I gjithë arsyetimi i Speciales për dënimin e shqiptuar ndaj Gucatit dhe Haradinajt

I gjithë arsyetimi i Speciales për dënimin e shqiptuar ndaj Gucatit dhe Haradinajt

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSk) në Hagë, të mërkurën është bërë shpallja e aktgjykimit ndaj Hyni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, ku të njëjtit u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe nga 100 euro gjobë për 5 pika të akuzës.

Ndërsa, për njërën pikë që ka të bëjë me veprën penale të hakmarrjes, ata janë liruar nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gucati e Haradinaj u dënuan për vepra penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Për pikat 1, 2, 3, 5 dhe 6, ku Gucati dhe Haradinaj u shpallën fajtorë, trupi gjykues tha se është bindur se të akuzuarit kanë kryer veprat penale që u vihen në barrë.

Sipas trupit gjykues, të akuzuarit kishin zbuluar informacionin e mbrojtur duke ekspozuar dokumentet dhe duke lejuar të pranishmit në tri konferencat për shtyp që t’i fotografonin e t’i merrnin me vete këto dokumente.

“Të akuzuarit vepruan në synim të drejtpërdrejtë për zbulimin e informacionit të mbrojtur. Kjo duket veçanërisht nga veprimet e tyre, zotimet e tyre për të vijuar në publikimin e çdo dokumenti të marrë, duke deklaruar se ishte detyrë e tyre ta bënin këtë, inkurajimi i tyre i përsëritur për gazetarët që të publikonin dokumentet dhe deklaratat e tyre se mirëprisnin dorëzime të tjera të dokumenteve të tilla”, tha gjykatësi Smith II.

Trupi gjykues ka konstatuar gjithashtu se të akuzuarit në të njëjtën mënyrë kanë zbuluar edhe identitetin ose të dhënat personale të dëshmitarëve ose dëshmitarëve të mundshëm të marrë në mbrojtje nga TFHS dhe ZPS-ja.

E që kjo sipas trupit gjykues, ka shkaktuar pasoja të rënda për disa nga dëshmitarët.

“Sidoqoftë, trupi gjykues nuk është bindur se veprimet e të akuzuarve pamundësuan apo penguan shumë hetimet e ZPS. Rrjedhimisht trupi gjykues konstaton se ZPS ka vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm formën bazë të veprës penale në pikën 6 dhe formën e rëndë vetëm sa u përket pasojave të rënda në lidhje me dy të akuzuarit”, tha gjykatësi Smith II.

Tutje, trupi gjykues ka konstatuar se të akuzuarit nuk i kushtuan rëndësi faktit se ku dhe në duart e kujt do të përfundonte informacioni që ata zbuluan.

“Gjithashtu, të akuzuarit vunë publikisht në dyshim vërtetësinë e informacionit të dhënë nga dëshmitarët, duke i quajtur ata “gënjeshtarë” dhe duke pretenduar pa ndonjë arsye të besueshme se ata kishin dhënë dëshmi për të nxjerrë përfitime apo sepse ishin detyruar. Ata gjithashtu iu referuan dëshmitarëve dhe 8 dëshmitarëve të mundshëm me një gjuhë nënçmuese dhe kërcënuese, duke i quajtur ata “tradhtarë”, “spiunë”, “bashkëpunëtorë” dhe “shqipfolsa”, duke i bërë kështu jehonë një retorike të njohur, e cila synonte të ngjallte armiqësi ndaj atyre që kishin zgjedhur të bashkëpunonin me ZPS-në”, tha gjykatësi Smith II.

Andaj, trupi gjykues ka konstatuar se veprimet dhe deklaratat e të akuzuarve shkaktuan kërcënim të rëndë, i cili do të kishte krijuar frikë dhe shqetësime të rënda për shumë dëshmitarë apo dëshmitarë të mundshëm për t’i bërë të hezitonin që të jepnin informacion në hetimet lidhur me ish-anëtarë të UÇK-së.

“Mesazhi i të akuzuarve për këta dëshmitarë ishte: tani që të gjithë e dinë se kush je, askush nuk mund të të mbrojë, sepse je “tradhtar”, “spiun”, “bashkëpunëtor”, “shqipfolës”, që nuk “ia do të mirën Kosovës dhe UÇK-së”. Trupi Gjykues është i vetëdijshëm se format tinëzare të frikësimit të dëshmitarëve, iu kanë hequr vazhdimisht viktimave mundësinë për të thënë të vërtetën në lidhje me krimet e kryera ndaj tyre dhe kanë penguar ndjeshëm përpjekjet për pajtim në shoqëritë e dala nga konfliktet”, tha gjykatësi Smith II.

Trupi gjykues ka konstatuar se veprimet e të akuzuarve shkaktuan pasoja të rënda për një numër dëshmitarësh ose dëshmitarësh të mundshëm, por trupit gjykues nuk i është paraqitur asnjë provë se sjellja e të akuzuarve faktikisht bëri që ndonjë nga këta persona apo ndonjë dëshmitar tjetër të mos jepte më dëshmi për DHS-në/ ZPS-në.

“ZPS-ja gjithashtu nuk ka demonstruar pengesë konkrete dhe aktuale që i është shkaktuar hetimeve të saj, për të cilën përgjegjësia do të mund t’i atribuohej veprimeve të të akuzuarve. Gjithashtu, nuk ka ndonjë të dhënë se si rezultat i devijimit të kohës dhe kapaciteteve, ZPS-ja u pengua ose u vonua në kryerjen e funksioneve të saj të zakonshme. Për këto arsye, trupi gjykues konstaton se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se veprimet dhe deklaratat e të akuzuarve penguan zyrtarët e DHS-së/ ZPS-së në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare”, tha gjykatësi Smith II.

Por, trupi gjykues ka theksuar se rikujton se vepra penale sipas nenit 401(1) të KPK-së mund të kryhet edhe nëse pengimi tentohet, por nuk çohet deri në fund.

“Të dy të akuzuarit i bënë të qarta synimet e tyre për të mos iu bindur urdhrave të DHS-së/ ZPS[-së. Gjithashtu, të dy të akuzuarit deklaruan shprehimisht se ata donin të ndalnin ose të dëmtonin proceset e DHS-së/ ZPS-së, në mënyrë që ajo të cilën ata e përshkruan si një gjykatë “pa vlerë” dhe “e njëanshme” të mos ndiqte penalisht “djemtë e Kosovës”, tha gjykatësi.

Gjykatësi Smith II ka thënë se trupi gjykues posedon provat që vërtetojnë se Gucati, Haradinaj dhe Faton Klinaku vepruan si grup në zbulimin e informacioneve.

“Trupi gjykues është bindur se të akuzuarit dhe z. Klinaku, në përpjekjet e tyre për të zbuluar informacionin e mbrojtur dhe për të penguar zyrtarët e DHS-së/ ZPS-së në kryerjen e funksioneve të tyre zyrtare, vepruan nën autoritetin e z. Gucati si kryetar i OVL-UÇK-së. Për këto arsye, Trupi gjykues është bindur se z. Gucati veproi si udhëheqës i grupit. Z. Haradinaj veproi nën autoritetin e z. Gucati dhe luajti rol të qenësishëm si anëtar i grupit. Trupi gjykues nuk është bindur se ai veproi si udhëheqës apo organizator i grupit”, tha gjykatësi Smith II.

Ndërsa, për pikën 4 që ka të bëjë me veprën penale të hakmarrjes, gjykatësi ka thënë se trupi gjykues ka konstatuar se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë përtej dyshimit të arsyeshëm se të akuzuarit kanë kryer këtë vepër penale.

“Megjithatë, sipas nenit 388(1) të KPK-së, është ZPS-ja ajo që ka detyrimin të vërtetojë se të akuzuarit ishin të vetëdijshëm se informacionet e dëshmitarëve kishin të paktën deri në njëfarë mase, vërtetësi. ZPS-ja nuk arriti të vërtetonte se të akuzuarit ishin të vetëdijshëm për këtë. Për këto arsye, trupi gjykues konstaton se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se të akuzuarit vepruan me synimin e nevojshëm ndaj cilitdo prej dëshmitarëve, të cilit ata i zbuluan identitetin dhe/ose të dhënat personale”, deklaroi gjykatësi Smith II.

Më pas, i njëjti ka trajtuar edhe pjesën e dënimit, i cili tha se të akuzuarit janë përgjegjës për vepra të rënda penale, të cilat rrezikojnë administrimin e duhur të drejtësisë.

“Të akuzuarit nuk treguan shqetësim për pasojat apo pasojat e mundshme të veprimeve të tyre. Ata vepruan në mënyrë flagrante, haptazi, pa bërë dallime dhe duke shpërfillur sundimin e ligjit apo autoritetin e kësaj gjykate. Ky aktgjykim i përshkruan qartë këto veprime ashtu siç janë: kriminale dhe jopatriotike; kërcënim për drejtësinë dhe jo të udhëhequra nga interesi publik”, tha ai.

Ndërsa, si faktorë lehtësues, trupi gjykues ka konstatuar situatën familjare dhe/ose shëndetësore të të dy të akuzuarve, si dhe në lidhje me Gucatin, punën e tij në komunitet.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkoheshin se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Shpërndaje në: