Hoxha më iluminist në Kosovë flet për Teorinë e Darvinit, faljen në gjuhën amëtare, homoseksualët, gratë dhe islamofobinë

Hoxha më iluminist në Kosovë flet për Teorinë e Darvinit, faljen në gjuhën amëtare, homoseksualët, gratë dhe islamofobinë

Kjo është një intervistë e zhvilluar nga Periskopi me z.Drilon Hoxha, i cili së fundi ra në spikamën e opinionit publik me qëndrimet e tij të përkundërta me një pjesë të madhe hoxhallarësh të njohur në Kosovë.

Periskopi:

1-Ju morët vëmendjen e opinionit publik si një hoxhë që e pranonte Teorinë e Darvinit. A ka edhe shumë të tjerë që e pranojnë teorinë në fjalë?

Drilon Gashi:

Për evolucionin, në përgjithësi njerëzia janë ndarë në dy grupe kryesore:

Grupi i parë mohojnë evolucionin në tërësi dhe besojnë në konceptin e krijimit të veçantë për secilin lloj. Këta janë ashtuquajtur kreacionistë. Kreacionistët e parë ishin të krishterë dhe pretenduan se bota u krijua në një periudhë prej gjashtë ditësh, dhe një ditë ishte njëzet e katër orë. Sipas tyre bota është e vjetër vetëm disa mijëra vjeç dhe perëndia krijoi forma të jetës në tokë, pa përdorur format paraprake të jetës për ta bërë këtë. Kreacionistët refuzojnë të pranojnë edhe shkencën e mirëfilltë në qoftë se ajo bie në kundërshtim me kuptimin e tyre të kuptimit të drejtpërdrejtë të fjalëve të Zanafillës apo një libri tjetër të shenjtë që ata i besojnë.

Grupi i dytë e pranojnë evolucionin e specieve dhe thonë se origjina e tyre ishte e përbashkët, prej së cilës kanë evoluar llojet e tjera ekzistuese, mirëpo mendojnë se krejt ky proces ka ndodhur rastësisht, vetvetiu pa ndonjë shkaktar. Sipas tyre nuk ka një arsye për të besuar në një Zot që e udhëheq gjithë këtë proces dhe nuk është e nevojshme ndërhyrja ose drejtimi i një subjekti mbinatyror. Trashëgimi, ndryshimi i rastësishëm dhe përzgjedhja natyrore janë të mjaftueshme për të shpjeguar strukturat komplekse të jetës. Ligjet e natyrës janë të mjaftueshme për të shpjeguar të gjitha fenomenet fizike, pa nevojën për të thirrur një qenie mbinatyrore. Ky evolucion është quajtur evolucioni ateist.

Ekzistojnë edhe pozicione tjera. Ka edhe të atillë që thotë se Zoti ka krijuar krijesat sipas evolucionit, përveç njeriut, të cilin e ka krijuar me një krijim të veçantë. Këtë mendim e ka dhënë Zaglul Nexhari, Jusuf Kardavi dhe Jasir Qadhi, bazuar në kuptimin përciptazi të disa ajeteve kuranore që thonë se njeriu është krijuar nga balta. Edhe ky mendim është i pa bazë dhe faktet e shkencës bashkëkohore e kundërshtojnë atë.

Kreacionistët nuk kanë një vlerësim të mjaftueshëm të Biblës apo Kuranit për krijimin, si rrjedhojë ata e komprometojnë veten me kundërshtimet e tyre të pabaza kundër evolucionit.

Edhe evolucionistët ateistë nuk mund të kenë një vlerësim të mjaftueshëm shkencor për jetën dhe botën dhe e komprometojnë vetveten kur shiten si anti-intelektual duke mohuar metafizikën dhe logjikën përmes fizikës dhe shkencave natyrore.

Ne mendojmë se e vërteta qëndron në evolucionin e drejtuar nga Zoti apo EVOLUCIONIN hyjnor TEISTIK. Ky drejtim e bashkon shkencën me logjikën e shëndoshë; i pranon të dhënat shkencore që e pohojnë evolucionin e specieve e sidomos atë gjenetik organik, mirëpo këtë proces e komenton komfor logjikës së shëndoshë; evolucioni nuk bëhet rastësisht dhe nuk e ka seleksionuar“nëna natyrë”, por është ligj i Zotit në krijimin e gjërave, pra është seleksionim hyjnor që bëhet prej Zotit.

Kurani nuk është libër biologjie dhe nuk përmendet qartë se si u zhvilluan njerëzit e parë, por na ka urdhëruar neve që të eksplorojmë natyrën dhe të shohim se si ka filluar jeta:  [Thuaj: “Udhëtoni nëpër tokë e shikoni se si filloi krijimi, pastaj All-llahu e fillon krijesën tjetër (ringjalljen). Është e vërtetë se All-llahu ka mundësi për çdo send”](Ankebut, 20). Marrja e disa ajeteve përciptazi dhe konkluzioni se Kurani e kundërshton evolucionin është krim. Përkundrazi, në kuran ka shumë shenja që përkrahin evoluimin e kozmosit dhe specieve të gjalla, të cilat i kemi përmendur në disa prej shkrimeve tona.

Darvini nuk ishte i pari që trokiti në derën e Evolucionit, por në të vërtetë ai e zhvilloi atë. Në Perëndim, teoria e evolucionit është përmendur para Darvinit. Të gjithë kemi dëgjuar për francezin Jean-Baptiste De Lamarck që themeloi një teori shumë të famshme mbi evoluimin e specieve.

Edhe në lindje, dijetarët islam për këtë teori kanë dhënë shenjë para një mijë viteve. Në vijim po përmendim disa prej tyre:

-Në librin e tij të vitit 1874, i titulluar “Historia e konfliktit në mes të fesë dhe shkencës”, John Ëilliam Draper, një shkencëtar dhe bashkëkohës i Charles Darëin, kritikoi Kishën Katolike për mosnjohjen e “teorisë së Muhamedit për evolucionin e njeriut nga format më të ulta, zhvillimi në gjendjen e tij të tanishme gjatë një periudhe të gjatë kohore.

-Ibn Khaldun në librin e tij të sociologjisë “Al Muqaddimah” flet për transformimin e specieve në një mënyrë të habitshme.

-Gjithashtu Al-Xhahidh, dijetari i madh Mu’tazilit, në librin e tij tetë volume që shkroi për kafshët (Kitab al-Hayavan),para një mijë viteve e përmendi transformimin dhe evoluimin e specieve në një farë mënyre.

-Në të njëjtin shekull, dijetari persian Ibn Miskavahy shkroi në lidhje me evolucionin e njeriut në librat e tij, Tahdibi dhe Favz al-axhari.

-Në Turqi, dijetarë dhe hoxhallarë të rëndësishëm myslimanë u përpoqën të pranonin teorinë e evolucionit në shkrimet islame gjatë dekadave të para të Republikës Turke. Në mesin e tyre mund të përmendim Ahmed Hamdi Akseki dhe Süleyman Ates. Bile  mendimtar mysliman turk Erzurumlu Iebbim Hakki (në vitin 1772) pati një qasje evolucionare para Darvinit (1882), ku në librin e tij të famshëm Marifetname (Libri i Dijes), përmblodhi teorinë e tij të evolucionit nëpërmjet një qasje mistike.

– Ishsmail Hakkı I˙zmirli, shkroi një artikull të titulluar “Filozofia e Ihvan Es-Saffa dhe Teoria e Evolucionit në Islam “. Në këtë artikull, Ižzmirli ishte absolutisht i sigurt se Ihvanu Es-Saffa në shekullin e dhjetë e zhvilluan teorinë shumë kohë përpara se ta bënte Charles Darvini. Dallimi i vetëm është se ata e quajtën “hiri hyjnor” atë që Darvini e quajti “përzgjedhje natyrore”.

-Këtë mendim e përkrahën edhe shumë dijetarë tjerë mysliman, si f.v: Xhemaluddin Afgani, Muhamed Abduhu, Rashid Rida, Husejn Al-Jisri, etj.

-Prej bashkëkohorëve më eminent që kanë shkruar libra dhe kanë mbajtur ligjërata në you tube në përkrahje të evolucionit janë edhe Nidhal Kasum, Basil AlTai, Amër Sherif, Adnan Ibrahim, etj.

Në përgjithësi, ajo që duhet të dimë është se faktet e shkencave eksperimentale, për të cilat ka dëshmuar shqisa apo logjika e shëndoshë, në mënyrë të prerë janë edhe fakte sheriatike.
Ne kemi nevojë të heqim dorë nga shenjat e injorancës që varen mbi kokën tonë dhe duhet të jemi mjaft modest për sa i përket të dhënave shkencore. Të pajtohemi ose të mos pajtohemi është e drejtë e specialistëve që i studiojnë këto gjëra.
“Dhe mos e ndiqni atë për të cilën ju nuk keni njohuri. Në të vërtetë, dëgjimi, të pamët dhe zemra – për të gjithë këto [ata do të merren në pyetje] ka përgjegjësi] (Isra, 36).

Periskopi: 

2- Keni shprehur qëndrimin se në Kuran është e lejuar edhe falja në gjuhën amtare. Pse mendoni që hoxhallarët e tjerë e kundërshtojnë mendimin tuaj?

Drilon Gashi:

Ajo që unë kam përmendur ka të bëjë me kategorinë e atyre që nuk e kuptojnë gjuhën arabe dhe nuk janë në gjendje të lexojnë kuranin në origjinal.

Në të vërtetë, mjeshtri i doktrinës hanefite [Abu Hanifa] para 1000 vjetësh ka guxuar ta hapë këtë tematikë, ku në librin “Al Xhamiu As-Sagijr” tekstualisht thuhet: “Transmeton Muhamedi (Ibn Hasen Shejbani) nga Jakubi (Ebu Jusufi) e ky nga Ebu Hanifja se ai është pyetur për një njeri që e hap namazin (merr tekbirin fillestar duke thënë Allahu Ekber) në gjuhën perse, apo e lexon kuranin në namaz në gjuhën perse, apo kur e ther kafshën e thotë Bismilahin në gjuhën perse, duke e njohur mirë gjuhën arabe, a i vlen ky veprim?
Ebu Hanifja ka thënë: Po.
Dy nxënësit e tij, Ebu Jusufi dhe Muhamedi kanë thënë: Nuk i lejohet atij kjo gjë, ndërsa nëse nuk e din gjuhën arabe, atëherë i lejohet edhe sipas tyre”. (përfundoi citimi)
Përmendet prej Ebu Hanifes, se ai është kthyer nga ky mendim dhe në fund ka pajtuar me mendimin e dy nxënësve të tij. Si rrjedhojë, nëse një person që nuk e din gjuhën arabe, e fal namazin në një gjuhë tjetër, f.v. Thotë: Allahu është më i Madhi dhe pastaj e këndon Kuranin me përkthim në gjuhën shqipe, namazi i tij është në rregull sipas mendimit të dijetarëve klasik të shkollës sonë hanefite.

Ai që nuk di të lexojë kuranin arabisht, urdhërohet që ta kujtojë Zotin dhe të bëj zikër. Përkthimi i kuranit në gjuhën perse apo shqipe është një lloj dhikri, prandaj ku person lejohet që ta recitojë në namaz?!

Ai i cili thotë se këtij personi nuk i pranohet namazi në këtë formë, ai duhet të sjellë argument të besueshëm, përndryshe pretendimi i tij mbetet i kotë.

Ndërsa në pyetjen tuaj pse hoxhallarët e tjerë e kundërshtojnë mendimin tuaj, them:

Është e natyrshme që hoxhallarët të kenë divergjenca të shumta, siç kanë edhe filozofët, psikologët, shkencëtarët, politikanët e kështu me radhë, dhe kjo nuk dëshmon në ndaljen e kërkimit të së vërtetës dhe gjurmimin e argumenteve, përkundrazi.

Shkaqet e mendimeve të ndryshme dhe divergjencave janë të ndryshme, sepse dallon doktrina, qasja, përgatitja profesionale, kuptimi, qëllimi, e  kështu me radhë. Ajo që është me rëndësi është toleranca, të jemi mendjehapur, të respektojmë mendimin tjetër dhe të mbesim vëllezër ashtu siç jemi urdhëruar.

Periskopi:

3-A besoni që feja islame është diskriminuese ndaj grave – dhe a mendoni se kjo duhet të ndryshojë?

Drilon Gashi:

Feja islame nuk e ka diskriminuar femrën në asnjë mënyrë, por këtë e kanë bërë arabët dhe shqiptarët.

Sipas kuranit, gruaja është e njëjtë me burrin, sepse janë krijuar prej të njëtës origjinë dhe qelizë. Ajo që i dallon është thjeshtë gjinia e tyre dhe detyrat e ndryshme që kanë kundrejt njëri tjetrit dhe shoqërisë.

Ka dallim barazimi para Zotit; që gratë të jenë të vlerësuara dhe të gëzojnë autoritet në familje dhe shoqëri dhe tjetër gjë është barazia gjinore në të gjithat fushat specifike të jetës. Kjo e fundit i bie që shembull femrën ta bëjmë edhe imam në namazin kolektiv para burrave në xhami, gjë që nuk preferohet, sepse atëherë a të koncentrohet xhemati në namaz apo bukurinë e saj? Ky justifikim i joni në këtë rast është i preferueshëm dhe nuk paraqet diskriminim gjinor asnjëherë.

Shembull tjetër: Neve e dimë se gruaja zakonisht kur martohet, merr pajën e nusërisë nga burri, mehrin dhe shkon për të jetuar në shtëpinë e tij dhe atje ka një hise tjetër të pasurisë. Në legjislacionin e trashëgimisë, nëse babai do t’ia ndante dy hise pasurie vajzës sikurse edhe djalit, atëherë gruas do ti bëheshin tri,  ndërsa djalit do ti bënim padrejtësi, sepse ai i shkreti zakonisht duhet të kujdeset për familjen, ndërsa gruaja nuk e ka me borxh çdo here.

Shembull tjetër: Dëshmia e gruas sa gjysma e dëshmisë së burrit në gjyq. Ky është një dyshim tjetër, prej të cilit disa dashakeqas e sulmojnë kuranin.

Është e vërtetë psikologjike dhe anatomike se tek mashkulli në përgjithësi dominon më shumë ana racionale, ndërsa gruaja ka më shumë karakter emocional. Burri zakonisht është më i plotë për nga ana logjike, ndërsa I mangët nga ana emocionale dhe ajo e ndjenjave, ndërsa gruaja është me e plotë për nga ndjenjat e saja sesa burri, por më e mangët nga ana racionale. Për këtë arsye, ata duhet të mundohen ta plotësojnë mangësitë e njëri-tjetrit së bashku.

Përderisa, tek gruaja dominon ana emocionale, atëherë ajo ka nevojë që të ketë një ndihmës siç e përmend Kurani, në rastin e dëshmivë për krime të rënda.

Kjo nuk presupozon që femra na qenka me gjysme truri, siç e kanë kuptuar disa injorantë, absolutisht. Pamundësia e njeriut që të bëjë një gjë, nuk konsiderohet mungesë. Për shembull, unë mund të jem një kontabilist i mirë, mirëpo injorant në mjekësi. Dikush tjetër mund të jetë një mjek i mirë, por injorant në inxhinieri. Gjarpri mbrohet me anë të helmit, e iriqi mbrohet me thera. Burri nuk mund të lind e as ti jap gji një fëmije, ndërsa gruaja zakonisht nuk mund të punojë në xeherore.

Nga një diversitet i tillë i jetës dhe natyrës sonë, përkundrazi, rezulton një plotësim I mrekullueshëm.

Gruaja në mënyrë që të bëhet dëshmitare në gjyq, zakonisht ajo duhet ta dëshmojë një krim të veçantë, e në këtë rast ka mundësi që emocionet e saja ta bëjnë të vetën dhe ta mundin trurin e saj, sidomos atëherë kur sheh ngjyrën e gjakut përshembull, ose imazhin e një krimineli, ose mund ta mbulojë frika apo tmerrohet, gjëra këto që lehtë mund të shkaktojnë tek ajo mungesën e detajit të krimit në fjalë, prandaj ajo ka nevojë për një ndihmëtar nga ky aspekt.

Mund të thotë dikush: Por ka raste kur gruaja është me racionale sesa burri.

Themi: Po, mirëpo kodi legjislativ zakonisht merr parasysh shumicën e rasteve dhe në bazë të kësaj formulon ligjin.

Kjo për atë grua që nuk merret zakonisht me dëshmi dhe nuk punon në komune. Ndërsa gruaja e cila është e kalitur më këto gjëra dhe specialiste e fushës, ajo mund të bëj përjashtim. Dhe Zoti e di më mirë.

Ka edhe shumë dyshime në lidhje me statusin e gruas në islam, dyshime këto që nuk mund ti sqarojmë të gjithë në një shkrim si ky.

Periskopi:

4-Viteve të fundit, shumë hoxhallarë të ndryshëm kosovarë i kanë sulmuar homoseksualët. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje?

Drilon Gashi: 

Kurani e ndalon homoseksualizmin, dhe kjo mund të kuptohet nga vargjet që flasim për të, si f.v. kaptina: Araf: 80,81, Shuara: 165,166, Neml: 54-56, etj. Megjithëkëtë, kurani askund nuk urdhëron që këta njerëz të vriten. Edhe gojëdhëna që i atribuohet profetit, se kinse ai e paska urdhëruar një gjë të tillë, nuk qëndron si argument i verifikuar.

Homoseksualizmi jo vetëm sipas librit të Shenjtë, por edhe logjikisht është një punë e keqe, sepse qon ne shkatërrimin e pasardhësve, e nëse shkatërrohen pasardhësit atëherë kjo është rrugë që shpie në farosjen e njerëzimit dhe shkon poshtë urtësia e krijimit të botes. Si ka mundësi që morale të konsiderohet ajo gjë që shkatërron shoqërinë?!

Te njeriu nuk është instinkti ai qe përcakton dhe dallon te mirën dhe te keqen, por është arsyeja e cila duhet t’i mbizotërojë ato. Ne nuk jemi kafshë të thjeshta që bazohemi vetëm tek instinkti. Nëse akti i seksit te se njëjtës gjini qenka ne përputhje me kërkesat e natyrës,  atëherë edhe vrasjet qe kafshët ua bëjnë te vegjëlve te tyre dhe kanibalizmi brenda te njëjtës specie qenkan ne përputhje me natyrën e tyre!

Këtë e kundërshton edhe zakoni ynë, sepse nuk ka qenë e njohur më parë të baballarët e as stërgjyshërit tanë. Në qoftë se dynjaja ka marrë tatëpjetën, pse duhet ta marrim edhe ne shqiptarët?

Nëse dikush thotë se ka prej homoseksualeve qe janë shkencëtarë, themi se ka autistë qe janë tejet te shkathet ne matematikë, por ne anën tjetër si pasoje e çrregullimeve kane kapacitet te hane një tepsi pite pa u ndalur dhe nuk janë ne dijeni për këtë, për këtë arsye i dërgojmë teks psikologu i veçantë që merret me këtë lami.

Tjetër: Nëse ne lejojmë homoseksualizmin, pse nuk duhet ta lejojmë edhe zhveshjen nudo, martesën me kafshë, orgjinë apo martesën në grup.

Nëse homoseksualizmin qenka preference seksual,atëherë edhe pedofilia nuk është asgjë tjetër përveç se preference seksuale. Qashtu edhe nekrofilija, zoofilija, incesti etj. Edhe këto gjëra sipas shkencës mund të mos jenë te dëmshme.

Si ka mundësi që birësimi për homoseksualet të jetë i drejtë, kur kjo e detyron një fëmijë të vogël të ketë dy baba ose dy nena. Fëmiu i cili rritet një femije me dy baba dhe pa asnjë nene dhe anasjelltas a do të rritet pa asnjë problem psikik?

Pra, nëse e konsiderojmë thjeshtë si një preferencë seksuale, kjo është e dëmshme për shoqërinë tonë, në shumë aspekte.

E nëse në një të ardhme të afërt zbulohet që është një çrregullim psikologjik apo fizik i individit, atëherë duhet kuruar me metoda mjekësore dhe psikologjike, ashtu siç kurohen të gjitha çrregullimet e tjera.

Këto gjëra ne duhet t’i studiojmë me vëmendje. Jo çdo gjë që e lejon ligji, e do Zoti dhe duhet të veprohet. Me ligj mund të lejohen edhe shtëpitë publike, alkooli, lidhja jashtëmartesore, fajdja, nrënien e mallit të jetimit, etj, por të gjitha këto janë vepra të urryera të Zoti i madhëruar. Zoti është i mëshirshëm dhe fal çdo gjynah.

Kjo që tham për homoseksualizmin, nuk duhet të nënkuptohet si sulm ndaj tyre, absolutisht, por thjeshtë është një opinion imi, sepse këtë moral nuk ja dëshiroi as evlatit tim.

Tek e fundit Edhe ata janë njerëz dhe krijesa të Zotit. Ne nuk urrejmë njerëzit, por veprat e tyre të liga.

Periskopi:

5-A mendoni se një pjesë myslimanësh në Kosovë vuajnë nga islamofobia?

Drilon Gashi: 

Në Kosovë si në çdo vende të botës mund të ketë fobira të ndryshme. Ka mundësi që dikush të ketë islamofobi, dikush tjetër sunitofobi, shiitofobi, sufismofobi, sehirofobi, shkencofobi, e besa edhe drilonofobi.

Sunitofobia është shfaqur tek shteti i Iranit; shembull në kryeqytetin e tij Teheran skemi as edhe një xhami të vetme synite, me gjithë faktin se aty ka rreth 20 sinagoga, kisha, dhe tempuj tjerë adhurimi të feve tjera!!!
Shiitofobia është përhapur sidomos në mesin e synive, saqë disa nuk i hanë as hurmat që vijnë prej Iranit, bile së fundi më ka rastisur të shoh se si disa njerëz frikësohen të dëgjojnë kuran prej një djaloshi, vetëm pse është shia!!!
Sufizmofobia edhe kjo është e shfaqur, sidomos tek vëllëzërit e tane selefij…
Sehirefobia, edhe kjo është mjaft e shfaqur në popull, sidomos tek gratë.
Shkencofobia është e shfaqur tek disa që nuk e njohin atë; kanë frikë prej teorive shkencore siç është Teoria e Evolucionit, etj.
Ndërsa drilonofobia, edhe kjo ka përmasat e saja, here me parullat “Kini kujdes nga hoxhë Drilon Gashi!” e herë duke keqpërdorë foton time me shkronjën X të madhe, e herë herë duke më bllokuar nga faqet, forumet dhe mexhliset e tyre.

Megjithëkëtë, në përgjithësi populli ynë shqiptar nuk mendoj që kanë islamofobi, sepse islami ka qenë fe e tij dekada me radhë. Ajo që ja kanë frikën më shumë janë disa interpretime radikale të islamit të cilat kanë hyrë ne vendin tonë pas luftes së fundit të Kosovës  e këndej. Shtoja kësaj edhe ngjarjet e fundit në botën islame, të cilat e kanë bërë të vetën gjithashtu.

Periskopi:

6-A është Kosova ende e rrezikuar nga rrymat ekstreme fetare?

Drilon Gsahi:

Japonia u godit nga bombat bërthamore dhe u ngrit pas dy dekadave, ndërsa ne myslimanët, në veçanti arabët dhe shqiptarët, u goditëm me bombat e ekstremizmit sektar dhe grupor dhe nuk u mëkembën deri më sot. Kështu, eksperimentet reale kanë treguar se bombat sektare dhe ekstremizmi sektar janë llojet më vdekjeprurëse të bombave.

Ekstremizmi çon deri në terrorizëm dhe kohët e fundit njerëzimi ka qenë dëshmitar i disa sulmeve terroriste neper disa vende të botës së civilizuar. Terrorizmi nuk ka fe, por mund të ketë një doktrinë, një sekt, një ideologji dhe një mjeshtër. Në fakt këta njerëz që bëjnë sulme të tilla janë kriminelë të rrezikshëm, janë armiqë të paqes, armiqë të jetës, armiqë të njerëzimit, të artit dhe armiqtë e qytetërimit. Ata janë kanceri vdekjeprurës i shoqërive, të cilët duhet të shkatërrohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Edhe pse ISIS-i ka rënë, rrënjët e tij vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot e kësaj dite.

A është Kosova e rrezikuar prej rrymave të tilla ekstreme? Them se po, dhe këtë frymë të ekstremizmit po e jetojmë çdo ditë. Vetëm në adresën time, kohën e fundit janë drejtuar mbi njëqind sharje, fyerje dhe kërcënime nga më të ndryshmet, vetëm pse mendoj ndryshe nga ajo që besojnë ata. A nuk është kjo ekstremizëm?

Janë shpërndarë me qindra libra të përkthyera nga autorë ekstremistë, e nganjëherë edhe pa autorë farë, libra këto që sipas statistikave dhe specialistëve të fushës konsiderohen brumi dhe karburanti kryesor i ISIS-it. Më e keqja e kësaj është se disa prej këtyre librave janë përkthyer dhe recensuar nga punëtor të Bashkësisë Islame të Kosovës!

Faj tjetër kyç i gjithë kësaj është edhe ligjërimi i varfër fetar dogmatik që ka zënë vend tek masa e thjeshtë. Shumë hoxhallarë neper shkrimet e tyre dhe You Tube po përdorin gjuhën e urrejtjes dhe përçarjes për doktrinat e tjera, e kjo nuk i shërben fare unitetit e as kombit tonë. Të njëjtën e bënin edhe në Siri e Irak, derisa kjo çoi në shkatërrimin e atyre vendeve. Ne nuk dëshirojmë që e njëjta gjë të përhapet edhe në vendin tonë.

“Islamet” e importuara ekstreme kanë lindur si pasojë e amullisë dhe shuarjes së mendimit kritik brenda safave të myslimanëve.

Shërimi nga këto ekstremizma vie duke i dhënë jetë dhe dinamizëm mendimit kritik. Mendimi kritik dhe i lirë i vret ekstremistët dhe ne po mundohemi që një kohë të gjatë ta bëjmë këtë gjë. Ne duhet të mobilizohemi që të gjithë dhe ta luftojmë çdo dukuri negative që përhapet në shoqëri, sepse nëse nuk e kurojmë me vakt, ajo është sikur virusi, një ditë e shkatërron shoqërinë mbarë.

Zoti e mbrojt vendin dhe popullin tonë prej çdo të keqeje! Amin.

Shpërndaje në: