Hill: Takimi i djeshëm në Bruksel, pozitiv

Hill: Takimi i djeshëm në Bruksel, pozitiv

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, vlerësoi se edhe pse shumë janë të zhgënjyer që nuk ka pasur përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, rezultati i atyre bisedimeve ishte pozitiv.

“Dje ishte një ditë shumë e gjatë në Bruksel. Ka pasur shumë diskutime, takime, negociata. Natyrisht të gjithë janë të zhgënjyer që nuk mundëm t’i zgjidhnim çështjet afatshkurtra dhe afatgjata, por mendoj se ato biseda rezultuan në zhvillime pozitive”, tha Hill, transmeton Indeksonline

Ai theksoi se është e qartë se SHBA-ja dhe BE-ja bashkëpunojnë ngushtë dhe se ka një kuptim të përbashkët të çështjeve, si dhe një kimi të mirë.

Kjo, beson ai, se do të ndihmojë për të arritur përparim.

Është e qartë se pala serbe erdhi në bisedime me frymë pozitive. Ata kanë punuar shumë për këtë çështje, janë përgatitur për të biseduar dhe negociuar, me qëllim të përparimit”, tha ai.

Hill tha se kjo është e rëndësishme jo vetëm për bisedimet e ardhshme për Kosovën, por përgjithësisht për marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Serbisë.

Kemi shumë baza të përbashkëta për bashkëpunim. “Jo gjithçka që bëjnë SHBA-të dhe Serbia së bashku duhet të lidhet me Kosovën”, tha ai.

Hill tha se të dyja vendet duhet të bashkëpunojnë edhe për Kosovën, por përkujtoi se ka edhe shumë çështje të tjera për bashkëpunim.

“Jam inkurajuar nga aspekti që pashë dje”, përfundoi ai.

 

Shpërndaje në: