Hill: Është shqetësuese që Serbia po u drejtohet Rusisë e Kinës për armë e infrastrukturë

Hill: Është shqetësuese që Serbia po u drejtohet Rusisë e Kinës për armë e infrastrukturë

Christopher Hill, i emëruari për postin e ambasadorit të ardhshëm amerikan në Serbi tha të martën se është shqetësues fakti që Serbia po i drejtohet për armë Rusisë e Kinës.  Ai tha gjithashtu se do të ndihmojë Serbinë që t’u rezistojë ndikimeve keqdashëse, përfshirë nga Rusia dhe Kina.

“Është veçanërisht shqetësuese të shohim Serbinë për shembull, që kërkon të bëjë blerje ushtarake – që janë të nevojshme pasi ata po përpiqen të kenë ushtri të klasit të parë – por është shqetësuese që ata po i drejtohen Rusisë për këtë. Dhe është gjithashtu shqetësuese të shohim se ata po shohin nga Kina për disa nga nevojat e tyre për infrastrukturën”, tha ai.

Por zoti Hill tha se nuk mjafton thjesht të thuash se është problematike të pranosh ofertat kineze dhe ruse.

“Ne duhet të jemi të përgatitur për t’u treguar atyre (Serbisë) se ne ofrojmë një model më të mirë, ne ofrojmë alternativa më të mira për ta”, tha ai, duke shtuar se këtë synon të bëjë si ambasador nëse konfirmohet.

Christopher Hill, një diplomat me përvojë të gjatë lidhur me Ballkanin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, emëroi diplomatin Hill për postin e ambasadorin në Serbi në tetor dhe

Christopher R. Hill, është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm. Kohët e fundit, ai ishte profesor në Shkollën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Publike të Universitetit Columbia.

Para se të tërhiqej nga shërbimi i Jashtëm në vitin 2010, zoti Hill shërbeu si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Irak, Kore, Poloni dhe Maqedoni, si Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe si Shef i delegacionit amerikan në bisedimet për Korenë e Veriut.

Ambasadori Hill ishte përfaqësuesi i parë diplomatik i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, pas 45 vjetësh izolimi. Në tetor të vitit 2016, ish presidenti shqiptar, Bujar Nishani, e nderoi zotin Hill me titullin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, në 25 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Në vitet 90 ai ishte anëtar i ekipit negociues që hartoi marrëveshjen e Daytonit në vitin 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnjë.

Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, zoti Hill shërbeu si i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, deri në konferencën e Rambouilletit, e cila i hapi rrugën ndërhyrjes së NATO-s që i dha fund luftës në Kosovë.

Në qershor të vitit 2013, ai së bashku me diplomatin austriak, Wolfgang Petrisch, u nderuan me titullin doktor “honoris causa” nga Universiteti i Prishtinës, “për rolin e tyre në sjelljen e paqes dhe lirisë për shtetin e Kosovës”.

Zoti Hill me përvojë nga rajoni i Ballkanit, flet edhe serbisht, polonisht, maqedonisht dhe frëngjisht.

Nëse konfirmohet, ai do të zëvendësojë në Beograd ambasadorin Anthony Godfrey./Voa/

 

Shpërndaje në: