Hungaria refuzon kërkesën e Zelenskyt për armë dhe sanksione kundër Rusisë

Hungaria refuzon kërkesën e Zelenskyt për armë dhe sanksione kundër Rusisë

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka hedhur poshtë një kërkes të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për armë dhe sanksione më të ashpra kundër Rusisë, duke thënë se kjo do të ishte “kundër interesave të Hungarisë”.

Orban hodhi poshtë kërkesat e Zelensky në Këshillin Evropian “sepse ato janë në kundërshtim me interesat e Hungarisë”, tha në një deklaratë zëdhënësi i qeverisë hungareze Zoltan Kovacs.

“Hungaria dëshiron të qëndrojë jashtë kësaj lufte, kështu që nuk do të lejojë transferimin e armëve në Ukrainë”, tha Kovacs.

Orban thotë se pakica etnike-hungareze në perëndim të Ukrainës do të kërcënohej nëse Hungaria dërgon armë në Kiev, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Hungaria, një anëtare e BE-së dhe NATO-s, ka refuzuar të dërgojë ndihmë ushtarake në Kiev, ose ta lejojë atë të kalojë territorin e saj. Megjithatë, ajo ka lejuar më shumë se gjysmë milioni refugjatë ukrainas të hyjnë në territorin e saj.

Orban, një nacionalist, ka kultivuar lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin vitet e fundit.

Zelensky përdori një fjalim drejtuar liderëve të BE-së të enjten për t’i kërkuar Orbanit të miratojë zgjerimin e sanksioneve, të lejojë armët të kalojnë në Ukrainë dhe të ndërpresë lidhjet e biznesit me Rusinë.

“Dëgjo, Viktor, a e di se çfarë po ndodh në Mariupol?” tha Zelensky, duke iu referuar qytetit port të rrethuar juglindor të Ukrainës.

“Një herë e përgjithmonë duhet të vendosni me kë jeni”, tha ai.

Shpërndaje në: