Hoti: Nëse dështon PAN-i, do ta bëjmë qeverinë pa PDK-në

Hoti: Nëse dështon PAN-i, do ta bëjmë qeverinë pa PDK-në

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR dhe Alternativa, Avdullah Hoti të enjten i ka bërë thirrje të gjitha partive politike të dala nga rezultati zgjedhor i 11 qershorit të respektojnë Kushtetutën dhe afatet kushtetuese për themelimin sa më parë të institucioneve të Kosovës.

Ai tha se vendi nuk duhet humbur asnjë ditë të vetme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re, për të mos vuajtur bizneset asnjë ditë të vetme për shkak të mungesës së institucioneve.Hoti tha se nuk janë të gatshëm që të bashkëpunojnë me PAN-in dhe sipas tij, në momentin që huqet e drejta nga koalicioni PAN për formimin e institucioneve do të angazhohen shpejt për të filluar diskutimet me të gjitha partitë politike përveç PDK-së për formimin e Qeverisë.

“Pasi të konsumohet kjo e drejtë kushtetuese nga koalicioni i parë, nga koalicioni PAN, ne pastaj futemi në diskutime. Në këtë fazë ne nuk mund të zhvillojmë diskutimet duke qenë se nuk jemi të madatuar për formimin e Qeverisë. Është e drejt kushtetuese e koalicionit PAN që të provoj themelimin e Qeverisë, ndoshta PAN arrin që ta themelojë Qeverinë duke bashkëpunuar me Vetëvendosjen për të bërë votat e nevojshme. Mirëpo, për aq sa unë jam në dijeni dhe si po i shoh deklarimet e VV-së nuk janë të gatshëm që të bashkëpunojnë me ta. Ne nuk jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me ta dhe teknikisht duket që është e pa mundur që të themelohet një Qeveri nga koalicioni PAN. Ne po bëjmë thirrje pra, që të shfrytëzohet e drejta kushtetuese e tyre për të provuar themelimin e Qeverisë dhe menjëherë të kaloj tek grupet tjera parlamentare që mund të ofrohen për votat e nevojshme për themelimin e Qeverisë. Në atë moment që të konsumohet kjo e drejtë ne menherë do të reagojmë dhe angazhohemi në diskutimin me të gjitha partitë politike përveç PDK-së”, theksoi Hoti.

Këto komente i bëri Hoti me përfaqësuesit e bizneseve, ku u diskutua për nevojën dhe avancimin e dialogut me bizneset. Sipas tij, progresi i arritur për dy vjet e gjysmë të qeverisjes nuk duhet të dëmtohet tash nga mungesa e institucioneve.

Shpërndaje në: