Hoxhaj: Ministria e Jashtme propozoi ambasadorët tek u.d së presidentit pa e konsultuar kryeministrin

Hoxhaj: Ministria e Jashtme propozoi ambasadorët tek u.d së presidentit pa e konsultuar kryeministrin

Ushtruesi i detyrës së kreut të PDK’së, Enver Hoxhaj,  ka thënë se ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj Stublla, ka propozuar ambasadorët tek ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, pa u konsultuar fare me kryeministrin Avdullah Hoti.

Fillimisht Hoxhaj hezitoi të fliste për punën e Haradinajt si ministre e Jashtme, por më pas hodhi akuza ndaj saj.

“Nuk kemi adresë të qartë të përgjegjësisë se kush dhe çka bën. Ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj, i ka propozuar ambasadorët tek ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmanit, pa u konsultuar fillimisht me kryeministrin, siç do duhej”, është shprehur Hoxhaj.

Tutje, Hoxhaj tregoi se nuk do të kandidojë për pozitën e presidentit.

“Unë nuk jam kandidat për president”, tha Hoxhaj.

Ai sqaroi se detyra e tij aktuale është udhëheqja e PDK’së.

“Mu partia ma kanë besuar një detyrë në një situatë të tillë për PDK’në dhe e kam pranuar më shumë për arsye shoqërore se politike”, tha Hoxhaj.

“Unë e kam marrë një barrë në një kohë shumë të vështirë për PDK’në më shumë për shkak të një raporti miqësor me Kadri Veselin të cilin e njoh prej vitit 1997’, tha Hoxhaj.

Shpërndaje në: