I drejtohen Graçanicës për dokumente

I drejtohen Graçanicës për dokumente

Derisa komunat e tjera janë në grevë, ajo e Graçanicës vazhdon punën. Kjo ka bërë që qytetarët t’i drejtohen kësaj komune për t’u pajisur me dokumentet që u nevojiten.

Leutrim Ajeti, nënkryetar i komunës së Graçanicës, ka thënë se qytetarët aty drejtohen për të marrë certifikatat për bashkim familjar, derisa certifikatat e tjera ata mund t’i marrin online në Kosova ose edhe në aparatet që ndodhen pranë komunave.

“Është një fluks por jo shumë i madh, qytetarët vijnë zakonisht për certifikatë të bashkësisë familjare, që I nevojitet për terminë për vizë, e me certifikata të tjera mund të pajisen në aplikacionin eKosova dhe aparateve që janë në komuna”, ka thënë Ajeti në Klan Kosova.

Ai tha se në këtë komunë shkojnë si qytetarët shqiptarë ashtu edhe ata të komunitetit serb.

“Ka edhe të komunitetit shqiptar edhe serb, komuna ka obligim t’i pajisë të gjithë. Nuk përbën diçka të veçantë, sepse komuna funksionon ashtu për të gjithë qytetarët”, ka shtuar ai.

Ajeti tha se me gjasë komuna e Graçanicës nuk ndodhet në grevë pasi nuk janë anëtarë të sindikatës.

“S’kam qenë anëtar i sindikatës, nuk e di a janë ose jo anëtarë të sindikatës zyrtarët e tjerë. E di që komuna e Graçanicës ka punuar çdoherë dhe nuk e ka ndalur punën”, ka përfunduar ai.

Shpërndaje në: