Hoti: Jemi në pritje të ftesës nga Amerika, Kryeministri udhëheq dialogun

Hoti: Jemi në pritje të ftesës nga Amerika, Kryeministri udhëheq dialogun

Vetëm njohja reciproke siguron normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një intervistë ekskluzive për DW.

DW: Kryeministër Hoti, morët detyrën në një kohë jo të lehtë, në kohën e pandemisë, me shtim të rasteve me Covid-19, me pasoja në ekonominë e vendit dhe në një klimë jostabile politike. Si po e menaxhoni këtë situatë, ka shumë kritika nga opozita?

Hoti: Realisht në kushte normale është sfiduese puna e qeverisë dhe ne po përballemi me dy probleme të rëndësishme, siç e përmendët edhe ju, pandemia dhe probemet e rimëkëmbjes ekonomike. Besoj që jemi përgatitur në këtë drejtim. Tek pandemia, institucionet shëndetësore, ekspertët shëndetësorë kanë bërë një punë kolosale muajt e fundit. Përveç strukturave institucionale, kemi formuar edhe një grup me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, po e pëcjellim edhe sitatën dhe po i përcjellim edhe pervojat e vendeve të tjera, kryesisht në ato vende që kanë përvoja dhe suksese në luftimin e pandemisë, kemi një plan të mirë që po e realizojmë duke krijuar struktura dhe kapacitete shtesë për t’u përballur në rast se vërtetë ndodh një valë e dytë që godet vendin. Tashmë e kemi përgatitur një plan për vjeshtë, nëse përballemi më këtë situatë duke i ndjekur në mënyrë strikte edhe protokollet e Komisionit Evropian.

DW: Kosova pos pandemisë ndodhet në një moment tjetër kritik politik, është një aktakuzë e prezantuar nga Prokuroria Speciale me seli në Hagë, kundër presidentit të Kosovës dhe disa të tjerëve në kohën kur ju ishit nisur për në SHBA-së së bashku me presidentin për një takim në Shtëpinë e Bardhë për të shënuar kështu rifillimin e dialogut me Serbinë. Ç’do të thotë për ju i gjithë ky zhvillim dramatik?

Hoti: Kjo ka krijuar një stituatë të re në një moment jo të përshtatshëm për vendin, sepse ne i aranzhuam takimet ne Uashington dhe pastaj do të lëviznim në takime tjera në Paris, Bruksel, Berlin dhe në qendra të tjera evropiane për të filluar fazën finale të procesit të dialogut, ndërsa tash këto zhvillime na kanë nxjerrë në një sutuatë krejt tjetër, por ajo që është e rëndësishme që ne e kemi prezantuar edhe para partnerëve ndërkombëtarë është që sigurisht dialogu nuk ka alternativë. Ne jemi të përgatitur për të hyrë në këtë proces, ju e keni parë qëndrimin e qeverisë sa i përket qasjes për të hyrë në këtë dialog, kemi një platformë që është e qartë e strukturuar, e konsultuar me fushën akademike, me shoqërinë civile, e prezantuar në Kuvendin e Kosovës, mekanizmat që kemi krijuar nga forumi i liderëve, këshilli i eskpertëve që tashmë është themeluar me vendim të qeverisë, dhe rezoluta e Kuvendit që pres të miratohet në seancat e ardhshme ku kërkohet raportim i rregullt i kryeministrit lidhur me procesin e dialogut. Pra, jemi të përgatitur në këtë drejtim. Kemi rishikuar të gjithë punën që është bërë në qeveritë paraprake, sa u përket temave të tjera të dialogut, por ajo që është qenësore është që ka një mirëkuptim të partnerëve që ky dialog zhvillohet për njohje reciproke dhe ky është qëndrimi i qeverisë së Kosovës.,

DW: Nga ajo që ju thoni, i bie që keni një vijë të kuqe që në këtë dialog, përpos njohjes reciproke Kosovë-Serbi nuk ka asnjë alternativë tjetër?

Hoti: Dialogu zhvillohet për njohje reciproke dhe asgjë tjetër, sigurisht zhvillohet edhe për normalizim të marrëdhënieve në të gjitha fushat, por duke filluar nga njohja reciproke, sepse vetëm njohja reciproke siguron normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

DW: A do të zhvillohet një takim tjetër në Uashington pas dështimit të takimit të planifikuar me 27 qershor dhe kur?

Hoti: Po, po presim që të caktohet një takim tjetër. Por nuk mund të them se kur mund të ndodhë. Jemi në pritje të ftesës.

DW: Kryeministër Hoti, shqyrtimi i aktakuzës së paraqitur kundër presidentit Thaçi, mund të marrë kohë deri në tetor siç është njoftuar nga Gjykata Speciale, ose të shtyhet në një kohë të parashikushme. Sikur ndërkohë Kosova të marrë nga Shtëpia e Bardhë ftesë për një takim tjetër me Serbinë, a do të jetë edhe presidenti pjesë e delegacionit për në SHBA?

Hoti: Nuk e di, por ajo që e di është që sa i përket procesit të dialogut ne jemi të përgatitur dhe në procesin e dialogut Kosova përfaqësohet nga kryeministri.

DW: Pra do ta udhëhiqni ju delegacionin e Kosovës në dialog, apo presidenti Thaçi?

Hoti: Në bazë të Kushtetutës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar sa i përket procesit të dialogut, është qeveria që ka përgjegjësi kushtetuese të udhëheqë këtë proces.

Shpërndaje në: