohej se ai dhe kolegë të tjerë kosovarë, nuk kanë pasur asnjë qasje në delegacionin e Kosovës atje.

‘Strategjia serbe e komunikimit’ – që ra në sy, dje

Derisa Qeveria e Kosovës qëndron e mbyllur hermetikisht për opinionin publik lidhur me takimin në Bruksel, Petar Petkoviqi i Serbisë dje doli para gazetarëve në Bruksel, ku transmetoi mesazhet e Vuçiqit.

Ky i fundit, mbrëmë ka publikuar një video në llogarinë e tij në Instagram, ku përsëriti fjalitë e tij të njohura tashmë, se ‘do t’i drejtohej popullit serb me një fjalim historik”, sapo të shkonte në Serbi dhe se ‘ishte një ditë shumë e vështirë për Serbinë’.

Ndërkaq, ajo që vërejtëm dje në mediat serbe, ishte se – megjithatë – edhe pse media të kontrolluara nga Vuçiqi, dilnin herë pas here disa informacione lidhur me rrjedhën e procesit të dialogut.

Çka dimë, nga ajo që tha Borrell dje në Bruksel?

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se nuk është arritur marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e targave dhe të dokumenteve, por sipas tij, palët janë pajtuar të vazhdojnë diskutimet. Borrell ka thënë se ky nuk është përfundimi, meqë ka ende kohë deri më 1 shtator, duke shtuar se Bashkimi Evropian nuk dorëzohet në këtë proces.

“Çështjet aktuale janë më të rëndësishmet në rendin e ditës, kemi qenë dëshmitar të këtyre tensioneve sa i përket tabelave të regjistrimit dhe të dokumenteve të hyrje daljes për qytetarët midis Kosovës dhe Serbisë, bashkësia ndërkombëtare nuk dëshiron të shoh ringjallje të tensioneve në periudhën vijuese dhe palët do të kenë përgjegjësi të plotë për çfarëdo lloj përshkallëzimi në teren. Fatkeqësisht nuk kemi arritur në takimin sot, por kjo nuk është përfundimi i këtij tregimi, të dy liderët janë pajtuar që procesi duhet të vazhdojë dhe që diskutimet do të rifillojnë në ditët në vijim, pra ka ende kohë deri më 1 shtator. Unë nuk do të dorëzohem. Nuk ka marrëveshje ditën e sotme por nuk do të ndalemi, nuk do të dorëzohemi, ne duhet të vazhdojmë diskutimin, dhe të vazhdojmë diskutimin, ky diskutim do të vazhdojë, në përmbyllje të takimit u bëra të qartë të dy liderëve që anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet të mbetet synimi përfundimtar për të cilin të dy liderët janë zotuar dhe gjithsesi duhet të gjejnë një mënyrë për të avancuar tutje në këtë rrugëtim dhe hapi i parë në këtë rrugë është që të kërkojnë zgjidhje për situatën aktuale”, ka thënë Borrell.

Borrell ka thënë se nuk është momenti për rritje të tensioneve por për të kërkuar zgjidhje afatgjate për problemet.

“Besoj që presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti, të dy e kanë kuptuar që nuk ka ndonjë alternativë ndaj dialogut në kuptimin e zgjidhjes së këtij problemi, sigurisht që ka dallime të mirënjohura midis tyre sa i përket këndvështrimit të tyre se cili do të jetë statusi përfundimtar i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë apo si do të duhej të ishin ato, por janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet në baza të rregullta në periudhën vijuese për ta përshpejtuar procesin e normalizimit, pra për të shkuar me shpejtë në këtë rrugë dhe këtë e do ta kem në majën e agjendës sime, bashkë me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajcak”, ka thënë ai./Periskopi

 

 

Shpërndaje në: