Historia e trishtë e Sharon Stone. Pse u zhduk nga skena në kulmin e karrierës

Historia e trishtë e Sharon Stone. Pse u zhduk nga skena në kulmin e karrierës

Sharon Stone është një nga aktoret më të njohura amerikane. E njohur edhe si ikonë e bukurisë së përjetshme, si femra që nuk plaket kurrë, ajo bëri një shkëputje të papritur nga kinematografia pikërisht në kulmin e karrierës së saj. Por pse ndodhi një gjë e tillë? A ishte një zgjedhje e detyruar kjo për aktoren e famshme?

Sharon Stone pësoi hemorragji cerebrale, një gjendje emergjence mjekësore, e cila ka një shkallë të lartë vdekshmërie në rast se nuk ndërhyhet me shpejtësi. Ndërkohë aktorja u paraqit në spital në ditën e pestë të hemorragjisë, pra shumë me vonesë.

Nga gjithë aksidentet cerebrovaskulare hemorragjike, si rasti i Sharon Stone, rreth gjysma nuk arrin të mbijetojë. Ditën që ajo kishte dhimbjen më të madhe të kokës, u mbështet tek regjizori i saj dhe ra përtokë. Nga ai moment nuk mbante mend asgjë, derisa mbërriti në urgjencë ku telefonoi të ëmën e saj për t’i thënë se ishte në urgjencë dhe do të futej në sallën e operacionit për shkak se kishte pësuar hemorragji cerebrale (të tipit subaraknoidal, më të rrezikshmin). Dhe gjatë gjithë kohës, gjithçka që arrinte të shihte, ishte vetëm dritë e bardhë.

Në luftë me jetën, Sharon Stone rrëfen se kishte vetëm një arsye për të jetuar, më të fortën, të jetonte pranë të birit të saj. U zgjua pas operacionit që shkoi me sukses, por iu desh të mësonte nga e para të ecte, të dëgjonte, të shkruante dhe të fliste. Gjithçka nga e para. Dhe ndërkohë që bënte gjithë këto, brenda dy viteve nga hemorragjia cerebrale, bashkëshorti i saj u nda nga Sharon Stone, u lidh me të dashurën e tij dhe e hodhi atë në gjyq për kujdestarinë e djalit.

“Nuk isha as e fortë dhe as e aftë të shkoja përherë në gjyqe për të luftuar për kujdestarinë e tim biri. Në ato momente, gjithçka që mendoja ishte se isha një dështim. Familja ime nuk ekzistonte më, karriera ime ishte shkatërruar, djalin ma kishin marrë… “, janë fjalët që Sharon Stone ka thënë në një intervistë të asaj kohe.

Ajo që mësoi aktorja prej kësaj periudhe, ishte se duhet ta linte gjithçka pas. Çfarë kishte humbur, e konsideronte të humbur, përveç djalit të saj. Lotët e derdhur në atë situatë i shërbyen për t’i dhënë forcën e duhur për të luftuar me padrejtësinë që po i bëheshin. Mirëpo kjo gjë kërkonte kohë për aktoren. U deshën rreth 7 vite të shërohej plotësisht nga hemorragjia cerebrale e pësuar, si dhe të fitonte kujdestarinë e të birit.

Tashmë ajo ka tri fëmijë, njërin biologjik dhe dy të birësuar. Sharon i është rikthyer gjithashtu karrierës së saj dhe njëkohësisht, është përfshirë edhe në shumë fushata të lidhura me AIDS. Ajo ka investuar dhe ka mbledhur fonde kundër AIDS, si dhe për kërkime shkencore lidhur me këtë sëmundje, pikërisht sepse donte ta përdorte famën e saj për diçka në të mirë të njerëzimit.

“Nga këto eksperienca, gjithçka u bë më e mirë për mua. Unë mendoj nuk ka rëndësi se si bie, por se si ngrihesh pas çdo sfide”, – ka thënë aktorja e njohur./bota.al

 

Shpërndaje në: