Humbja e titullit: Krasniqi bën ankesë dhe paralajmëron padi, dyshon se Bosel përdori doping

Periskopi.com Lajme

Robin Krasniqi i ka bërë dy ankesa në Federatën Gjermane të Boksit dhe ka paralajmëruar padi, pas humbjes së titullit të botës në kategorinë gjysmë të rëndë në rimeçin me Dominic Bosel.

Krasniqi u mposht nga Bosel në rimeçin e IBO-së në fillim të këtij muaji në Magdeburg, me vendim të ndarë të gjyqtarëve. Një gjyqtar ia dha fitoren boksierit kosovar, i cili e përfaqëson Gjermaninë, por për dy të tjerët Bosel ishte më i mirë, raporton Gazeta Express.

Menaxheri i tij, Luan Dreshaj, njoftoi të mërkurën se Krasniqi i ka bërë tashmë dy ankesa në Federatën Gjermane të Boksit dhe paralajmëroi se do të ngrejë padi nëse rezultati nuk ndryshohet pas dy javëve.

“Gjithsej Bosel ka pasur 29 goditje ilegale te Robini, çka është një skandal tepër i madh, kam diskutuar edhe me gjyqtarin që ka qenë në ring, është dashur që me kohë që t’i tërheq vërejtjen, por shihej se nuk dëshironte që ta bënte”, tha Dreshaj për Klan Kosova.

Dreshaj pretendoi Bosel ka mundësi të ketë përdorur substanca të palejuara para meçi, duke hedhur dyshime mbi kontrollin për doping ndaj tij.

“Është shumë e çuditshme se si Boesel ju ka mbijetuar disa goditjeje, të cilat një vit më para ka rënë në tokë, ka pësuar një nokaut, kemi dyshimet e mia dhe të gjithë, me procesin e kontrolleve të dopingut, kemi dyshime të mëdha, edhe ato i kemi përfshi në ankesën nëntë faqe që e kemi dorëzuar tek Federata e Boksit Gjerman”, theksoi Dreshaj.

Ai shtoi: “Ankesën e parë e kemi bërë brenda 24 orëve, teksa ankesën e dytë e kemi bërë brenda 48 orëve me detaje me nëntë faqe, të premten e kaluar, do të thotë çdo gjë në afatin e duhur, nëse ata në një afat prej 10-14 ditësh nuk e ndryshojnë rezultatin, ne do të ngremë padi”.

34-vjeçari nga Juniku e kishte fituar këtë titull jo aq të rëndësishëm pikërisht duke e mundur Boselin një vit më parë. IBO nuk është njëri prej katër divizioneve në boksin profesionist (IBF, WBA, WBC dhe WBO).

Ai nuk arriti ta mbrojë atë në rimeç por nuk e ka pranuar humbjen assesi.

As rreth 5 mijë tifozë në Magdeburg nuk u pajtuan me vendimin e gjyqtarëve, sepse në sytë e tyre pati vetëm një fitues; Krasniqi, prandaj i fishkëllyen fitores së Bosel.

Krasniqi kishte thënë pas meçit se fitorja i ishte plaçkitur nga dora.

“Bëra gjithçka që duhej të bëja dhe nuk humba. Është shumë e trishtueshme për boksin gjerman. Ju mund ta shihni që unë mund të fitoja vetëm duke e nokautuar. E gjithë bota e pa që unë fitova. Ndihem i vjedhur”, kishte thënë junikasi pas meçit.