I dyshuari sekser Martin Berishaj nuk i deklaron dy bizneset private

I dyshuari sekser Martin Berishaj nuk i deklaron dy bizneset private

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nuk i ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, as biznesin që ka në Malin e Zi, e as një që e ka në Kosovë.

Në formularët e publikuar sot nga kjo agjenci, te Berishaj nuk figurojnë kompanitë “MB Consulting” me seli në Podgoricë dhe “Zaslon Kosova L.L.C”, që I ka zyrat në Prishtinë.

Berishaj i ka deklaruar pasuri të paluajtshme një banesë të cilën e ka blerë në vitin 2001 në shumën prej 180 mijë me të hyra dhe kursime të përbashkëta familjare. Ai ka një shtëpi të trashëguar nga prindërit në vlerë të 72 mijë eurove, një banesë të blerë me kursime në vlerë të 50 mijë eurove, të përbashkët me gruan, dhe një tokë të trashëguar poashtu nga prindërit në vlerë të 80 mijë eurove.

Pasuri të luajtshme, ambasadori i ka deklaruar dy vetura, një të veten dhe një të gruas, të cilat në total kapin shifrën e 57 mijë eurove.

Berishaj para të gatshme ka 15 mijë euro në një bankë të Lubjanës, ndërkohë gruaja e tij ka 10 mijë.

Ndërkohë, shuma vjetore e të hyrave të tij është 39 mijë e 936 euro, ndërsa e bashkëshortes 24 mijë euro, transmeton Klankosova.tv.

Ambasadori ishte bërë lajm ndërkombëtar si i përfshirë në një skandal të zbuluar financiar në Slloveni, ku me ndihmën e tij kandidati për kryeministër të Sllovenisë, Robert Golob, dyshohet se ka bërë shpëlarje parash. Sipas televizionit, Planet TV, ai ishte bërë pjesë e një skeme, ku para të dërguara nga një kompani serbe, e cila është degë e një kompanie energjetike ballkanike, transferoheshin te një kompani tjetër malazeze MB Consulting, pronar i së cilës ishte vetë ai, dhe më pas te politikani slloven, Robert Golob, që tani është kryeministër vendi.

Vet Berishaj i kishte mohuar akuzat, e madje kishte paralajmëruar edhe padi kundër televizionit, derisa ky deklarim I tij iu ka mjaftuar presidentes, Vjosa Osmani dhe kryeministrit, Albin Kurti, që të mos e shkarkojnë.

Shpërndaje në: