I bllokohet xhirollogaria Komunës së Ulqinit, i kërkohen 6 milionë euro

I bllokohet xhirollogaria Komunës së Ulqinit, i kërkohen 6 milionë euro

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu, në Kuvendin e Malit të Zi, mbajti konferencë për media në të cilën shpalosi pakënaqësinë mbi gjendjen aktuale të rastit K1, i cili ka bllokuar xhirollogarinë e Komunës së Ulqinit.

Nimanbegu tha se kompania “Rekreaturs” nga Budva, anëtare e grupit “Atlas”, para disa ditësh e ka bllokuar edhe zyrtarisht xhirollogarinë e komunës së Ulqinit, kur edhe ka filluar përmbarimi i dhunshëm i kërkesave të paditësit në vlerë diç më të lartë se 6 milionë euro, për rastin nga viti 1983, kur në bazë të Vendimit të Komitetit Republikan për Urbanizëm të Malit të Zi, është rrënuar lagja turistike “K1” në Plazhin e Madh.

“T’ua përkujtoj se firma ‘Rekreaturs’ nga Kosova, pra Bashkësia vetëqeverisëse e interesit për pushime dhe rekreacion të punëtorëve të Kosovës, është regjistruar në Mal të Zi me një procedurë problematike, pasi që regjistrimin e kanë bërë disa punëtorë të kësaj firme, të ikur në Mal të Zi më 1999, duke marrë vendimin për zhvendosjen e selisë së ndërmarrjes. Se i tërë rasti është e dyshimtë dhe i bërë me paramendim, flet edhe fakti se në vitin 2002 firmën e ka blerë ‘Atlas grupa’ për 60.000 euro, e që disa vjet më vonë, pranë Gjykatës Ekonomike, vetëm në bazë të një borxhi ka kërkuar dëmshpërblimin prej 10,5 milionë euro, pikërisht për objektet që u kanë takuar Sindikatave të Kosovës. Ju përkujtoj se kjo ndërmarrje u bë pronare e ‘KAMENOVA-s’ për vetëm 60.000 euro. Dhe kjo tani vlen 14 milionë. Gjithashtu ‘Rekreaturs d.o.o. Budva’ është në proces me qytetarët e Budvës, ish-pronarët, dhe jemi në dijeni se edhe AKP (Agjencia për privatizim e Kosovës) është duke u kyçur në procesin e ri pranë Gjykatës në Kotor, ku AKP padit ‘Rekreatursin’ për prezantim të rrejshëm”, ka thënë Nimanbegu.

Ai ka thënë se Rekreatursi edhe më tutje është në evidencë dhe se ekziston në Kosovë (shih linkun http://www.pak-ks.org/desk/inc/media/3D9E3C34-2E40-486A-81A1-2784A2217222.pdf), “por këtë gjykatat tona, çuditërisht e anashkalojnë”.

“Sigurisht që është ende kontestues vet legjitimiteti i paditësit ‘Rekreaturs Budva’, dhe nuk ekziston asnjë aktvendim gjyqësor që mund të ma provoj të kundërtën dhe se nuk ka logjikë në Aktvendimin e gjyqit. Pra, mund ta them lirisht, se me vendimin e Gjyqit, dikush që është prezantuar rrejshëm është njohur si palë në procesin gjyqësor. Sot, pas plotfuqishmërisë së vendimit, shohim se këta aktorë ia kanë arrirë qëllimit të vet, që në rrethana të dyshimta t’i fitojnë 6 milionë euro, dhe në këtë mënyrë ta vjedhin një buxhet të tërë vjetor të Komunës së Ulqinit dhe ta çojë komunën drejt bankrotit”, u shpreh më tej nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu.

Ai thotë se pasojat janë të paparashikueshme dhe shpreh irritim të madh ndaj këtij vendimi.

Sipas tij, me këtë vendim komuna e Ulqinit do të jetë e bllokuar 10 deri në 11 muaj pasi që aq parashikohet se do të zgjatë “pagesa e dhunshme”.

“Në këtë periudhë do të ndalohej gjithçka, sa i përket punës së komunës. Të punësuarit në komunë, 6 ndërmarrje, themeluese e të cilave është komuna, furnizuesit, e çka është më e rëndësishmja i tërë procesi dhe puna e vetëqeverisjes lokale do të bllokohej. Ky është edhe një vendim, të cilin qytetarët e Ulqinit do ta trajtojnë si vendim që merret në dëm të tyre, madje jashtë komunës sonë”, u shpreh ai.

Nimanbegu ka ftuar Qeverinë dhe komunën e Ulqinit që ta zgjedhin së bashku këtë sfidë dhe në mbledhjen e parë të ardhshme të Qeverisë ta shqyrtojnë dhe ta gjejnë zgjidhjen për heqjen e bllokadës komunës së Ulqinit, “jo me prolongim të përmbarimit për një kohë të caktuar, por me një zgjedhje afatgjatë, qoftë me marrjen mbi vete të tërë borxhit nga ana e Malit të Zi, qoftë me gjetjen e zgjedhjes për shpagimin afatgjatë për shumën e caktuar në rastin gjyqësor”.

Sipas nënkryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, ky veprim është alarm për Qeverinë dhe Ministrinë e drejtësisë, por edhe instancat tjera gjyqësore që të ulen dhe ta analizojnë këtë problematikë, në mënyrë që të gjejnë zgjedhje juridike me të cilën do të mbrohen institucionet lokale dhe shtetërore nga raste të tilla, si dhe qytetarët e të gjitha komunave tona, në mënyrë që çështjet jetike të mos rrezikohen.

Njëkohësisht ai u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve kompetente në Mal të Zi dhe prokurorinë që ta shqyrtojnë tërë çështjen, që nga ajo se si “NSH Rekreaturs” nga Prishtina u regjistrua në Mal të Zi, e deri te verifikimi i të gjithë elementeve të kësaj afere, për shkak të të cilave “Atlas grupa” ka arrirë të përfitojë dhe t’i shkaktojë dëme disa milionëshe komunës së Ulqinit, por edhe në dëm të vetë qytetarëve të Malit të Zi.

Shpërndaje në: