Hetem Ramadani dhe pozitivistët krenarë

Hetem Ramadani dhe pozitivistët krenarë

Fenomeni “Hetem Ramadani” është simptomë e boshllëkut paradigmatik dhe krizës shpirtërore e konceptuale që botën perëndimore të shkencës dhe filozofisë e ka kapluar prej kohësh. Hetemi është vetëm fytyra shqiptare e rrjedhojës që prodhon shfaqja e kësaj krize dhe e këtij boshllëku. Vetë Hetemi ka të drejtë kur thotë se botës së shkencës i mungojnë konceptet dhe i mungon paradigma. Ky pohim i jep atij, gjithashtu, të drejtën legjitime për t’u ngjitur në skenë si përfaqësues i një alternative tjetër në fushën në të cilën ai pretendon se ka dije dhe njohuri.

Është çështje tjetër, pastaj, fakti se ai përthellohet edhe më tepër drejt errësirës epistemike dhe metafizike. Hetemin e bën tërheqës dhe kreativ qasja e tij jokonvencionale ndaj disa problemeve, por e bën qesharak dhe e rreshton me karvanin e sharlatanëve orvatja e tij donkishoteske dhe vetëbesimi i tepërt mbi potencailin e pretenduar kognitiv dhe shkencor.

Ligjërimi naiv dhe jomirë i ndërtuar i Hetem Ramadanit mbi çalimet e shkencës dhe mjekësisë moderne, paraqitet në formën e tij më të sofistikuar në botën akademike të shkencës dhe filozofisë bashkëkohore nëpër veprat e autorëve postmodernistë. Këta autorë ka kohë që dijen dhe njohjen e kanë shpallur si një lloj besimi të justifikuar. Në kuptimin e saj më të thjeshtë, kjo do të thotë se i gjithë aparati konceptual dhe metodologjik që mundëson ngrehinën e asaj që e quajmë dije, nënkupton thjesht një tërësi mekanizmash njerëzorë për të legjitimuar një besim të rrënjosur, gjithashtu njerëzor. Dija, pra, nuk është gjë tjetër veçse një vegël efikase për t’i legjitimuar bindjet dhe besimet tona.

Dija, qoftë ajo shkencore, artistike, filozofike a fetare, ka natyrë njerëzore, thellësisht njerëzore. Dija dhe njohja e njeriut mbi natyrën dhe realitetin është dije dhe njohje sipas takatit njerëzor e natyrës dhe realitetit. Mendja dhe arsyeja, përderisa janë njerëzore, ato janë të kufizuara dhe të cekta në njohjen dhe kuptimin e natyrës dhe realitetit. Mendja, do të thoshte Rorty, nuk është pasqyrë e saktë, e cila e reflekton botën e jashtme ashtu siç ajo është në vetvete.

Prandaj, konflikti i sotëm në fushat e ndryshme të dijeve, duhet të jetë konflikt i interpretimeve, i ligjërimeve dhe i metodologjive, e jo luftë për t’u vetëshpallur si instanca përfundimtare morale dhe kognitive e epistemike, dhe për të monopolizuar të drejtën ekskluzive për ta njohur, shpjeguar dhe trajtuar botën, natyrën, realitetin, njeriun etj..

Shpërndaje në: