Hitleri sipas Shperit

Hitleri sipas Shperit

Shkruan: Arrita MUSTAFA

Karakteristikë e personalitetit sadomazohist është bashkëjetesa e njëkohësishme e tendencave të kundërta. Personalitet tipik ky i diktatorëve. Erich Fromm në librin e tij “Arratisje nga liria”, ku shpjegon arsyet se pse njerëzimi në vend se të hyjë në një fazë të lirisë në kuptimin e plotë të fjalës, e bëri pikërisht të kundërtën, për shkak të rrethanave ekonomike dhe politike të cilat diktuan një gjë të tillë, ndër të tjera analizon edhe dukurinë e nazizmit, rrjedhimisht edhe të elementeve thelbësore që formojnë një karakter të tillë. Të dyja prirjet, si sadizmi, ashtu edhe mazohizmi, janë në thelb të kundërta me njëra-tjetrën, sepse e para është tendencë për ta nënshtruar tjetrin, për ta skllavëruar në emër të së mirës së përgjithshme, ngase i nënshtruari nuk është i aftë ta anticipojë atë.

Kurse e dyta, është prirja për t’u nënshtruar te një person, institucion, objekt apo fuqi hyjnore, sepse protagonisti dëshmohet i paaftë të jetë zot i vetes. Në karakterin e diktatorëve, shfaqen të dyja. Hitleri ishte i nënshtruar dhe ndjehej i pafuqishëm përballë elementeve që kontrollojnë botën, si Natyra, Historia, Zoti, etj., dhe në të njëjtën kohë sundonte gjermanët, që tash e një kohë të gjatë ishin halë në sytë e botës, si përgjegjës për Luftën e Parë Botërore dhe mbi ta rëndonte e gjithë pesha e regresit ekonomik, shtypjes politike dhe rrjedhimisht i kishin të gjitha predispozitat që fatin e tyre t’ia linin në dorë një force më të mëdhe si ta, e që qëlloi të ishte Hitleri.

Fromm-i e quan “simbiozë” qëllimin që është në themel të sadizmit dhe mazohizmit, e që është prirja për bashkimin e një uni individual me një un tjetër, ashtu që tek secili të humbasë integriteti dhe të bëhen të varur nga njëri-tjetri. Stili i ri i jetesës që erdhi me ndryshimet ekonomike, pra kalimi nga feudalizmi në industrializëm, sollën një varg pasojash psikologjike në jetën e shumë njerëzve. Ata fituan një liri më të madhe në të gjitha sferat, por pikërisht kjo liri u solli atyre vetminë dhe pafuqinë për t’i përballuar këto ndryshime. Në vija të trasha kjo ishte arsyeja kryesore se pse njerërëzit u orientuan kah karaktere të tilla, e për pasojë sollën në historinë e njerëzimit diktatorë famëkeq siç ishte Hitleri.

Nën tutelën e një sistemi të tillë nazist, ngjashëm si në çdo dimension tjetër të jetës, edhe në arkitekturë – e cila përbënte një element shumë të rëndësishëm për Hitleri, jo vetëm për të çuar në piedestal kauzën e tij për Gjermaninë e madhërishme, por edhe për shkak të dëshirave të tij të kahmotshme rinore për arkitekturë e art –  ndërtimi e shkatërrimi shfaqen në kohë paralele. Albert Shper, i cili ishte arkitekt i Hitlerit, projektoi planin për ndërtimin e Berlinit, që parashihej të përfundote në vitin 1950  në të njëjtën kohë kur Hitleri po projektonte hapat për pushtimin e botës.

Për Shperin, ashtu edhe për të tjerët, ishte e çuditshme se si një njeri mund të bënte dy plane krejtësisht të kundërta mes vete në të njëjtën kohë. Supozohej se Hitleri po e bënte një gjë të tillë për të fshehur planet e tij për luftën. Megjithëse unë do të thoja që, për psikologjinë e një diktatori, kjo është krejtësisht e pranueshme, sepse siç e përmenda më lartë, natyra autoritare e karakterit shpërfaq manifestime të kundërta,  në secilën sferë të jetës, si private, ashtu edhe publike.

Ndërtesat e Hitlerit duhej të mbanin strehonin numër të madh njerëzish; ndërtesat  shëmbëllenin pushtet, e megjithatë po aq sa janë të dobishme, lehtë mund edhe të shpërbëhen. Por mënyrat për ta mbajtur këtë masë (njerëzish) arrihen përmes rritjes dhe  ripërtëritjes së rregullt, përkatësisht përmes përqëndrimit tek  madhësia, hapësira, gjerësia, lartësia e ndërtesave, e që ishin  elemente kyçe për arkitekturën në sytë e Hitlerit. Rritja e masës mundësohet përmes rritjes së entuziazmit, që shkaktohet nga flamujt, muzika, paradat, pritjet për daljen e udhëheqësit në skenë. Gjëra të tilla si këto provokonin ndjenjat më të thella të njeriut dhe këtë Hitleri e dinte mirë. Gjerësia, lartësia, hapësira krijonë te masat ndjenjat e pakufishmes. Ato më nuk u’a shohin fillimin, por as fundin.

Përsëritja mundësohet përmes ndërtimit të ndërtesave nga më të lartat se ç’kishin parë njerëzit ndonjëherë. E si më tipike në këtë atashim janë katedralet. “Kupelbergu” do të kishte një hapësirë shtatëmbëdhjetë herë më të madhe se kisha e Shën Pjetrit. Përsëritja projektohej sipas modelit që Hitleri pëlqente: lashtësia romake. Tjetër model që Hitleri pëlqente ishin piramidat egjiptiane. Ato kanë ngelur për mijëra vjet aty dhe kanë ruajtur përbrenda historinë, madhështinë, vazhdimësinë. A

sgjë nuk ka mundur t’i zhdukë. Për të s’kishte rëndësi nëse ato projekte do të ishin absurde, të pamundshme apo vështirë të realizueshme, sepse ai preukupohej me idenë e vazhdimësisë, madhështisë. Masat duhet të ishin të nxitura e të eksituara edhe kur nuk ai nuk do të ishte më. Masat nuk do të jenë të afta të krijojnë projekte të ngjashme, sepse ai i sapopërfunduari ngelet unik, i pazëvedësueshëm, i papërsëritshëm, prandaj edhe përqëllimohej një trashigëmi e tillë e Berlinit.

Linci, qyteti i rinisë së tij, i përbuzur nga qeveria e Vjenës, duhej të ngrihej mbi asilloj madhështije sa t’ia kalojë edhe kësaj të fundit. Hitleri mendonte ta shndërronte Lincin në rezidencë ku do të kalonte pleqërinë e tij. Linci në çdo mënyrë duhej të dilte mbi Vjenën. Këtu arrijmë në një tipar tjetër të karakterit të Hitlerit, e që është ideja “t’ia kalosh dikujt”.

Prandaj edhe veçohej si “skllav i idesë për t’ia kaluar dikujt ose diçkaje”. Hitleri ishte në luftë të përhershme me çdokënd që pretendon që është më i mirë se ai.  Derdhja e gjakut  është mënyra se si arrihet fitorja e plotë, e madhërishme. Fitoret që s’vijnë përmes gjakderdhjes janë të vogla dhe vetëm përgatitje për fitoren vendimtare. Këtë mani Hitleri nuk e shfaqte vetëm në jetën politike, por në secilën sferë tjetër.

Për shembull, dy njerëzve të ndryshëm, ju caktonte detyrën e njëjtë, vetëm për t’i parë ata se si ndeshen me njëri-tjetrin dhe si fiton ai që fiton. Napoleoni ishte personaliteti që ai mëtonte t’ia kalonte. Prandaj edhe ndërtimi që Hitleri e kishte më përzemër ishte Harku i Triumfit, i cili do të ishte i gjatë njëqind e njëzet metra, sa dyfishi i lartësisë së po të njëjtës ndërtesë e cila ndodhej në Paris. “Kjo do të jetë së paku një përmendore për të vdekurit tanë në luftën botërore. Emri i secilit prej një million e tetëqind mijë të rënëve tanë do të skalitet në granit”. Këto ishin fjalët e Hitlerit dedikuar kësaj ndërtese e cila pretendohej të ishte dyfishi i asaj në Paris, kushtuar Napoleonit. Këtu tregohet qartazi tendenca e tij për t’ia kaluar personalitetit të tij.

Ajo do të ndërtohej më gurë të fortë e të çmueshëm, e ku do të skaliteshin në granit emrat e të rënve të luftës së parë, si mbartëse e vetë kuptimit se lufta s’ka mbaruar, gjë të cilën Hitleri e propagandonte. Ata të rënë ishin fuqia e tij e parë, masa e parë përkrahëse, atëherë kur askush tjetër nuk e mbështeste. Prandaj për të kishin kaq shumë rëndësi. Tribuna e nderit në Nyremberg ishte zbukuruar me një statujë 14 metra më të lartë sesa Statuja e Lirisë në New York. “Stadiumi i Madh” i Nyrembergut  zë deri në dy-tri herë më shumë njerëz sesa Circus Maximus i Romës.

Këta ishin vetëm disa shembuj sesi Hitleri vazhdimisht punonte në drejtimin të rivalizimit të tjetrit. Por kishte një aspekt tjetër i arkitekturës së një qyteti së cilës Hitleri nuk i kushtoi rëndësi. I preokupuar gjithnjë me idenë e madhështisë, e përjetësisë, ai nuk investoi në infrastrukturë komunikacioni, për zona banimi dhe për hapësira të gjelbëra, pra u tregua shpërfillës ndaj aspektit social të jetës qytetare.

Tipike për karakterin autoritar është gjithashtu raporti i tij me masat e nënshtruara. Në aso marrëdhëniesh nuk ka solidaritet e dashuri, por vetëm shfrytëzim. Ai ka nevojë për ta, poaq sa këta të fundit kanë nevojë për të, por pa hyrë në marrëdhënie spontane me njëri-tjetrin, që nënkupton realizimin e lirisë pozitive, e që është realizim i unit, pohim i plotë i unicitetit të individit. Hitleri urrente çdokënd që ishte i dobët, dhe ishte jashtëzakonisht i rreptë më kabinetin dhe ushtrinë e tij për çdo disfatë që pësonte. Asgjë nuk kishte rëndësi përveç vetës dhe egos së tij. Vdekjet e tmerrshme të mijëra njerëzve nuk e shqetësonin atë aspak. Ata për të ishin vetëm numër, një masë. Para tij nuk kishte ekzistuar askush, poashtu pas tij askush nuk do të jetë i denjë për të pasur madhështinë e tij.

Njëshi unik. Ai ishte i jashtëzakonshëm në numra, sidomos ata shumëshifor. Tek fliste para masave ai numëronte me mijëra numra, duke propaganduar se masa po shtohej. Kështu rritej entuziazmi i tyre. Ndjesia e tij për numrat e mëdhenj shfaqej edhe në shumë gjëra tjera, si në shpenzimet marramendëse që planifikonte për ndërtimin e Berlinit. Atij nuk i bënte përshtypje absurditeti i këtyre ndërtimeve, shpenzimet që çonin në regres. Për të kishte rëndësi vetëm përmbushja e verbër dhe e padiskutueshme e dëshirave të tij. Ai nuk brengosej as për situatën e Gjermanisë pas përfundimit të luftës dhe as për gjendjen emergjente që mund t’i gjente ata. Më të mirët kanë rënë, ata që kanë mbetur gjallë nuk janë të denjë për të jetuar.

Kur lufta mori përmasa të hatashme, Shperi ishte i pari që i propozi Hitlerit të vizitonte qytetet e shkatërruara, të bashkëndjente me familjet e të rënëve, të lutej para të vdekurve, ashtu siç bënte Winston Churchili. Ky i fundit në këslloje vizitash adëshmonte solidaritetin dhe simpatinë që ndjenjte ndaj të rëneve  pavarësisht obligimeve të shumta që kishte. Në këtë mënyrë tregonte se sa e rëndësishme ishte vepra e tyre dhe morali e kurajoja e anglezëve, se si ata ngriteshin dhe gjenin forcën për të përballuar agresorin e jashtëm. Por Hitleri refuzonte të bënte një gjë të tillë. Ai dinte vetëm të akuzonte, t’ua hidhte fajin tjerëve.

Shpërndaje në: