Holandezët nuk e duan dhe kurrë s’e deshën Evropën

Holandezët nuk e duan dhe kurrë s’e deshën Evropën

Prillin e kaluar, ndërsa politikanët italianë dhe holandezë po ofendoheshin me njëri-tjetrin sa i përket paketës mëkëmbëse Evropiane për Covid-19, gazeta Corriere della Sera shkroi se në ditët e para të integrimit evropian, diplomatëve të rinj italianë që u vendosën në Bruksel iu ishte thënë të zbatonin parimin si vijon: “Në rast se dyshoni, q*** holandezët.” Kishte bile edhe një version që po qarkullonte në ministrinë e jashtme të Romës, Farnesina: “Lërini holandezët që të flasin të parën dhe merrni qëndrimin diametralisht të kundërt prej tyre.”

Kjo nuk është thjesht një anekdotë zbavitëse. Është ndoshta më e vërtetë sot se që ishte në fillim të komuniteteve evropiane: në shumë aspekte holandezët janë, përsëri, më skeptikë rreth integrimit evropian se sa italianët.

Po – prapë. Ditët e sotme,  shumë njerëz që kujtojnë holandezët si evropianë të angazhuar e entuziastë po e kanë të zorshme të kuptojnë qëndrimet e ashpra mbi reformat e eurozonës apo për paketën e Covid-19 që vjen nga Haga. Por kjo nuk është e re. Gjatë dy dekadave të para të integrimit evropian, holandezët ishin sillur njëlloj. Ata veç e kishin zbutur qëndrimin e tyre pas hyrjes së Mbretërisë së Bashkuar në vitin 1973.

Nëse shikojmë më hollësisht historinë e kohëve të fundit, vërejmë qartë se holandezët ndihen më mirë në Evropë me britanikët brenda. Dhe se problemet me të cilat po përballen së fundi janë pjesërisht rrjedhojë e Breksitit (Brexit).

Pas Luftës së Dytë Botërore, holandezët kishin ëndrruar për një aleancë të çlirët transatlaentike të fokusuar në tregtinë me Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët. Përveç kulturës protestante, ata kanë edhe tjera të përbashkëta me britanikët: dashurinë për detin, perspektivë të esëllt për jetën dhe gatishmërisë komerciale. Të dyja palët janë liberale, detare dhe kombe tregtare që dikur kishin pasur perandori të gjera.

Por aleanca transatlantike kurrë nuk u materializua. Në vend të saj, në vitin 1950 holandezët dëgjuan (në radio) që Franca dhe Gjermania kishin vendosur të formonin Komunitetin Evropian të Thëngjillit dhe Çelikut, e udhëhequr nga një autoritet supranacional. Holandezët nuk kishin qenë të informuar për planin Schuman, që zyrtarisht u lansua më 9 maj të 1950-s: Parisi dhe Berlini kishin presupozuar – në mënyrë korrekte – se ata do ta kundërshtonin. Dhe po, qeveria holandeze ishte e pakënaqur që dy fqinjtë e saj të mëdhenj, njëra një okupuese së fundi, kishin planifikuar t’i bashkonin forcat politike. Vendi i vogël, liberal e pragmatik që gjithnjë shihte kah perëndimi, frikësohej se do të mbytej nga kultura e rëndë legalistike gjermane dhe etatizmi francez që e urrente.

Por Holanda kishte pak zgjedhje para vetes. Ekonomia e pas-luftës ishte e dobët. Pas humbjes së kolonive të saj, ky vend duhej t’i fitonte të ardhurat më afër shtëpisë. Marrëveshja e parë tregtare e pasluftës me Gjermaninë funksionoi mirë – tashmë Holanda po bëhej, folur ekonomikisht, një provincë gjermane. Shkurtimisht, Holandës nuk ia qiste që t’i thoshte jo planit Schuman. Meqë Franca dhe Gjermania as që do ta pyesnin, ishte më e mençur që t’iu bashkohej dhe ta zbehte atë aleancë nga brenda.

Dhe këtë gjë e kanë bërë holandezët prej atëherë, në shkallë të ndryshme. Është përgjigjja e tyre instinktive Pavloviane evropiane.

Që prej ditës së parë, Haga e kishte një mision: të hynte edhe Mbretëria e Bashkuar në aleancë. Në vitin 1973, pas një mori vetosh franceze, më së fundi ia dolën. Për holandezët, hyrja e Mbretërisë së Bashkuar më në fund solli kuptim politik dhe kulturor në realitetin ekonomik të kontinentit. Holandezët gjithnjë kanë qenë anglofilë. Ata kanë hapur kompani multinacionale si Shell dhe Unilever me Mbretërinë e Bashkuar. Ata flasin më mirë anglisht se sa gjermanisht apo frëngjisht.

Me britanikët brenda, holandezët më në fund u ndjenë si në shtëpi në Evropën kontinentale, dhe u bënë më konfidentë. Dy shtetet luftuan, dhe fituan, shumë beteja liberale bashkë – për tregun e vetëm dhe për shumë zgjerime, për shembull. Kjo është koha kur holandezët humbën pak nga averzioni i tyre prej integrimit politik, duke kërcyer në Schengen, në unionin monetar dhe në shumçka tjetër. Që nga mesi i viteve ’70 deri në mes të ’90-ave, vrazhdë, ata mund të përshkruheshin edhe si euro-entuziastë.

Por britanikët u larguan. Megjithëse holandezët e propozuan një union të plotë politik për traktatin e Mastriktit – një lëvizje e pamendueshme sot – Londra refuzoi t’i bashkohej Schengenit, euro-s apo bashkëpunimit juridik. Britanikët donin një treg të brendshëm. Ata u bënë të jashtëm.

Kjo është koha kur ambivalenca e holandezëve në Evropë u rishfaq, dhe euroskepticizmi fitoi rritë. Kjo është pjesërisht e drejtuar kundër BE-së në vetvete, por kryesisht kundër shumë qeverive holandeze që nuk mund ta shpjegonin se pse ky vend po ulej në zemër të integrimit evropian. Në shkollë, fëmijët holandezë nuk mësojnë asgjë për BE-në, qëllimin dhe historinë e saj. Të ardhurit që duan të fitojnë nënshtetësinë holandeze duhet ta kalojnë një test, në të cilin duhet të dinë të përgjigjen në atë se si holandezët festojnë ditëlindjen – por në librin e tekstit që shoqëron testin Evropa përmendet dy herë: si një treg. Shumica e qytetarëve holandezë, kur pyeten për BE-në, nuk mund ta bëjnë dallimin mes Këshillit dhe Komisionit.

Për një vend të hapur e eksportues që varet nga rrjetet evropiane, kjo është një situatë mjaft e sikletshme. Presidenti i bankës qendrore të Holandës, Klaas Knot, së fundi tha se falë BE-së, secila shtëpi holandeze merrte prej 6 mijë e deri në 10 mijë euro më shumë për çdo vit. Knoti nuk është një eurofil. Por ai e kupton se më shumë integrim evropian është i domsodoshëm në botën e sotme merkantiliste ku pushteti i fortë mbizotëron. Knoti iu bëri thirrje liderëve të partive që të diskutonin këtë gjë më shumë para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në fillim të vitit tjetër.

Debatimi i Evropës, megjithatë, është i zorshëm për një vend që ende pëlqen të shikojë kah perëndimi. Insistimi i ish kryeministrit britanik David Cameron për “riatdhesimin e pushteteve” nga Brukseli ishte popullor në Holandë. Shumica e holandezëve e duan tregtinë e brendshme dhe janë pozitivë për anëtarësinë në BE, por shumica i refuzojnë aspektet politike të integrimit evropian. Mbrojtja evropiane, një politikë e përbashkët e jashtme, apo taksat evropiane i bëjnë ata nervozë. Refleksi i tyre i parë është që t’i kundërshtojnë këto gjëra.

Pyetja qendrore në Holandë prandaj është ekzistenciale: Çka po bëjnë ata në zemër të Evropës? Përgjigjja më e ndershme është, natyrisht, diçka e tillë: Ne jemi aty sepse Gjermania dhe Franca janë aty për të shmangur më shumë luftëra, dhe ne menduam se nuk ishte mençuri nëse nuk do t’i bashkoheshim. Kjo është shumë e ndërlikuar për shumicën e politikanëve. Kështu që i përmbahen narrativës ekonomike – “BE-ja është tregu” – duke injoruar kësisoj origjinën politike dhe karakterin e integrimit Evropian. Kjo është arsyeja pse në Evropën që tash sfidat kryesore i ka politike, holandezët sillen si llogaritarë. Kur Italisë i duhej solidariteti, holandezët përgjigjen duke numëruar fasulet.

Ky refleks vetëm sa u forcua shkaku i Breksitit dhe dhimbjes fantome që shkaktoi. Breksiti dobësoi zërin liberal e verior në Bruksel. I forcoi pushtetin Gjermanisë dhe Francës, dhe jugut të Evropës.

Kryeministri holandez Mark Rutte është traumatizuar nga largimi i Britanisë. Ai e di se kjo mund të ndodh edhe në vendin e tij, gjithashtu. Partia liberal-konservative e Ruttes, VVD-ja, është mëe madhja në Holandë. Por euroskeptikja e së djathtës ektreme, PVV-ja, e udhëhequr nga Geert Wilders, është e dyta. Edhe një parti tjetër e së djathtës ekstreme, Forumi Demokratik, po ashtu po e ndez sentimentin anti-Evropian. Z.Rutte është i vendosur që ta shmangë largimin e holnadezëve. Do ta shkatërronte një vend që pjesëmerr në çdo program evropian të mundshëm.

Por, sa më shumë që Rutte dëshiron të shmang debatin politik rreth Evropës, aq më shumë opozita i mëshon kësaj çështjeje. Në këtë aspekt, ai është në të njëjtën situatë si David Cameroni para referendumit të Brexitit: po dështon që ta mbrojë në mënyrë të fortë e bindëse vazhdimësinë e të qenit vend anëtar në BE. Por ka edhe një dallim mes këtyre dyve: kryeministri holandez nuk tërhiqet nga Brukseli. Përkundrazi, ai në mënyrë aktive po formon aleanca të reja përgjatë kontinentit. Ai e ka kuptuar se Breksiti e ka ndryshuar lojën politike në Evropë.

Mbretëria e Bashkuar shpesh ka amplifikuar pozicionet në Bruksel. Tash, nëse holandezët duan të dëgjohen, duhet të kenë aleatë të rinj. Diplomatët holandezë dhe shërbyesit civilë po shkojnë në kryeqytetet evropiane, duke dëgjuar, e duke provuar që të bëjnë marrëveshje. Forma e këtyre aleancave varet nga çështje. Në disa aspekte, holandezët po afrohen me Gjermaninë. Po afrohen edhe me Francën, po ashtu, për çështjen e një tregu të përbashkët dhe bile edhe tregtisë. Spanja dhe Austria po ashtu i janë bashkuar tablosë. Për arsye financiare dhe ekonomike, holandezët formuan një llog të ri të ligës Hanseatike, që i bën presion Gjermanisë që të mos bëj tepër shumë koncesione ndaj Francës. Fakti që grupi pjesërisht konsiston në disa shtete nordike jashtë eurozonës nuk duhet se e shqetëson Hagën.

Në buxhetin dhe betejën mëkëmbëse ndaj Covid-19 në verë, holandezët luftuan si luanë. Por me Gjermaninë dhe Francës që u bashkuan sepse e ardhmja politike e Evropës ishte në rrezik, holandezët nuk ia dolën që fondamentalisht ta ndryshonin planin – ata arritën koncesione thjesht financiare. Kur kancelarja gjermane Angela Merkel i rikthye në Berlin më pas, foli për shmangien e një katastrofe evropiane. Presidenti Emmanuel Macron foli për Evropën po ashtu. Z.Rute, i kthyer në Hagë, tha se ishte i lumtur që kontributet e holandezëve ndaj Brukselit nuk ishin rritur. Fundi i tregimit.

S’është çudi që Ruttes i vyente një sesion i zgjeruar në parlament për ta shpjeguar veten më pas, para se të merrte aprovimin për marrëveshjen. Vetëm 10 për qind e holandezëve mendonin se ai duhej të ishte më i butë në mbledhjen e Këshillit në korrik. Sipas një sondazhi të fundit nga ECFR-ja në 27 kryeqytete, Holanda shihet si “vendi i katërt më i zhgënjyer” në BE.

Natyrisht që holandezëve iu bën për dështimet diplomatike. Në Hagë, dominanca e Ministrisë së Financave ndaj çështjeve Evropiane, në dëm të diplomatëve në Ministrinë e Jashtme, ka çuar në diskutime të ashpra. Qeveria u tregua e shpejtë që t’i merrte brenda 100 fëmijë nga kampi i emigrantëve Moria në Greqi, një gjest i qartë i mirëbesimit për vendet e tjera anëtare të BE-së. Por, pozicionet financiare dhe monetare që kanë shkaktuar dështimin, nuk kanë ndryshuar. Pak presin që kjo të ndryshojë para zgjedhjeve.

Kështu që jo, nuk është befasuese që diplomatët italianë kanë ndërmend obstruksionizmin e ditëve të para të holandezëve në Bruksel. Ata e quajnë atë “parimi fracassi” – në italisht fracassare nënkupton: të shkatërrosh. Dhe fracassi, rimohet bukur me fjalën italiane për holandezët: “Paesi Bassi”. /Foreign Policy/ Periskopi 

Shpërndaje në: