Hoti publikon statistikat për të kritikuar Kurtin: Qeverinë e dorëzova me rritje ekonomike, tani trendi është në rënie

Hoti publikon statistikat për të kritikuar Kurtin: Qeverinë e dorëzova me rritje ekonomike, tani trendi është në rënie

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se gjatë qeverisjes së tij ka pasur zhvillim ekonomik, duke pretenduar përmes një grafike që me Qeverinë e Albin Kurtit “ka rënie të këtij trendi”.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti thotë se ka punuar shumë që ta nxjerrë nga kriza ekonominë e dëmtuar prej pandemisë COVID-19.

Mandje thotë se ia ka dorëzuar Kurtit qeverisje me rritje pozitive ekonomike.

“Në qeverinë e udhëhequr nga unë, kemi punuar shumë për të nxjerrë ekonominë nga kriza për shkak të pandemisë. E kthyem trendin pozitiv që në muajtë e parë të vitit 2021. E dorëzuam mandatin me rritje pozitive ekonomike, me baza të mira për të vazhduar më tutje. Që nga atëherë, trendi i rritjes ekonomike është në rënie. Sigurisht shkaktarë janë edhe faktorët e jashtëm, por në politika ekonomike dhe fiskale nuk është ndërmarrë asnjë veprim domethënës”, ka shkruar ai në Facebok, të mërkurën.

Madje thotë se ekzekutivi i Kurtit është i mbyllur ndaj komunitetit të biznesit.

“Qeveria është mbyllur plotësisht ndaj bizneseve. Nuk është mbajtur asnjë mbledhje e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik për të diskutuar shqetësimet e bizneseve dhe për të zhvilluar politikat e reja ekonomike”, ka thënë ai.

Qeveria e Albin Kurtit është krenuar për rritje ekonomike dyshifrore gjatë vitit 2021.

Shpërndaje në: