Hoxhaj do reagim më t’gjallë të Qeverisë për Ukrainën: Synimet e Putinit të ngjashme me Hitlerin dhe Millosheviqin

Hoxhaj do reagim më t’gjallë të Qeverisë për Ukrainën: Synimet e Putinit të ngjashme me Hitlerin dhe Millosheviqin

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-ministri Enver Hoxhaj, i kërkon qeverisë së Kosovës të pozicionohet qartë ndaj situatës në Ukrainë.

Nëpërmjet një statusi në Facebook, Hoxhaj kujtoj kohën kur në vitin 2014, Qeveria e Kosovës i kishte vendosur sanksione Rusisë, kur kjo e kishte aneksuar Krimenë.

“Nuk po i vringëlloj shpatat kundër Rusisë! Por, është me rëndësi për Kosovën – e pushtuar dhunshëm nga Serbia deri më 1999, e kërcënuar çdo ditë nga ajo pas 2008-s, e bllokuar që 15 vite ndërkombëtarisht nga Rusia – të solidarizohet me tragjedinë e Ukrainës! Nuk ka nevojë për dije gjeopolitike sepse çdokush mund ta imagjinojë dramën atje! Por, kur je në pozitë të vendimmarrjes ajo që të trazon para se ta bësh një deklaratë publike është se a duhet t’i ndjekësh vetëm interesat e vendit tënd apo edhe parimet morale për kauza të tjera në botë!”, shkruan Hoxhaj.

Shkrimi i plotë, përcjell Periskopi:

Rreziku që lufta mund të shpërthejë çdo ditë në mes Evropës është njohur për të gjithë, vetëm Kosova nuk e njeh dhe sheh këtë! Është e rrezikshme heshtja dhe paraliza e Kosovës në kriza të mëdha ndërkombëtare qoftë edhe për të bërë një deklaratë dhe për të dënuar kërcënimin e tmerrshëm rus në Ukrainë! A do të thotë që duam të mbajmë qëndrim asnjanës ndaj krizës në Ukrainë?

Nga Kosova askush nuk pret armë, por të paktën një deklaratë! Apo thjeshtë kjo heshtje e Kosovës ka të bëjë me mungesë të qëndrimit të qartë kundër agresionit rus, me neutralitetin tonë në politikën e jashtme? Apo po pret Kosova që dikush t’ia kërkojë deklarimin?

Jam shumë krenar që me vendosmërinë time Qeveria e Kosovës vendosi sanksione kundër Rusisë, kur Rusia e aneksoi Krimenë më 2014. Këtë, nuk ma kërkoi askush, as këndej e as përtej detit! Mirëpo, qëllimi ishte i qartë, që ne si shtet i vogël të ofrojmë mbështetje publike dhe të rreshtohemi karshi botës demokratike!

Çfarë synon Putini sot është njëjtë se çfarë synonte Hitleri më 1939 në Evropë dhe Millosheviqi më 1989 në Ballkan! Demokracitë – edhe të vogla, nuk guxojnë kurrë të dorëzohen para regjimeve autoritare dhe synimeve pushtuese!

Nuk po i vringëlloj shpatat kundër Rusisë! Por, është me rëndësi për Kosovën – e pushtuar dhunshëm nga Serbia deri më 1999, e kërcënuar çdo ditë nga ajo pas 2008-s, e bllokuar që 15 vite ndërkombëtarisht nga Rusia – të solidarizohet me tragjedinë e Ukrainës! Nuk ka nevojë për dije gjeopolitike sepse çdokush mund ta imagjinojë dramën atje! Por, kur je në pozitë të vendimmarrjes ajo që të trazon para se ta bësh një deklaratë publike është se a duhet t’i ndjekësh vetëm interesat e vendit tënd apo edhe parimet morale për kauza të tjera në botë!

Jam i bindur që në Ukrainë edhe interesat dhe parimet e çdo demokracie po kërcënohen, sepse atje po kërcënohet paqja dhe siguria në mes të Evropës! Çka fillon keq, fillon në Evropën Lindore dhe përfundon keq në Ballkan!

Shpërndaje në: