Hill: Jam i zhgënjyer me ritmin e dialogut, SHBA-të e mbështesin Ballkanin e Hapur

Hill: Jam i zhgënjyer me ritmin e dialogut, SHBA-të e mbështesin Ballkanin e Hapur

Për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, është zhgënjyese fakti se sa ngadalë kanë ecur gjërat në mes të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut.

Hill, në një intervistë për të përditshmen serbe, Danas, ka bërë të ditur se dëshira e tij është që të shoh një bashkëpunim më të fortë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe se sipas tij në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të ketë shumë më shumë përparim për çështjet konkrete.

“Kam 23 vjet që nuk kam qenë në Serbi. Është zhgënjyese që nuk ka pasur më shumë përparim në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Është mirë që Bashkimi Evropian ka marrë përsipër të udhëheqë këtë proces dhe është mirë që ka një dialog”, është shprehur ai.

Diplomati amerikan, i cili ka një përvojë të gjatë në Ballkan dhe e njeh për së afërmi dinamikat politike në rajon, ka shprehur mbështetjen e tij në mënyrë eksplicite për nismën e Ballkanit të Hapur, pasi sipas tij në Bashkimin Evropian ka një rezistencë ndaj zgjerimit, dhe për këtë arsye Ballkani Perëndimor në veçanti, duhet të punojë edhe më shumë në drejtim të bashkëpunimit rajonal.

“Prandaj unë mbështes Ballkanin e Hapur. Ka pasur një afrim të rëndësishëm mes Shqipërisë dhe Serbisë dhe mund të flasim jo vetëm për marrëdhëniet e mira mes kryeministrit Rama dhe presidentit Vuçiç, por edhe për përmirësimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat. Është një frymëzim për të gjithë”, ka shtuar ai.

I pyetur për raportet me presidentin Vuçiç, Hill përveç se ka treguar se ka takime të rregullta, ka bërë të qartë se me të nuk pajtohet për një mori çështjesh.

“Me presidentin Vuçiç kam diskutuar për situatën në Ukrainë, pra agresionin rus kundër Ukrainës. Gjithashtu diskutuam për situatën në rajon dhe mbështetjen e administratës amerikane për bashkëpunimin rajonal, siç është nisma “Ballkani i Hapur”. Ne nuk jemi dakord për të gjitha çështjet, por sigurisht që do të vazhdojmë të flasim”, ka shtuar ai.

Shpërndaje në: