Hyp peleti, hypin drutë: Masat e Qeverisë për zbutjen e krizës me rrymën shumë të vonuara, sipas BFG

Hyp peleti, hypin drutë: Masat e Qeverisë për zbutjen e krizës me rrymën shumë të vonuara, sipas BFG

Masat e ndërmarra nga qeveria për zbutjen e situatës me krizën energjetike janë të vonuara dhe nuk ofrojnë zgjidhje.

Kështu ka thënë hulumtuesi në Balkan Green Foundation(BFG), Besart Kosova gjatë publikimit të hulumtimit “Kriza energjetike në Ballkanin Perëndimor: Masat e ndërmarra në kohën e rritjes së çmimeve të energjisë”.

Hulumtuesi Kosova, me këtë rast ka thënë se lejimi përdorimit të thëngjillit është një formë e keqe dhe mesjetare për ngrohje.

“Masat e ndërmarrja nga qeveria për zbutjen e situatës me krizën me energji kanë qenë të vonuara. Fatkeqësisht kjo është një shpërfaqje e reaktivitetit tonë si shoqëri dhe jo pro aktivitetit, sepse ne gjithmonë reagojmë atëherë kur situata është veçse vonë. Këto masa natyrisht që e ndihmojnë situatën, por nuk e zgjidhin atë, për shkak se është dashur t’i paraprihet më herët. Ne kemi bërë thirrje shumë herë që të bëhen investime në energji të ripërtëritshme, sidomos në energji të erës, tha ai.

Sipas Kosovës, është për keqardhje që nuk ka ndonjë formë e cila mundëson zbutjen e krizës energjetike. Ai tha se çmimi për një metër kub dru ka arritur deri në 100 euro.

“Është për të ardhur keq që nuk ka ndonjë formë e cila mundëson zbutjen e krizës energjetike për qytetarët sidomos për ofrimin e formave të ngrohjes me energji qoftë nga druri dhe peleti, ndërsa çmimet vetëm se janë duke fluturuar. Sot e pamë që çmimi për një metër kub dru ka arritur deri në 100 euro, ndërsa peleti në 450 euro, kurse fatkeqësisht veprimet janë të ngathëta”, theksoi Kosova.

Ndërsa, në bazë të hulumtimit të BFG-së, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, kanë rezultuar që janë ndër shtetet më të ndikuara nga kriza energjetike.

Disa nga rekomandimet që dalin nga ky raport përfshijnë: avancimin e skemave të natyrës sociale për t’i mbështetur konsumatorët e varfër energjetik dhe për ta parandaluar dëmtimin e mëtejmë ekonomik për bizneset dhe industritë e caktuara; forcimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor lidhur me krizën energjetike dhe krijimin e një sistemi interkonektiviteti më të mirë.

Shpërndaje në: